ANALIZA/ Ja si mund të duket një marrëveshje e përhershme me Korenë e Veriut

Nga David Ignatius

Pas disa javëve të retorikës luftarake, Koreja e Veriut bëri një pauzë të martën. Por çfarë planifikon të bëjë më pas i paqëndrueshmi Kim Jong Un? Zyrtarët e SHBA-ve po debatojnë nëse ai mund të dëshirojë bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin për një traktat formal për të zëvendësuar marrëveshjen e armatimit të 1953 që përfundoi Luftën Koreane.

Shtetet e Bashkuara po ndjekin një rrugë të dyfishtë, duke kërcënuar konfliktin ushtarak (gjysmë i besueshëm për shkak të shpërthimeve verbale të Presidentit Trump), ndërkohë që po bën thirrje për stabilizimin e një gadishulli Korean të de-nuklearizuar. Truku diplomatik këtu garanton njëkohësisht Korenë e Veriut, Kinën, Korenë e Jugut dhe Japoninë që interesat e tyre jetike do të mbrohen.

Ky proces i negociatave u la të kuptohet të dielën nga Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe Sekretari i Shtetit Rex Tillerson. Në një intervistë për Wall Street Journal, ata paralajmëruan Korenë e Veriut për “të marrë një rrugë të re drejt paqes, prosperitetit dhe pranimit ndërkombëtar”, ose të përballen me izolim të shtuar.

Kushtet e paqarta të Tillerson për negociata kanë qenë që Pheniani të demonstrojë seriozitetin e saj duke ndaluar testet raketore dhe bërthamore. Ndoshta Kim bëri një hap të hidhur në këtë drejtim të martën, kur Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë njoftoi se kishte vendosur të “vështronte pak më shumë sjelljen e marrë dhe idiote të Yankee-ve”, në vend që të realizonte kërcënimin e saj për të nisur katër raketa balistike në drejtim të Guamit.

Problemi i Kim në krizën eskaluese ka qenë që ai përballet me një front të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina – mbështetur nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Rusia. Pekini i është bashkuar Uashingtonit duke bërë thirrje për denuklearizimin dhe mbështetjen e sanksioneve shtesë të OKB-së, përfshirë ndalimin e importeve të reja kineze të qymyrit të Koresë së Veriut, dhe të minerale të hekurit dhe plumbit.

Mirënjohëse ndaj ndihmës kineze, administrata Trump duket se ka tërhequr kërcënimin e saj për kufizimin e eksporteve kineze të çelikut dhe për të vendosur masa që mund të ndikojnë në gjigantët e internetit Alibaba dhe Tencent. Në vend të kësaj, administrata të hënën bëri thirrje për një hetim të vjedhjes së supozuar të teknologjisë dhe të sekreteve tregtare nga Kina – një problem serioz për kompanitë amerikane, por jo një problem që kërkon një dënim të menjëhershëm.

Retorika e Trump ka qenë pothuajse aq e paqëndrueshme sa të Kim, duke filluar nga deklarata e tij në maj se ai do të ishte “i nderuar” për të takuar diktatorin deri në paralajmërimin e tij të javës së kaluar për reagim me “zjarr dhe tërbim”. Por linja qendrore e kësaj krize është e njëjta pyetje që ka shqetësuar politikën amerikane për dekada me radhë – si të përballet me një komb mashtrues që kënaqet në sfidimin e normave ndërkombëtare dhe tani e bën këtë me armë bërthamore.

Një qasje ndaj enigmës së Koresë së Veriut është mundësia e një marrëveshjeje paqeje. Armëpushimi specifikoi se ishte vetëm një “ndërprerje e armiqësive. . . Derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare paqësore.” Propaganda e Koresë së Veriut e përshkruan dokumentin si “një deklaratë të kamufluar të dorëzimit”. Por regjimi e kupton se kjo është gjithashtu një pikë e e papërcatkuar. Pyongyang njoftoi pezullimin e armëpushimit të paktën tre herë, në 2003, 2009 dhe 2013 – për t’u kthyer në zakonin e saj të vjetër.

Duke qenë se zyrtarët e SHBA mendojnë se rruga e negociatave mund të çojë në një traktat të përhershëm, ata kanë sinjalizuar disa pozicione themelore amerikane: Së pari, Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë siguri në Korenë e Veriut se regjimi i saj nuk do të rrëzohet; Së dyti, do të garantojë sigurinë e Koresë së Jugut, një aleate e ngushtë e SHBA-ve; Së treti, Uashingtoni do të premtonte se nuk do të kërkonte ribashkim të shpejtë të Gadishullit Korean, duke siguruar Kinën dhe Japoninë, të cilët kanë frikë nga një Kore e bashkuar dhe të ringjallur; Dhe së fundi, Shtetet e Bashkuara do të shprehnin gatishmërinë për të diskutuar statusin e ardhshëm të pranisë së saj ushtarake në Korenë e Jugut, nëse një marrëveshje paqeje do të ishte e qëndrueshme.

Tillerson ka ofruar publikisht tre garancitë e para. E katërta është më delikate, sepse të gjitha palët pranojnë se për momentin trupat e SHBA-ve janë një forcë esenciale stabilizuese, duke frenuar jo vetëm Pyongyang por edhe militarizim më të madh në Seul dhe Tokio.

Megjithëse programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut shihet shpesh si një çështje mbijetese të regjimit, disa zyrtarë amerikanë janë skeptikë për këtë arsyetim. Në fund të fundit, parandalimi konvencional, në formën e qindra artilerive të Koresë së Veriut dhe raketave që synojnë Seulin, ka parandaluar çdo sulm ndaj Phenianit për tre gjenerata të Kim-ëve.

B.R. Myers, në librin e tij të vitit 2010 “Gara më e Pastër” që po lexohet me vëmendje nga zyrtarët e SHBA-ve, argumenton se Koreja e Veriut nuk është vërtet një regjim komunist, por një regjim i shtyrë nga qasje e krahut të djathtë të pastërtisë racore koreane. Qëllimi i tij mund të jetë “fitorja” dhe unifikimi që dështoi të arrihej në vitin 1953.

Një partneritet kinezo-amerikan ka ndihmuar që kjo krizë të spostohej nga pragu i shpërthimit. Por kjo është një shfaqje pa publicitet për Kim. Ballafaqimi që ai ndoshta me të vërtetë dëshiron është me vetë atë person që i pëlqejnë marrëveshjet, Donald Trump. Për atë përballje, padyshim që mund të shiteshin shumë bileta./The Washington Post – Lexo.al/

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *