Për të moshuarit që pleqërojnë në azil, qoftë edhe një fjalë e mirë që ju vjen nga bota jashtë është arsye e mjaftueshme për t’u ndjerë të lumtur.
Në jetën e tyre të përditshme ka pak vizitorë që u dedikojnë kohë a fjalë, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve fëmijët e tyre jetojnë jashtë Shqipërisë.
Në heshtje, larg zhurmës mediatike, thjesht për të falur dhe marrë kënaqësi, 2 parukiere nga Korça, së bashku me kursantet e tyre kanë vizituar sot ambientet e azilit “Vila Kenedi” në Moravë.
Brikena Mullaymeri dhe Klodi Kovaçi tashmë e kanë kthyer në rit vizitën tek të moshuarat që i presin në radhë për t’iu përkëdhelur e rregulluar pak flokët.
Rrudhat në ballë e buzëqeshja në sy janë bukuria e viteve dhe sfidave që nuk mund ta konkurrojë asnjë krehër parukiereje, ama pak vëmendje e sinqertë i rinon këto të moshuara.
“Prej 3 vitesh ne vizitojmë herë pas herë azilin dhe u rregullojmë flokët të moshuarave. Sot patëm një moment më pak të ngarkuar në punë dhe menduam të vinim këtu, ishte instiktive.
Është një dëshirë e jona që shtohet edhe më shumë kur shohim reagimin e tyre. Mezi na presin, zënë radhën sapo na shohin. Kanë dëshirë të bisedojnë me ne, na tregojnë për fëmijët që u jetojnë jashtë Shqipërisë.
Ndërsa sa i përket modelit të flokëve kanë shije të ndryshme. Njëra i donte kaçurrela, ka të tjera që na e lënë ne në dorë. Kjo është diçka shumë e vogël por ne jemi të lumtura që ato ndihen mirë.
Njëra prej tyre i thërriste të shoqit: ‘Hajde më shiko sa e bukur jam bërë!’, kaq mjafton për ne, të japim sadopak dashuri”, shprehet Brikena për 27.al.
Meritojne nje bravo te madhe!
Ju lumte. Vleni te pergezoheni me kete veprim human. Keto jane vajzat tona, te bukura, te mira e te mencura.
Te nderuar lexues,
Shkruani edhe Ju per kete akt fisnik, se ngelem vetem duke share e cfryre deshperim. Jeta eshte e bukur, por me te bukur e bejne keto vajza. Ju lumte.