Grabitën 100 mijë euro në hotel, të rinjtë mbrojnë pastruesen: S’ka lidhje, ja si na lindi ideja

20 Gusht 2017, 19:06Kronika TEMA

Gjykata e kryeqytetit vendosi dje masën e sigurisë arrest me burg ndaj shtetasve Zenel Dama dhe Eduart Ngota, të akuzuar për grabitjen e kasafortës së një hoteli te Rruga e Dibrës në Tiranë.

Masa e sigurisë arrest me burg u vendos në mungesë edhe ndaj shtetases Rajmonda Bruçi, e cila është shpallur në kërkim. Prokurorja deklaroi në seancë se e akuzuara, punonjëse e hotelit, ka bashkëpunuar me autorët, por pas grabitjes së ndodhur më 15 gusht, ka arritur të largohet dhe t’i shpëtojë arrestimit.

Nga sistemi TIMS, sipas akuzës, e dyshuara ka ikur jashtë Shqipërisë. Bruçi dyshohet se ka informuar vëllain e saj, Eduart Ngota, në lidhje me sendet me vlerë dhe shumat e eurove që mbaheshin në kasafortën e hotelit.

Por dy personat e arrestuar mohuan dje në gjykatë që të kenë pasur bashkëpunëtor tjetër. Ata pranuan akuzën, ndërsa thanë se kishin shkuar atë natë në hotel si klientë dhe në mënyrë spontane u kishte lindur mendimi për të kryer vjedhjen.

“Pimë një kafe aty dhe në një moment vendosëm ta provonim për të vjedhur”, është shprehur dje në gjykatë Eduart Ngota.

Policia e Tiranës tha pas ngjarjes se ka arrestuar 2 të dyshuarit gjatë operacionit të koduar “Rolexi”, në lidhje me vjedhjen e ndodhur në hotel.

Në pranga ranë Eduart Ngota, 32 vjeç dhe Zenel Dama, 27 vjeç, të cilët dolën dje në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë. Pas ngjarjes, është shpallur në kërkim 36-vjeçarja Rajmonda Bruçi, e punësuar si pastruese në hotel, e cila njëkohësisht është motra e njërit prej autorëve, shtetasit Eduart Ngota.

Policia ka thënë se pas arrestimit të dy të dyshuarve në Tiranë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 ora me vlerë rreth 80 mijë euro, 3 byzylykë e një varëse floriri me vlerë rreth 9 mijë euro, si dhe 9500 euro cash.

Të gjitha këto prova u gjetën në shtëpinë e njërit prej autorëve. Orët e vjedhura ishin 2 të markave “Roleks DayData”, njëra me ngjyrë gri metalizato, tjetra me ngjyrë floriri dhe një “Jaeger Lecoultre”, me ngjyrë floriri.

Dyshimet janë se dy personat janë lajmëruar nga motra e Eduart Ngotës për praninë e sendeve me vlerë dhe shumës monetare në kasafortën që kishte materiale me vlerë rreth 100 mijë euro brenda saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje