Ku gabon shkollëshumi Vasili ndaj shkollëpaktit Rama!

20 Gusht 2017, 08:46Politika TEMA

Nga Shpëtim Nazarko

Në një postim të sotëm, opozitari i ri Vasili i LSI-së, duke e quajtur shkollëpaktë kryeministrin aktual Rama, i tregonte me shifra se po bëhej shkaktar i një drame të madhe. Bankat që veprojnë në Shqipëri kanë vendosur t’i investojnë paratë tona jashtë. Me të dhëna preçize, natyrisht të marra nga burime të sigurta, Vasili thoshte se rreth 3 milardë kanë shkuar tanimë jashtë dhe nuk mund të përdoren për investime këtu. Kjo arratisje parash është, sipas tij, produkt i asfiksimit të biznesit vendës nga ana e qeverisë. Se si bëhet ky asfiksim, mund edhe ta kuptojmë indirekt, nisur nga taksat apo kushtet që i vihen biznesit, etj.

Tema është shumë më e rëndësishme se etiketimi që Vasili i bën kryeministrit si shkollëpaktë. Nuk e di sa vlen krahasimi për shkollën e shumtë të zotit Vasili dhe të paktë të zotit Rama. Vetë mendoj se nëse do të përdornim krahasimin i shkolluar, por i palexuar, kjo do të na shpinte në ngatërresa të mëdha, jo vetëm ne, por dhe zotin Vasili. Vetë mendoj, duke i dëgjuar kur flasin të dy, se Rama është nga më të lexuarit në këtë vend. Në punë shkolle besoj që të dy i kanë punët keq me ata që kanë marrë a përlarë këto njëzet e pesë vjet në universitetet e Domosdovës dhe Rrogozhinës nga tri a katër diploma. Në këtë pikë reference, të dy janë të pashkolluar… Gjithsesi, ajo është çështje që nuk na hyn shumë në punë në krahasim me temën që po diskutojmë.

Si është e mundur që bankat që veprojnë këtu kanë vendosur të transferojnë gjithnjë e më shumë paratë e shqiptarëve jashtë? Dhe pse ato janë dorështrënguara për të kredituar individin, apo qeverinë në investimet që duan të bëjnë?

Mbi ca arsye historike.

Deri në vitin 2002 shqiptarët kreditoheshin nga xhepat e tyre, përgjithësisht, dhe shumë pak nga bankat e nivelit të dytë: si ato greke, italiane etj. Shifra e përgjithshme e këtyre kreditimeve nuk i kalonte 1 miliard euro. Në vitet 2002 -2004 filloi privatizimi i dy bankave të mëdha të Shqipërisë, asaj të kursimeve dhe asaj Agrare. Ato quhen sot Raiffeisen dhe BKT. Këto dy banka pritën ndërrimin e qeverive në vitin 2005 dhe në vitin 2006, kreditimi filloi të rrjedhë në trajtën e lumit. Shifrat kaluan në pesëfishin e vitit 2002, pra arritën rreth 5 miliardë euro. Po ç’u bë me këto para?

Një sasi kolosale kafenesh, restorantesh, pikash karburanti, agjenci turistike, pafundësi pallatesh etj., loloçka iu shtuan vendit. Vitet 2006 -2008 mbahen ende mend edhe nga mjaft analistë si vite begatie dhe qeverisje të mirë të Berishës. Taksat mblidheshin dhe qeveria po propagandonte një sukses të padëgjuar, që për shaka na rendiste në propagandën zyrtare deri edhe pas Gjermanisë.

Në një bisedë të lirë me Berishën nga viti 2007, i thashë në prani të disa ministrave gjysmë me shaka dhe gjysmë seriozisht se Piramida që po ndërtonte kësaj radhe do të ishte më e madhe se e vitit 1997. Kjo sepse nuk po humbnin paratë e individëve në investime të çmendura, por tani në lojë ishin edhe bankat. Të gjithë qeshën me të madhe në këtë bisedë ku nuk munguan as notat tallëse, por jo bankat.

Pas vitit 2008 bankat e panë se bizneset e ngritura që përmendëm më lart nuk prodhonin dot paranë. Dhe fiks për këtë arsye filluan të kreditonin qeverinë më shumë se individin. Dukej një politikë më e sigurt, por dhe kjo joafatgjatë. Qeveria i përdori këto para për të bërë rrugë nga të gjitha anët, duke tentuar të mbajë ritmin e rritjes së ekonomisë. Po aty nga viti 2009-2010 u kuptua, me gjithë manovrat alla Ritvan, se kishim hyrë në qorrsokakun e madh, që për mua ishte dhe më i rëndë se ai i vitit ’97. Mjafton të shikosh rritjen e kredive të këqija, që në 2005-2006 ishte e rendit tre për qind, u tetëfishua duke vajtur në 24 -25 për qind. Gojët e liga thonë se është shumë më tepër, po le t’i besojmë të dhënave të qeverive. Dhe vetë besoj që kur të qërohen mirë llogaritë, Shqipëria do të kuptojë se ajo që duket si klasë pasanikësh, realisht është një klasë e mjerë, origjina e së cilës e ka fillimin pikërisht nga kjo kohë e çmendur që përmendëm.

Vitet pas 2010-2011 janë vite të një lëngate të lemerishme. Qeveria e vitit 2013 kishte falmentuar me të gjitha. Dhe këtu nuk është puna e atyre 700 milionëve që deklaroi Rama kur mori qeverinë. Ekonomia shqiptare nuk është e zonja të investojë asgjëkundi realisht, sepse i mungojnë të tëra ato kushte që bëjnë një investitor normal të investojë. Janë ca kushte që thjesht mund t’i renditim kështu. Prona dhe garancia e saj. Uji, energjia, garancia në konflikte gjyqësore dhe së fundi, por jo nga rëndësia, krahu profesional i punës. Asnjë nga këto kushte Shqipëria nuk i plotëson normalisht dhe kjo jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe vendës. E thënë thjesht, edhe sikur ajo t’i bëjë taksat zero, përsëri do të ketë vështirësi kolosale me elementet që përmendëm më lart. Këto elemente që studiohen më së pari nga vetë bankat bënë që këto të fundit të tentojnë të sigurojnë rrugë të tjera për të mbajtur në rregull, apo të siguruara, paratë e shqiptarëve. Në të të vërtetë është një lëvizje thuajse e detyruar e tyre.

Si t’ia bëjmë?

Për t’i dhënë të drejtë Vasilit, partia e të cilit ishte tetë vjet në qeveri dhe nuk kuptoi asgjë nga këto histori, ndoshta duhet të mendojmë ndryshe. Pra të pranojmë dramën, por si të mendojmë të dalim nga ajo?

Që qeveria Rama të plotësojë kushtet që paratë të mos venë jashtë, por të mbeten këtu, ajo duhet të sigurojë ato elementet që përmendëm më sipër, pronën, ujin, energjinë, forcën e ligjit dhe veçanërisht krahun e kualifikuar të punës. Ndryshe të gjitha sa thotë jo Vasili, por edhe të tjerë me të, janë thjesht demagogjira pa asnjë vlerë.

Mendoj se nëse Ramës i bëhen kritika në këto elemente që nuk i ka shpikur autori i shkrimit, atëhere duhet t’i dëgjojmë me vëmendje Vasilin apo Vasilët e tjerë të Shqipërisë.
Qeveria e Ramës tentoi të vërë rregull në lidhje me pronën këto katër vjet, por jo me ndonjë efikasitet të madh. Ideja e saj për të bashkuar në një të vetme disa agjenci në favor të garantimit të pronës duhet përkrahur me forcë, pavarësisht se duhej bërë kohë më parë. Po ashtu, edhe përpjekjet për të frenuar ndërtimet e paligjshme në fshat, apo qytet. Kjo thjesht për të mos varrosur paratë në ca vende që do të kërkonin energji dhe ujë pafund, për shkak të shpërndarjes pa kriter të ndërtimeve. Kritikat të cilat do t’i bëheshin atij për forcimin e arsimit profesional do të ishin akoma më të mira. Dhe më në fund, forcimi i sistemit gjyqësor.

Në këtë sens do të ishin të drejta dhe kritikat e Vasilit, që, duke i përmendur shkollën Ramës, nuk i tejkalon shakarat banale. Pavarësisht gabimeve, Rama ndoshta është i vetmi në këto njëzet e pesë vjet që ka vënë gishtin mbi këto plagë të tmerrshme që përmendëm më lart.

Besoj që pa u rregulluar apo përmirësuar elementet e mësipërme, të gjithë bëjmë propagandë. Bankat do të vazhdojnë me të drejtë strategjinë e tyre të shpien paratë jashtë. Ato nuk bëjnë politika, por janë thjesht mekanizma që ndihmojnë politikat e mira të qeverisë apo individëve.

Arsyetimet e mësipërme kanë gjithsesi vlerë teorike. Ajo që duhet pranuar është që gjendja me elementet e treguara duhet të shkundë qeverinë.

Në praktikën e njohur, situata të tilla zakonisht zgjidhen duke hapur punë publike pafund. Në praktikën e Ramës, që kritikohet nga shumica e opozitës, ideja e tij për rilindjen urbane mund të shihet si pozitive nëse do të besonim realisht se në këto punë publike u mobilizuan rreth 50 000 njerëz. Kjo pavarësisht qëllimit të Ramës apo idesë nga u nis ai, të kujton politikën e Rusveltit të viteve 1930, të shekullit të kaluar. Pavarësisht se ky i fundit u nis nga motive të tjera për të hapur punë publike pafund.

Rama, që në rastin më të mirë e ka ngritur makinerinë e shkatërruar të shtetit nga humnera në sipërfaqe, besoj që duhet të mos marrë shembullin e grandomanisë së viteve 2006-2010. Ndryshe, për mendjen time të varfër, do të shtrëngonte lakun akoma më shumë në qafën e Shqipërisë.

Sa më shumë të interesohet ai për të ndrequr ato elementet që përmendëm sipër, si garancia për pronën, ujin, energjinë, forcën e ligjit dhe arsimin profesional, aq më tepër laku i Shqipërisë do të lirohet. Krahas tyre vijnë ato rregullat elementare me të cilat prosperon çdo shtet që ndërtohet mbi moderinizimin e resurseve që i kanë lënë të parët në pozicionin gjeografik që ata jetuan.

Të tjerat do të ishin propagandë dhe nuk besoj të ndihmojnë as zotin Vasili, që do të bëjë opozitën me shkollë shumë ndaj pozitës me shkollë pak të Ramës. Ky i fundit besoj që vetëm qesh nga këto kritika, tanimë që vetë ka shumë kohë që e njeh Shqipërinë ashtu si dhe zoti Vasili…/konica.al/

Ku gabon shkollëshumi Vasili ndaj shkollëpaktit Rama!

12 komente në “Ku gabon shkollëshumi Vasili ndaj shkollëpaktit Rama!”

  1. Adi says:

    Dmth sipas shkruhesit qeveria Rama ka bere pak ose asgje po prap s’ka faj. Ti qofsh Zoti Nazarko qe arrin ne kete perfundim !!! Sa per dijeni Rama me ate idiotin qe ka minister ka deklaruar se shperndarjen e fitimit/dividendin do e tatoje 6% nga 15 … ne praktike do i mundesoje bankave dhe kompanive te huaja da dergojne me lire fitimin jashte. Levizja e duhur sipas jush?! Ne vend te ule tatimin e fitimit per te mundesuar grumbullimin e kapitalit ul tatimin e dividentit per te lehtesuar daljen jashte …

  2. Fieri says:

    Opo mjer ne thuaj, kur nuk u be kryeminister Vasili ! Le te vujme tani……

  3. Devolliu says:

    Nje autodidakt qe u jep mend atyre qe kane bere nje bare shkolle. Ju lutem mos na poshteroni !

  4. vasua says:

    Vasili do ta ndrise!!! Mbaheni mende!

  5. Mandi says:

    Historia nuk fillon kur maja e penes ndot letren e bardhe, ndoshta kemi ardhur ne epilogun e saj. Keshtu eshte dhe analiza historike financiare qe nazarko ben. Pa hyre ne vlersimi.
    Por pyes veten si esht e mundur qe jemi nje vend ku asnje nga bizneset e medha ushqimore, te modes a cfardo lloji tjeter nuk esht ktu. Jo per faj te qeverive por se esht pa llogjike financiare. Tregu i limituar, fuqia blerse edhe me shum.
    Por ama kemi me shume lokale, farmaci, furra buke dhe ushqimore se popullsi. Cdo familje la nje shpi, mesatare e frikshme per nje vend te zhvilluar.
    Ama investime ne sektor jetik zero.
    Ndaj dhe piramida e perseritur nga i njejti aktor le shije te dyshimte.
    Vasiliqia ka hypur mbi pirgun e plehut, eshte gabelja e rradhes qe i kendon te zotit.

  6. kleptofagos says:

    Problemi qe evidenton autori eshte teper shqetsues dhe ka nevoje per trajtim te gjere, por kam pershtypjen se Nazarko perdor sofizmat ekonomike, per propagande politike ne favor te Rames. Ana pozitive qe ka Rama dhe evidenton me te drejte Nazarko, eshte oratoria e tij. Por njeriu qe flet shume, zakonisht eshte pune paket, aq me keq kur e folura e tij eshte demagogji dhe te genjen. “Rilindja urbane” i dashur Nazarko eshte nje nga mashtrimet e medha te Rames. Parate qe jane harxhuar dhe vazhdojne te derdhen aty, jo vetem se investimet e tyre nuk jane profesionale (Rama me megalomanine e tij don te beje edhe urbanistin edhe arkitektin), pavaresisht se kane hapur disa fronte pune publike, nuk sherbejne aspak ne ato kerkesa madhore qe ti i permend si jetike per Shqiperine, sikurse jane infrastrukturat publike. Kozmetika e perseritur, e panevojshme e shesheve qendrore neper qytete, i sherben kryesisht reklames per te genjyer njerezit. Veprat e medha publike sikurse jane rruget, portet, ujesjellesat, kanalizimet e qyteteve, ndertimet energjitike, etj. jane punet e medha qe nuk duken sheshit, por qe japin impulset e domosdoshme per perspektiva zhvillimi dhe mireqenie ekonomike per vendin. Pikerisht keto vepra, Edi Rama me kompani nuk ka aftesi per ti bere sepse ne radhe te pare eshte edhe ai i korruptuar dhe e dyta (ajo qe thote Vasili) eshte i pa shkolluar. Te jesh “i lexuar”, sikurse reklamon edhe Nazarko, nuk te jep aspak edhe diplomen e aftesise per nje profesion te caktuar. Prandaj edhe bankat, qe i vezhgojne proceset dhe aktoret politike te nje vendi ne menyra me profesionalese se gazetaret, nuk investojne per tekat e qeverise, sidomos per reklama dhe kozmetike. Perkundrazi, do te ishin shume te interesuara ne vepra dhe investime publike afatgjata dhe me rentabilitet kombetar. Ti Nazarko, edhe pse je i shkolluar ne fushen e shkences, mund te flasesh edhe per ekonomine, por i perket tanime gazetarise ku paguhesh dhe ushqehesh prej vitesh, prandaj edhe je me i afert e me miqesor me kazanin mediatik te Rames (ose pushtetit) alias me politiken e demagogjise qeveritare.

    1. TruthHurts says:

      Të lumtë ajo mëndje se e ke thënë shumë troç…po a kanë mend shqiptarët ta kuptojnë…na

    2. Une says:

      Nazarko eshte i vetmi analist qe ben sens ne kazanin mediatik qe pagohet nga PDjs dhe LesheLija. Ka edhe pseudoanaliste kazani qe komentojne si puna jote por qe harrojne ose u pelqen te harrojne se ku e gjeti Edi shqiperine ne 2013-en. Qeveria e Sales kishte muaj e muaj te tere qe nuk pagonte dot as rrogat e punonjesve te qeverise ne rradhe te pare por edhe te bisneseve per rruget te ngecura rruges. Po te kesh parasysh qe Saliu kishte lene nje qen besnik si Nishani per te mbrojtur gjykatesit dhe prokuroret e korruptuar dhe per ti leshuar si klyshe te terbuar sa here e ku ti don’t b… Saliut.
      Nga an tjeter Edi u deturua te bashkeqeveriste me Metucet “shkolleshume” te Leshelise qe jo vetem nuk kane lene njeri apo vend pa rrjepur por edhe sabotuan dhe vazhdojne te sabotojne derin ne shtator me sa te mundin.
      Rilindja e quteteve mer tyc Vicidoli nuk eshte kozmetike por eshte shprese per qyteterim ne qytet. Ate shprese qe Saliistet apo Metucet e vrane per mbi 20 vjet rresht. Po KESH-in qe Edi e ktheu nga nje gangrene per ekonomine ne nje burim shume te madh financues per te. Te gjitha keto Edi i beri duke ulur borxhet dhe duke sjelle kreditoret e FMNse qe nuk punonin dot me nje vandal si Saliu apo nje hajdut “shkolleshume” dhe me bllok ne dore si Meta.

  7. Shelgura says:

    Po të drejtojë lsi punët e lsi së dojenë
    Shkëlqyer
    Se 5 e shqipëtarve do vjedhin 95 përqit të popullit
    Dhe këta 5 përqit do rojnë si ilir meta
    Të tjerët do lipin

  8. altin25 says:

    Po ka te drejte. Ska ekonomi pa sistem drejtesie dhe pa shtet. Shiko vendet rrotull nesh dhe e kupton cfare mungon ketu

  9. Shqiptar i vojtur says:

    Jashte kane dale eurot e gjyqtarve dhe prokuroreve te koruptuar,por dhe te qeveritarve !
    Vaso,do ti konfiskojme keto pasuri te vjedhura te shqiptarve,ki durim !

  10. D. Didani says:

    Adi si shume Ade-r te tjere eshte nje kritizer:E keshilloj ta lexoj shkrimin dhe njehere! (Ndofta dhe 2 here ,ndofta dhe 20 here!)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje