Luftëtari-Milinkovic, zgjidhet në 4 Shtator

20 Gusht 2017, 14:48Sport TEMA

Luftëtari-Milinkovic, një histori e destinuar të vazhdojë, këtë herë në zyrat e FSHF. Klubi jugor pretendon se trajneri serb nuk respektoi kontratën e rinovuar duke hedhur firmën për Kukësin dhe pretendon 100 mijë Euro dëmshpërblim, por në krahun tjetër, Milinkovic nuk e pranon një gjë të tillë duke pretenduar nga ana e tij se nuk e ka hedhur firmën në kontratën e rinovimit.

Tashmë çështja ka kaluar për një zgjidhje juridike në ambjentet e FSHF ku seanca e parë e caktuar në datën 18 Gusht dështoi. Përfaqësuesit e klubit jugor ishin të pranishëm në ambjentet e institucionit kryesor të futbollit shqiptar, por jo trajneri serb apo përfaqësuesi i tij ligjor.

Burime zyrtare nga klubi bluzi bëjnë me dije se do ta ndjekin këtë çështje deri në fund. Seanca e radhës është caktuar në datën 4 Shtator dhe FSHF i ka nisur një kërkesë trajnerit për të qënë i pranishëm ai ose përfaqësuesi ligjor, në të kundërt, seanca e dytë do të zhvillohet pa praninë e tij.

Eshtë Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve që do të shqyrtoje çështjen edhe pse trajneri serb pretendon se nuk ka pasur kontratë me Luftëtarin, ndërsa klubi gjirokastrit ka paraqitur një kontratë të rinovuar në prill të këtij viti. Sipas klubit jugor, në kontratën e nënshkruar me Milinkovic në Qershorin e vitit 2016, në pikën 12 theksohet se nëse klubi kërkon të përdorë të drejtën e rinovimit automatik edhe për një sezon tjetër, duhet të njoftojë trajnerin me shkrim përpara datës 30 Prill 2017.

Zyrtarisht, Luftëtari konfirmoi se klubi kërkoi të përdorte të drejtën e rinovimit automatik duke njoftuar trajnerin me shkrim në datën 25 Prill dhe sipas dokumentit të paraqitur nga Luftëtari, Milinkovic e ka firmosur rinovimin e kontratës./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje