FOTOT/ Rikonstruktohet Shkolla e Kuqe, kushte më të mira mësimore për 1 mijë nxënës

21 Gusht 2017, 12:46Sociale TEMA
FOTOT/ Rikonstruktohet Shkolla e Kuqe, kushte më të mira mësimore

Problemi i mësimit me dy turne në shkollat e Tiranës po merr zgjidhje dita-ditës. Nga ky shtator, nxënësit e Shkollës së Kuqe, jo vetëm që do të mësojnë në mjedise të rikonstruktuara, por edhe do t’i rikthehen traditës së mësimit me një turn. Arsyeja? Muajin tjetër do të çelë dyert shkolla e rindërtuar “Hoxha Tahsin”, e cila me 4 katet dhe 27 klasat e saj të reja do të ulë fluksin e nxënësve në auditore. Sot Shkolla e Kuqe ka marrë një pamje të re dhe pas rikonstruksionit nga Bashkia e Tiranës është gati të presë 1 mijë nxënësit e saj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se veç rikonstruksionit të Shkollës së Kuqe, Njësia 8 ka edhe një shkollë krejt të re. Ai shtoi se viti i ri shkollor do ta gjejë Tiranën me 4 shkolla të reja, të cilat do të ndikojnë në uljen e ngarkesës në shkollat ekzistuese, çka do të shoqërohet edhe me një cilësi më të mirë në mësimdhënie. “Kështu, Shkolla e Kuqe kalon me një turn, bie pak trysnia, ndërkaq te ‘Hoxha Tahsin’ po punojmë për një shkollë fantastike të re, sigurisht me një standard më të lartë duke qenë se është ndërtuar nga e para, e cila do të çlirojë fluksin që vjen nga komuniteti”, tha Veliaj gjatë përurimit të shkollës.

Kryebashkiaku shtoi se veç këtyre 4 shkollave që përfundojnë këtë vit do të nisë shumë shpejt edhe projekti tjetër madhor, ai për ndërtimin e 16 shkollave të tjera. “Lajmi i mirë është se pavarësisht se nuk e patëm dakordësinë e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, morëm mjaftueshëm vota njerëzish seriozë për të kaluar projektin tonë të 16 shkollave të reja, ndaj bashkë me Drejtorinë Arsimore, teksa bëjmë punë infrastrukture, do ju duhet që edhe ju të përgatisni 16 skuadra të reja të cilat do marrin përsipër drejtimin e shkollave. Madje, do ishte mirë të fillojmë që tani me marketingun e shkollave të reja, për të shpjeguar vendodhjen, lagjen që do përfshijë, për ta mbyllur me sukses jo vetëm mandatin tim, por për të mirën e gjithë Tiranës të heqim nga fjalori mësimin me dy turne”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se shkollat e reja nuk do të ofrojnë vetëm kushte më të mira mësidhënie, por edhe staf profesional. Në bashkëpunim me DAR-in po punohet që mësuesit që dalin të parët në konkurse të japin mësim pikërisht në shkollat e reja. “Nuk ka nevojë të shkojnë nxënësit te mësuesit e mirë, por mësuesit e mirë të shkojnë atje ku janë nxënësit. Po të shihni sot sistemin e portalit dhe mënyrën si po shpërndahen në mënyrë proporcionale mësuesit që dalin me rezultate më të larta në të gjitha shkollat e Tiranës, kjo është garancia që japim, ndaj nuk ka nevojë që i gjithë komuniteti të dyndet në një shkollë ku tipikisht japin mësim mësuesit më të mirë sipas një sistemi të vjetëruar. U bëj thirrje prindërve, me shkollat e reja që po ndërtojmë, jo vetëm do të kemi infrastrukturë të re, por do të kemi edhe një vëmendje nga bashkia dhe DAR-i që në këto shkolla të kemi edhe mësuesit më të mirë”, tha kreu i Bashkisë.

Veliaj nënvizoi se për të ruajtur cilësinë dhe për të shpërndarë ngarkesën nga shkollat ekzistuese nuk do lejohen që drejtorët e tyre të bëjnë regjistrime mbi kapacitetin. “I kam kërkuar drejtoreshës dhe kolegëve të DAR-it që të mos tejkalojnë kapacitetin e regjistrimeve. Në dukje duket sikur po ndihmon një prind, i cili po të përgjërohet te dera për të futur fëmijën në një shkollë të caktuar, por në fakt po shkatërron edhe fëmijët e tjerë që tashmë janë regjistruar, për sa kohë që në këtë komunitet, dy rrugë më tej, kemi një shkollë me vende të lira. Ndaj i kam kërkuar Drejtorisë Arsimore që asnjë shkollë të mos e tejkalojë kapacitetin, sidomos tani që kemi shkollat e reja “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço” në Kombinat dhe “Ardian Klosi” te Bregu i Lumit. Do të vendosim një sistem dhe sanksione nëse kemi drejtues shkollash të cilët për të bërë qokat e vogla, tipike shqiptare, nga të cilat nuk shkëputemi dot, shkatërrojmë në fakt të ardhmen e një brezi të tërë”, theksoi ai.

Ndërkaq, Veliaj njoftoi se falë aksionit për licencimin dhe pagimin e detyrimeve tatimore nga karburantet dhe pikat e tjera të tregtimit të gazit është arkëtuar një shumë e barabartë me ndërtimin e dy shkollave të reja. “Më vjen mirë që me aksionin që nisëm javën e kaluar kemi mbledhur thuajse 3 milionë dollarë, të cilat janë thuajse sa dy shkolla të reja në Tiranë. Besoj se kemi vendosur edhe një standard ku nuk ka rëndësi sa i fortë je apo sa para ke. Nëse i detyrohesh Bashkisë dhe në qoftë se çdo qytetar i ndershëm i këtij qyteti paguan taksën modeste, atëherë këtë duhet ta bëjnë edhe milionerët. Ndaj më vjen mirë që edhe ata u futën në brazdën e ligjit”, tha kryebashkiaku.

Veliaj dha edhe një lajm tjetër të mirë për të gjithë nxënësit me rezultate shumë të mira, duke deklaruar se Bashkia e Tiranës këtë vit do të japë 3000 bursa për të gjithë nxënësit që dalin me 10-a në mësime.

Godina e Shkollës së Kuqe është 3 katëshe dhe aty mësojnë rreth 1 mijë nxënës, të shpërndarë në 28 klasa mësimore. Për disa vite, në këtë shkollë kanë kryer mësimin edhe nxënësit e shkollës “Hoxha Tahsin”, e cila nuk ka qenë funksionale për shkak të degradimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje