Industria e bakrit, ftesë për investime. Rezerva, 17.5 mln tonë

22 Gusht 2017, 16:05Ekonomia TEMA

Ministria e Energjisë dhe Industrisë fton bizneset vendase dhe të huaja të investojnë në industrinë e bakrit në Shqipëri.

Në dokumentin teknik të publikuar nga kjo ministri thuhet se, vendi ynë ka rezerva bakri që mund të shkojnë në 17.5 milionë tonë mineral, shtrirë në pjesën më të madhe në zonën veriore të vendit, por rezerva ka edhe në Korçë dhe zonat e Elbasanit.

Një pjesë e kësaj industrie është dhënë tashmë me koncesion, ku kryesori është ai i kompanisë turke “Ber Alb”, që shfrytëzon minierën e Munellës dhe atë të Lak Roshit në rajonin e Pukës, duke e pasuruar mineralin në Fabrikën e Fushë Arrëzit.

Objektivi i ministrisë është nxitja e industrisë përpunuese të bakrit, e në listë për t’u dhënë me koncesion janë një sërë objektesh, përfshirë ish-Uzinën e Telave në Shkodër dhe Uzinën e Rafinimit të Bakrit në Rubik.

Për të rritur interesin është menduar që të ketë skema me lehtësira fiskale për investimet që mund të përfshihen në zonat teknologjike.

Përparësi do të kenë subjektet që marrin përsipër të zhvillojnë të plotë ciklin e përpunimit, nga miniera deri në produktin përfundimtar, bakër elektrolik dhe tela e kabllo.

Pasurimi duhet të sigurojë shkallë të lartë rikuperimi të bakrit mbi 85% dhe të elementëve të tjerë si ari e argjendi.

2 komente në “Industria e bakrit, ftesë për investime. Rezerva, 17.5 mln tonë”

  1. perkthyesi says:

    Baker ne zonat e Elbasanit? Cfare nuk po lexojme! Jini serioze ju lutem!

    1. X man says:

      Për çfarë u ndërtua metalurgjiku në Elbasan?! Elbasani ka sasitë më të mëdha të elementëve Fe dhe Cu në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje