Alarmi i forcës së punës, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar në rënie të shpejtë

23 Gusht 2017, 11:52Ekonomia TEMA

Numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjecar gjatë vitit të kaluar shënoi rënien vjetore më të madhe që nga viti 1991, duke dhënë sinjale alarmi se forca e re e punës në Shqipëri do të vihet në vështirësi në dekadën në vijim.

Sipas të dhënave të INSTAT vitin e kaluar numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjecar në vitin 2015-2016 ra me 5.4 për qind në raport me vitin 2014-2015, rënia më e fortë në 26 vitet e fundit.

Në të gjithë vendin arsimi 9-vjecar u ndoq nga  më shumë se 343 mijë nxënës në 2016, nga më shumë se 363 mijë nxënës që ishin në vitin në 2015.

Sipas të dhënave të INSTAT popullsia në grupmoshën pesë deri në 14 vjeç në vitin 2016 ishte mbi 363 mijë persona.

Rënia e numrit të popullsisë në moshë të re, po lidhet me dy shkaqe kryesorë, rënia e numrit të lindjeve dhe emigracioni.

Treguesit demografik të vendit po përkeqësohen nga këto shkaqe. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e parë 2017 pasqyron një rënie me 33,6%, në krahasim me tremujorin e parë 2016.

Në tremujorin e parë 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 639 numrin e vdekjeve.

Në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Lezhë dhe Fier, shtesa natyrore është pozitive.

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje