Media serbe: Daut Haradinajn e pret arrestimi, Ramushi dhe Thaçi, dëshmitarë

23 Gusht 2017, 16:50Rajoni TEMA

Gjykata Speciale e Kosovës për krime lufte definitivisht do të fillojë të funksionojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

I akuzuari i parë ka të ngjarë të jetë Daut Haradinaj. Sipas të përditshmes serbe “Blic” vëllau i tij, Ramushi, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të jenë vetëm dëshmitarë në gjyqe, transmeton Klan Kosova.

Në shkrimin e titulluar “Daut Haradinajn e pret arrestimi, Ramushi dhe Thaçi, dëshmitarë”, kjo gazetë duke iu referuar diplomatëve të pa identifikuar nga Kosova, thekson se gjithçka është gati për aktakuzat e para dhe arrestimet.

Diplomatët e huaj në të cilët thirret “Blic” thonë se “ndjekjet penale për vrasje, rrëmbim, dëbim të popullsisë do të çojnë në stolin e gjykatës rreth njëqind shqiptarë etnikë”.

“Krahu i policisë dhe ushtarak, ushtarë, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në një krim apo urdhëruesit, sipas vlerësimeve rreth njëqind sish do të ndiqen penalisht, të jenë të dyshuar ose do të thirren nga gjykata si dëshmitar”, tha i njëjti burim, duke shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte rreth 15,000 anëtarë dhe se para saj do të sillen një numër i madh i komandantëve të UÇK-së.

“Nuk është çudi që Ramush Haradinaj do të ftohet vetëm si një dëshmitar, sepse ai është ndjekur penalisht në Hagë, por vëllai i tij Dauti do të jetë në mesin e atyre që do të ndiqet penalist”. Për Hashim Thaçin ky burim ka potencuar se ai dhe Kadri Veseli, i cili është sërish kandidat për Kryetar të Kuvendit të Kosovës”, ndoshta do të thirren vetëm si dëshmitar për luftën në Kosovë”.

Sipas gazetës, arrestimi i shqiptarëve do të bëhet nga njësia e specializuar e EULEX-it në mbështetje të Policisë së Kosovës, dhe në përbëheje të kësaj njësie do të jenë polakët dhe operacionet kryesore do të realizohen nga ta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje