Shteti përgjithmonë në krizë

Nga Artur Ajazi

Ajo që çdo njëri nga ne konstaton dukshëm në jetën e përditshme, është veç të tjerave edhe fakti tronditës që na cfilit, dhe na ka bërë mosbesues, pasi shteti duket sikur ndodhet në një krizë të thellë të përjetshme. Kjo duket dhe preket nga ne që jetojmë përgjatë gjithë vitit këtu, për emigrantin kur shkel sapo zbret nga avioni apo trageti, apo edhe për ata që vijnë përmes doganave tona të përfolura me rrugë tokësore.

Shqipëria ka kohë (mbi 27 vjet) që ndodhet në krizë të thellë institucionale, politike dhe shoqërore, një krizë e cila ka sjellë çdo ditë probleme serioze të kthyera në makth për jetën tonë. Kriza ka përfshirë individin dhe shtetin, në krizë gjendet e tashmja dhe e ardhmja jonë e përbashkët. Asnjë strukturë e shtetit nuk ka mbetur jashtë kësaj krize e cila ka shtrirje shumëdimensionale, ekonomike, politike, institucionale, morale, kulturore, identitare, fetare shoqërore etj. Në krizë ndodhet gjyqsori, legjislativi, media, familja, arsimi , shëndetsia, shoqëria civile duke u futur në një rreth vicioz zinxhir që mund të paralizojnë shtetin.

Shqiptarëve shteti u mungon sot në rrugë, në sportele, në institucione, në vendin e punës, në familjet e tyre, jashtë kufijve gjeografikë. Reputacioni dhe kredibiliteti i institucioneve të shtetit ka kohë që është vënë në pikëpyetje. Shteti shqiptarëve ka lindur para 100 e ca vitesh, ka vazhduar me kongrese , kryengritje, më tej me Ahmet Zogun, i cili pas largimit nga Shqipëria erdhi sërish me një forcë ushtarake jugosllave për të shijuar ambiencjen e tij për të bërë shtetin.

Konferenca e Ambasadorëve i njohu Shqipërisë kufijtë e vitit 1913, dhe ne u bëmë anëtarë të Lidhjes së Kombeve. Shteti i shqiptarëve vazhdoi me Enver Hoxhën, për 45 vjet, pastaj vendi përjetoi ndryshimin e sistemit politik, dhe shteti sërish përjetoi rënie dhe ngritje të shpeshta. Kanë kaluar mbi 100 e ca vjet, por shqiptarët ende edhe sot nuk kanë mësuar asgjë nga historia, ata ende edhe sot nuk dinë, dhe nuk duan ta bëjnë shtetin e tyre. Kriza globale, dhe sidomos kriza ku gjenden sot institucionet e këtij vendi, rrezikojnë paralizimin e shtetit ligjor, dhe po zbeh aspiratën e shumicës së shqiptarëve për të hyrë në Europë. Kjo situatë, ka rrënuar ekonomikisht shumicën e shqiptarëve, dhe ulur kredibilitetin e vendit tonë tek partnerët ndërkombtarë.

Kjo ka shkaktuar tek shqiptarët, humbjen e besimit tek klasa politike, e cila sot është e damkosur si e korruptuar. Kjo klasë politike, e mbërthyer nga injoranca, mungesa e vizionit politik, moral, dhe e zhytur në korrupsion, ka shkatërruar zinxhirin e funksionimit të shtetit. Ka dy dekada që politika shqiptare, po ndrydh dhe shkatërron ëndërrat e shqiptarëve, dhe me paturpësi, me dogma dhe fjalime demagogjike, mundohet të mbijetojë. Çdo njeri nga ne, ka sot nevojë më shumë se kurrë për shtetin, për ndihmën e tij, për tu ndjerë mirë në vendin e punës, në sigurinë e jetës, në të ardhmen e fëmijëve, për të besuar dhe jetuar më mirë.

Ka mbi 27 vjet, që shqiptarët kanë patur rastin të provojnë politikanë, liderë, kryetarë partish e kryetarë shteti, kryeministra dhe ministra, deputetë e kryetarë bashkish, qeveritarë dhe opozitarë, të cilët u kanë shkaktuar zhgënjime të mëdha. Për afro 45 vjet, ne të mësuar me “partinë – shtet” dhe dhe liderin e përjetshëm, me ndërgjegje lejuam dhe krijuam modelin e një klase politike arrogante, fuqiplotë, të pakontrollueshme në metodat për të marrë e për të mbajtur pushtet me çdo çmim, e duke mos bërë kurrë shtet.

Një parti politike, që nuk është demokratike brenda saj, nuk është e aftë për qytetarët e saj, dhe për të bërë shtetin. Fakti është se, shtetin nuk mund ta bëjnë ata që krijuan partinë-shtet, e duke krijuar një piramidë mendimi e veprimi, pa asnjë parim, aspirat, e moral. Në Shqipëri, politika ka mbi dy dekada që sillet keq, pa vizion, pa ide, por duke sunduar gjoja “në emër të qytetarëve” e duke mos bërë kurrë shtet. Shoqëria shqiptare duhet të gjejë forcë e aftësi të dalë mbi amullinë e tranzicionit dhe të shohë përpara, të flakë modelet e dështuara, dhe të krijojë qasje drejt atyre që premtojnë një politikë europeiste, për të ngritur dhe forcuar shtetin e munguar.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *