Ilva Tare në një rrëfim për vajzën, Eduardin dhe bebin që po vjen

25 Gusht 2017, 13:21Lifestyle TEMA

Të kthesh kokën pas, sidomos në ditët më të dashura të një njeriu është gjithmonë bukur. Veçanërisht stina e verës, që është e lidhur ngushtë me pushimet, të sjell ndër mend udhëtimet, qytetet dhe rrugët që ke prekur, kulturat që ke njohur, njerëzit që ke takuar, ushqimet që ke degustuar… Të mbledhësh të gjitha këto në një intervistë është një luks për një njeri si personazhi ynë, Ilva Tare!

Aq më tepër në një kohë shumë impenjative, kur ke mbyllur një sezon të gjatë e sfidues televiziv, kur Melody, vogëlushja 2-vjeçare e çiftit Ilva Tare dhe Eduard Selami kërkon vëmendjen maksimale, kur vëllaçkoja i saj pret të vijë në jetë dhe kur mamit i duhet kohë relaksi… Megjithatë, Ilva Tare, një nga figurat më të rëndësishme të medias së dy dekadave të fundit, kur merr përsipër diçka e bën me mjaft seriozitet! Madje, gjen kohën të eksplorojë edhe në arkivat e saj fotografike, për të na sjellë copëza nga vendet dhe ngjarjet që e kanë shoqëruar jetën e saj. BORDO ju fton në këtë bisedë ndryshe me Ilvën dhe jetën e saj të relaksit!

Ilva, kur mbyllet një sezon televiziv çfarë ndjesie keni? Keqardhje? Kënaqësi? Bëni analizë për të?

Bilanci dhe analiza nuk është gjëja e parë që të kalon ndërmend, ndoshta edhe për faktin se sado pozitiv të ketë qenë sezoni unë jam shumë kërkuese dhe kritike me veten në radhë të parë dhe stafin e emisionit. Më së shumti ndjehet një dëshirë për t’u shkëputur edhe pse për pak ditë nga presioni i vazhdueshëm për të gjetur tema dhe të ftuar që garantojnë konkurueshmërinë e emisionit Tonight Ilva Tare në treg.

Ka qenë një vit ndryshe ky për “Tonight” apo vijim i traditës së tij?

Për shkak të zgjedhjeve politike, emisioni ka pasur më shumë debate dhe intervista që kanë kulmuar me audience të lartë dhe me ndikim në opinionin publik. Por edhe tradita e përzgjedhjes së temave që reflektojnë shqetësimet e qytetarëve dhe hapjes së studios për personalitete të shoqërisë civile që kanë zë të spikatur ka qenë një garanci për ruajtjen e një ekuilibri që e identifikon emisionin dhe filozofinë që jemi përpjekur të përçojmë. Sigurisht, pika e fortë e këtij sezoni televiziv në RTV Ora Neës ishin sondazhet që falë investimit të Presidentit Ndroqi përmes IPR Marketing të Antonio Notos mundësoi institucionalizimin e besueshmërisë dhe vërtetësisë së sondazheve dhe Exit Poll vetëm në Ora News.

Si drejtore informacioni e Ora News drejtuat Sondazhin e zgjedhjeve, një sukses i këtij ekrani. Ju vetë çfarë kënaqësie morët?

Suksesi i Ora Neës gjatë fushatës dhe në transmetimet maratonë të zgjedhjeve ishte një kënaqësi e dyfishtë, por për këtë kanë meritë nga drejtuesit, reporterët, operatorët, teknikët , cilido u përkushtua me orë të zgjatura dhe profesionalizëm për një transmetim të jashtëzakonshëm, që siguroi vëmendjen dhe besimin e mbarë publikut shqiptar. Ndaj, në një farë mënyre, edhe kënaqësia e marrë nga urimet dhe dashamirësve brenda dhe jashtë vendit, kthehet në një detyrim të shtuar për më shumë punë dhe standarde të larta profesionale.

Më në fund pushime! Do ndërprisni do lidhje me lajmin, apo lajmi nuk shkëputet nga ju?

Pushimet këtë vit janë të prenotuara nga Melody, pasi angazhimet e punës i kanë hyrë në hak kohës që duhet të kaloja me të. Kështu që nuk ka planifikime për udhëtime të largëta, do të qëndroj afër Tiranës me familjen. Me lajmet dhe temat e aktualitetit do ta kem të vështirë të shkëputem sepse Shtatori vjen shpejt dhe sezoni i ri do të shënojë një fillim surprizues në ekranin e Ora Neës për të gjithë.

Dhe meqë jemi në prag pushimesh, tani e në vijim intervista jonë do të fokusohet pikërisht në këtë linjë. I keni bërë planet për këtë verë? Ku do shkoni?

Këtë vit edhe për shkak të pritjes së fëmijës së dytë do të kem pushime pasive në kërkim të shplodhjes dhe rekuperimit të orëve të gjumit.
Kur kanë qenë pushimet e para që keni bërë? Keni qenë me familjen?

Nuk më kujtohet mosha e saktë kur kam shkuar për here të parë me pushime, por e sigurt që do kem qenë me familjen.
Çfarë veçon nga fëmijëria? Gjëja më e bukur që keni bërë?

Më kujtohen dhe madje më merr malli shpesh udhëtimet në fshatin e lindjes së tim eti në Valë, të Skraparit, si dhe udhëtimet në vendlindjen e gjyshit nga ime më në Rec, të Peshkopisë. Edhe rëra e bardhë dhe masive e Divjakës më ndërmendet shpesh dhe jo pa nostalgji.
Në çfarë moshe e keni mësuar notin dhe kush jua ka mësuar?

Not profesionistësh nuk di ende, por ka gjithmonë kohë për të mësuar. Por not modest diku në vogëli do kem mësuar dhe në ato nivele e kam lënë (qesh).

Po pushimet e para si vajzë e pavarur, me shoqërinë kur i keni bërë?

Po më vini në sprovë kujtesën që nuk është një nga pikat e mia më të forta. Nuk më kujtohet viti apo vendi i saktë, por ka shumë mundësi të ketë qenë udhëtim pune në Romë në 1997 kur punoja në TVSH për Konferencën e Donatorëve të mbledhur posaçërisht për Shqipërinë e pas luftës civile që shoqëroi rënien e piramidave.

E keni ndërruar vendin e pushimeve? Në të njëjtin vend keni shkuar gjithmonë?

Preferoj të udhëtoj dhe eksploroj gjithmonë vende dhe kontinente të reja.

Cilat janë pushimet më të bukura që keni kaluar?

Janë disa. Do veçoja udhëtimin në Amerikën Latine, në Izrael, Kaliforni me Napa Valley, por edhe Toscana dhe Jugu i Italisë janë vende që rikthehem me dëshirë.

Keni udhëtuar mjaft, po çfarë ju lë më shumë mbresë? Çfarë veçoni prej tyre?

Nga udhëtimet më tërheqin më së shumti kulturat e ndryshme, tradita e ushqimit, mënyrën si janë ringritur shoqëri të shkatërruara ose të varfra, forca e shoqërive për të ndërtuar mirëqenie edhe aty ku natyra nuk ka qenë bujare.

Pëlqeni malin më shumë apo detin?

Kur janë të kombinuar të dy bashkë është edhe më bukur. Me investimet dhe resortet e ditëve të sotme edhe në mal ke pishinë dhe në det ke gjelbërim. Preferenca për pushime siç ju thashë nuk lidhet vetëm me natyrën por edhe zbulimin e kulturave të reja, sa më të ndryshme aq edhe më interesante për t’u eksploruar.
Bikini apo trupore?

Të dyja, sidomos gjatë shtatzanisë së dytë.

Çfarë aktivitetesh sportive bëni tjetër në verë përveç notit?

Ecja është aktiviteti më i shpeshtë sportiv dhe me të shpeshtë nënkuptoj sa herë gjej pak kohë kryesisht në fundjavë. E kuptoj që nuk ka asgjë për t’u mburrur, por kjo është e vërteta.

Rrini shumë në diell? E doni diellin? Si është një ditë plazhi e juaja? Çfarë ritmi ka? Itinerari i saj?

Dielli më pëlqen por jo ekspozimi me orë të gjata. Plazh si dikur në fëmijëri me oraret e mëngjesit dhe të pasdites thuaje fikse nuk bëj më. Për këtë më ndihmon dhe e vogla e shtëpisë që ka orare të ndryshme nga ne të rriturit dhe përshtatja me të bën që dita të kalojë më shumë në hije dhe në argëtim sesa ekspozim ndaj diellit.

Pushimet e para me zotin Selami, kur kanë qenë dhe ku? Çfarë kujton prej tyre?

Pushimet e para kanë qenë në Itali e më pas SHBA. Kujtoj mijëra kilometrat që kemi përshkuar me makinë nga shteti në shtet në kontinetin amerikan.

Cili është vendi të cilit i riktheheni më shpesh për pushime?

Italia në çdo kohë dhe në çdo vend.

Pushimet e para me Melody-në ku kanë qenë?

Në jug të vendit, në detin Jon.

Çfarë reagimi ka ajo ndaj ujit e pëlqen?

E ka pëlqyer menjëherë ujin, aq sa kemi vështirësi ta nxjerrim prej andej.

Intervista është botuar në Revistën BORDO, edicioni Gusht-Shtator 2017.

 

Lini një Përgjigje