DETAJET/ Armët me postë në Rinas, dërguesi në Durrës me identitet të rremë. Dyshime për trafik ndërkombëtar

26 Gusht 2017, 15:32Kronika TEMA

Prokuroria e kryeqytetit shpalli moskopetencën dhe dërgoi për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen e pjesëve të armëve të zbuluara gjatë një kontrolli rutinë në aeroportin e Rinasit.

Dyshimet  kryesore janë ato të prezencës së një grupi kriminal që po përdor një mënyrë të re për trafikun ndërkombëtar të armëve.

Siç tregojnë hetimet e deritanishme, dërguesi i pjesëve të armëve, të ndara në pako ka shënuar emër të rremë në postën e shpejtë ndërkombëtare.

Për këtë arsye, identifikimi i tij nuk është kryer ende, ndërkohë që prokurorët dhe departamenti i antiterrorit i kanë përcjellë një shkresë kompanisë për të sekuestruar kamerat e sigurisë.

Prej tyre hetuesit shpresojnë të nxjerrin pamjet filmike në çastin kur personi në fjalë dorëzon pakot me armatim.

“Ne presim”, tha një burim, “të kryhet ekspertiza e pjesëve të armëve, për të përcaktuar në mënyrë shkencore llojin e armës që do t’i bashkëngjiteshin. Megjithatë paraprakisht vlerësohet se  disa prej tyre janë pjesë kallashnikovi”.

Këto pjesë u zbuluan përgjatë masave të forta antiterrorizëm që po aplikohen edhe në pikat e kalimit kufitar. Punonjësit e kompanisë “ICTS” në Rinas gjatë skanimit konstatuan pjesët e armëve luftarake.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se dorëzimi i pakove të dyshimta është kryer në Durrës, ndërsa më pas do të përdorej si tranziti Rinas-Greqi-Britani e Madhe.

Prokuroria e Tiranës ka patur më herët edhe dy raste të tilla të zbuluara gjatë skanimit. Në përfundim të hetimeve u konstatua se dërguesit kishin postuar armë trofe si dhuratë ndaj të afërmve të tyre.(tch)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje