Nis ndërtimi i pistës së vrapimit e biçikletave në Tiranë, Veliaj: Premtim i mbajtur. Kush ka ndërtuar pa leje nuk do tolerohet

Të gjithë ata që preferojnë ecjen dhe vrapin në natyrë, si dhe të apasionuarit pas biçikletave, do të kenë shumë shpejt në dispozicion dy pista të mirëfillta për aktivitetet e tyre. Bashkia e Tiranës ka nisur një nga projektet më të rëndësishme për rigjallërimin e Parkut të Liqenit; pra, ndërtimin e një piste vrapimi dhe ecje përgjatë gjithë liqenit dhe një pistë të posaçme për çiklistët që preferojnë pedalimin në natyrë dhe freskinë e liqenit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në këto dy pista, ndërsa u shpreh se po bën realitet një premtim të dhënë më parë. “Sot jam shumë i kënaqur dy herë: një herë si kryetar i bashkisë për një investim fantastik në kurorën e Liqenit, dhe një herë si vrapues që po përgatitet për “Maratonën e Tiranës”. Më në fund po mbajmë premtimin tonë për ta kompletuar komplet pistën e vrapimit të Liqenit të Tiranës. Pista e re fillon nga Kopshti Zoologjik, aty ku mbaron diga, dhe deri në kufi me Pallatin e Brigadave, që e kompleton në të dyja anët”, tha ai. Veliaj theksoi se nëpërmjet projektit të pistës së vrapimit bëhet e mundur krijimi i një itinerari të pandërprerë për këmbësorë përqark liqenit artificial të Tiranës, duke përmirësuar dukshëm aksesin në pjesën çlodhëse dhe rekreative.

Kryebashkiaku theksoi se projekti merr një rëndësi të veçantë për faktin se për herë të parë në park parashikohet edhe një korsi e dedikuar për biçikletat, e cila do të ndërtohet në pjesën më pak të populluar të liqenit. “Kemi pasur ankesa nga admiruesit e çiklizmit prej faktit se formalisht e kemi ndaluar përdorimin e biçikletës te liqeni prej fluksit të madh të qytetarëve. Kësaj here do të kemi një korsi të dedikuar edhe për çiklistët, që kushdo që të vijë, qoftë për të ndenjur apo pushuar, qoftë për të vrapuar apo për të përdorur biçikletën, të ketë hapësirën e tij në Parkun e Liqenit, i cili sot numëron 300 mijë vizitorë unik çdo vit”, u shpreh Veliaj. Kreu i bashkisë bëri të ditur se investimi i Bashkisë së Tiranës për krijimin e këtyre dy pistave do të shoqërohet edhe me vijimin e punës për pastrimin e parkut nga të gjitha ndërtimet pa leje, ndërsa kërkoi nga qytetarët e tjerë që të tregohen bashkëpunues dhe të krijojnë mundësinë që ky investim të realizohet sipas të gjitha standardeve.

“Do të vazhdojmë edhe me Parkun e Farkës dhe atë të Kasharit, por duam që të paktën të përfundojmë njërin nga parqet. Pra, të përfundojmë gjithë pistën, të pastrojmë të gjitha ndërtimet pa leje, që do të thotë që të hiqen gardhet e asaj zone që deri dje ka qenë e komunës së Farkës dhe ku zaptimi, tafmaja dhe babëzia ka qenë e përmasave spektakolare. Tani ka ardhur një moment për t’i dhënë një sinjal këtyre qytetarëve të kthehen tek prona e tyre. Nëse do të ketë nevojë për shpronësime jemi të gatshëm t’i bëjmë, ama secili duhet të kuptojë që nuk mundet që prej babëzisë personale të prishë pasurinë e përbashkët”, tha Veliaj. Ai theksoi se kush ka bërë një shkelje të tillë të marrë masat dhe ta prishë vetë ndërtimin pa leje, pasi në të kundërt do të procedohet edhe penalisht.

Nëpërmjet këtij projekti synohet krijimi i një itinerari për këmbësorë të pandërprerë përqark Liqenit Artificial të Tiranës. Kjo bëhet e mundur me anë të vazhdimit të projektit ekzistues të zbatuar nga Diga e Liqenit deri te “Shkolla Ëilson” në një segment të ri prej 2250 ml. Pista tjetër përmban krijimin e një linje biçikletash me dy korsi kalimi, të pavarur nga pjesa e shëtitores. Itinerari i biçikletave është shtrirë në zona më pak të populluara të liqenit, pikërisht për t’i bërë të aksesueshme edhe këto zona. Gjerësia e këtij itinerari do të jetë 2 m dhe 5600 ml i gjatë duke krijuar një qark të mbyllur.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Nis ndërtimi i pistës së vrapimit e biçikletave në Tiranë, Veliaj: Premtim i mbajtur. Kush ka ndërtuar pa leje nuk do tolerohet”

  1. Dn says:

    vrapimi ne qytetin ma te ndotur te balkanit eshte shume i rezikshme per shendetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *