Një lexim socialist i qeverisë “Rama 2”

28 Gusht 2017, 09:56Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Meqenëse pjesa dërrmuese e komenteve, – rreth përbërjes së kabinetit të ri qeveritar të kryeministrit Edi Rama, – kanë ardhur nga kampi opozitar, qoftë politik apo opinionbërës, do të mundohem të bëj një lexim nga brenda. Jo lexim politik, nga pozitat personale brenda PS-së, por në formën e një ushtrimi të thjesht publicistik. Analizë që do ta bëja si gazetar, edhe nëse nuk do të isha pjesë aktive e strukturave politike të kësaj partie. Kjo besoj është e nevojshme të thuhet, për aq kohë sa leximet që vijnë në përgjithësi nga opozitat në vendet me demokraci si e sotmja në Shqipëri, e shohin këtë proces thjesht dhe vetëm me syze të zeza. E, nga ana tjetër, leximi nga mediat pranë saj, ose në opozitë me qeverinë në rastin më të mirë, e kanë parë, deri tani, thjeshtë bardh e zi.

Përveçse një kabinet qeveritar më ekonomik, me një numër më të vogël ministrish, ku kemi përfaqësim gjinor të barabartë, 50% femra dhe 50% meshkuj, të cilat i tha edhe vetë kryeministri në fjalën e tij përpara Asamblesë së zgjeruar kombëtare të Partisë Socialiste, kemi edhe këto veçori të tjera, nga ana statistikore:

– Nga 15 vetë që është përbërja e kabinetit të ri qeveritar (përfshi edhe kryeministrin Rama), 12 prej tyre kanë qenë pjesë e qeverive të shkuara, në poste të ndryshme të larta qeveritare. Prurjet më të reja, në mënyrë absolute, ose që provohen për herë të parë në karrierën e tyre në poste ministrore, janë tre emra: Senida Mesi, propozuar për zv./kryeministre. Ajo fitoi, për herë të parë, edhe një mandat deputeti, si pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës, në zgjedhjet e 25 qershorit. Etilda Gjonaj e cila pritet të jetë ministrja e re e Drejtësisë, do të mbajë barrën e implementimit të reformës në drejtësi, cilësuar si kryereforma e qeverisë “Rama 1”. Ajo ka mbajtur deri dje, detyrën e zv./ministres në këtë dikaster dhe ka qenë e propozuar më parë, nga Grupi Parlamentar i PS-së për pozicionin e Komisioneres Kombëtare Antidiskriminim. Sonila Qato që do të mbajë pozicionin e ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ka qenë e angazhuar më parë në PS dhe ka mbajtur pozicionin e Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, gjatë katër viteve të shkuara.

-Kabineti i ri qeveritar është një ndërthurje e tre brezave politikë të periudhës së postkomunizmit në Shqipëri. Në këtë kategori do të përfshijmë edhe emrat e konfirmuar tashmë nga PS-ja për kreun e ri të Kuvendit dhe grupit të saj parlamentar. Pra, të gjithë të propozuarit e djeshëm të kryeministrit, në pozicionet kryesore të drejtimit të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ.

1.- Brezi që e kanë filluar karrierën politike dhe parlamentare, përpara se Edi Rama të bëhej kryetar i PS-së në vitin 2005, pas dorëheqjes së Fatos Nanos. Ata janë: Gramoz Ruçi, –  propozuar për Kryetar i Parlamentit. Pandeli Majko, – propozuar për portofolin e Ministrit të Shtetit për Diasporën. Fatmir Xhafaj, – propozuar në postin e Ministrit të Brendshëm. Taulant Balla, – propozuar në detyrën e kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist. Blendi Klosi, – propozuar në pozicionin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit.

2.- Brezi i ministrave që e filluan karrierën politike parlamentare, pasi Edi Rama u zgjodh kryetar dhe PS-ja ishte në opozitë. Ata janë: Arben Ahmetaj, i propozuar si ministri i ri i Financave, Ekonomisë dhe Punës, zgjedhur për herë të parë si deputet në vitin 2009. Ditmir Bushati, i rikonfirmuar në pozicionin e ministrit të Jashtëm, i zgjedhur, për herë të parë, deputet në vitin 2009. Lindita Nikolla, e rikonfirmuar në pozicionin e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, është zgjedhur, për herë të parë, deputete në vitin 2009. Damian Gjiknuri, i propozuar në pozicionin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, i zgjedhur, për herë të parë, deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë, në zgjedhjet e vitit 2009. Niko Peleshi, në postin e ri të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i zgjedhur, për herë të parë, si kryetar i Bashkisë së Korçës në vitin 2007 dhe 2011, dhe pasi mbajti detyrën e zv./ kryeministrit (2013-2017), bëhet, për herë të parë, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

3.- Brezi i ministrave që e kanë nisur karrierën politike pas vitit 2013 kur PS-ja u rikthye në pushtet. Në këtë listë, përveç tri prurjeve që provohen për herë të parë në pozicionin e ministres (shih më lart), bëjnë pjesë edhe dy emra të tjerë: Mirela Kumbaro e cila është rikonfirmuar si ministre e Kulturës, duke qenë tashmë, për herë të parë, edhe pjesë e listës së deputetëve të PS-së, e qarkut të Gjirokastrës. Ogerta Manastirliu, e ripropozuar në pozicionin e ministres së Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, e cila është, gjithashtu për herë të parë, edhe deputete e listës së qarkut të Tiranës.

Ky harmonizim brezash, përvojash, profilesh, kontributesh dhe eksperiencash politike të ndryshme, përgjatë këtyre 27 viteve, është tregues i një pune të studiuar e menduar mirë, për të mbajtur ekuilibrat e brendshëm dhe për të krijuar një ekip përfaqësues për të gjithë brezat e votuesve, përkrahësve dhe mbështetësve të së majtës në përgjithësi dhe PS-së në veçanti. Nga ana tjetër, kjo përbërje ka patur parasysh me sa duket edhe aspektin gjeografik, fetar të përfaqësimit, si në qeveri ashtu dhe në Parlament.

Me propozimet e djeshme, Edi Rama po kristalizon profilin tradicional të një kryetari partie dhe kryeministri atipik, i cili di të habisë me përzgjedhjet dhe promovimin e figurave të reja politike, duke i besuar poste dhe funksione të cilat, më pas, shndërrohen në një bast i fortë i tij në raport me publikun dhe zgjedhësit. Bast të cilin ai, shpeshherë, e ka fituar, duke e bërë PS-në një parti gjithnjë e më të pasur me figura, profile të reja dhe të ndryshme politike, të cilat kanë dhënë kontribute të rëndësishme dhe kanë mbajtur pesha të rënda në momente të ndryshme sfidash dhe reformash që ka ndërmarrë mazhoranca.

Puna, veprimtaria dhe drejtimi i komisioneve në Kuvendin e Shqipërisë është një nga aspektet më të rëndësishme të PS-së, prej nga do të varen jo vetëm fatet e ligjeve të reja, por edhe cilësia e reformave dhe e përfaqësimit të saj ndërkombëtar, nëpërmjet diplomacisë parlamentare. Debati politik në Parlament, kontakti me zgjedhësit dhe qytetarët, është një tjetër dimension i rëndësishëm, prej nga do të varet jo vetëm realizimi i programit dhe premtimeve elektorale, por edhe rezultati i zgjedhjeve të reja lokale të 2019-s.

Ajo që nuk duhet harruar në këtë lexim, është fakti se PS-ja ndryshe nga PD-ja, po aq të rëndësishme sa qeverinë dhe jetën parlamentare, konsideron mbarëvajtjen, organizimin dhe punën e strukturave të partisë nga qendra në bazë. Është një traditë jo e mirë ajo e partive politike shqiptare që, kur janë në qeverisje, harrojnë partinë dhe kur janë në opozitë, harrojnë të përgatiten për qeverisjen. Ndaj, jo më kot, bashkë me zgjedhjen e ekipit të ri qeveritar dhe të drejtimit të jetës së saj parlamentare, PS-ja filloi edhe fushatën për zgjedhjet e reja në Organizatat Socialiste dhe në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative, si dy prej hallkave kryesore bazë të saj.

Nëse do të lexoje të gjitha reagimet e opozitës, drejtuesve të partive të tyre dhe çdo opozitari tjetër, rreth përbërjes së qeverisë së re, “Rama 2”, ndjen menjëherë shijen e papërballueshme të helmit dhe acidit të parafabrikuar që më parë. Shenjë e sigurt se, nga fronti opozitar, nuk është se kemi për të patur ndonjë qasje dhe kulturë të re politike në komunikimin me qeverinë e re, mazhorancën e re dhe me qytetarët në katër vitet e ardhshme.

Sa i takon tezës së hedhur nga pjesa e majtë e opozitës së re, në lidhje me mungesën e një ministrie Integrimi, e gjitha duket një alarm i kotë, për aq kohë sa ajo është një prej prioriteteve kyçe të programit të ri qeveritar dhe i kryeministrit. Shenjë e sigurt se vlerësim më të madh, kjo çështje as nuk ka patur, e as nuk mund të ketë, sepse duket që do të përfaqësohet direkt nga Edi Rama dhe i gjithë kabineti i tij. Integrimi pas kësaj, nuk do të jetë gjë tjetër, veçse produkti final në aspektin e jashtëm, për gjithçka që kabineti “Rama 2”, do të arrijë në aspektin e brendshëm. Thënë ndryshe, integrimi është maja e vektorit rezultant i të gjitha arritjeve të Shqipërisë. Gongu ra. Loja ka filluar. The show must go on!/ Ky artikull është shkruar posaçërisht për “AFP”

7 komente në “Një lexim socialist i qeverisë “Rama 2””

  1. Aldo says:

    Shuem shume e drejte. Si gjithmone shume i qarte dhe i sakte ?

  2. Eglantina says:

    Rama perdite e me shume po nxjerr figura te reja dhe po i mbeshtet ato ne menyre qe te qeveria e tij te jete me nje fytyre te re, por me elementet e vjeter qe i ruajne ato cilesite qe i duhet per nje memorie te qeverise socialiste.

  3. Koloneli says:

    Prape u ngjalle mo oficer Peza. snuk u mesove te heqesh dore nga servilizmat o i rituri e i selituri i Peqinit. Meru o njeri me hallin e madh qe te ka zene, mendo si do ti justifikosh ato katranparate dhe mos shpreso se duke ju servilosur ed rames e PS do tja hedhesh, ske me tani ata kodosha prokuror e gjykates qe te qendronin gatitu por prokuroret e SPAKUT. Oficer Peya ed rama ta dha njehere doren te ngriti atje ku nuk e meritoje mos kujto se do ta shkoj jeten vetem me ty. haroje zoti Oficer Peza. Te therras Oficer se sado te vetequhesh gazetar Oficer do te mbetesh, servil me komandantet e medhenj dhe trim i madh shume me ata qe ke poshte grades tende.

  4. Devolliu says:

    Kesaj i thone te hash turpin me buke. Hajni flet per moral.

  5. lili says:

    Qeveria rama 2 tregon vetem nje gje:qe Rama ka ditur te lexpje mire rézultatet e zgedhjeve te kaluara ! Ka kuptuar se nuk do fitoje poena jashte partise socialiste , nuk ka perkrahjen e popullit jashte partise socialiste,pra zgedhja e kabinetit Rama 2 eshte zgedhje nga Zorri:bile keta ti kem me veti,se te tjeret nuk i kam…
    Prandaj behet nje zgedhje e shemtuar ne simboliken e saj, si zgedja e Gramoz Rucit,sado i afte te jete per socialistet ,ai eshte i papranueshme per nje shumices shqiptare per vrasjet ne kufi kur ishte ministri i mbrendshme.
    Idem per Bushatin:cfare shpegimi mundet te japim per kete zgedhje kur kryeministri anatemoj ambasadoret e diplomacine shqiptare me Bushatin ne krye, e prape e le n’ate pozite,pos disa tendera me Francen…
    etj etj
    Nje zgedhje qe ne fakt tregon deshtimin e tij per me pasur nje qeveri ma gjitheperfshirse…
    Fitore e Pyrrhusit.

  6. a says:

    Bravo Fredi. Qente le te lehin, karvani te shkoje para.

  7. Genci says:

    Peza nuk me ka pelqyer si gazetar realist, por ne kete artikull ka pasqyruar shume mire politiken e ndjekur nga Rama, i cili ka menduar nje perfaqesim te plote te PS ne qeveri (me aq sa mundesh ne nje qeveri te nje vendi te vogel). Bravo!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje