Letër e dytë publike kryeministrit Edi Rama, nga kritiku i tij

5 Shtator 2017, 12:13Blog TEMA

Nga Artan Fuga

Zoti kryeministër,

jam përsëri unë kritiku Juaj që po Ju shkruaj!

Sa herë që ka një debat thelbësor, është rregull i ndërtimit të opinionit publik që sapo sqarohet një pozicion, turbullira vazhdon në drejtime të tjera. Deri në zgjidhjen e problemit! Duke e njohur thellë këtë qenie të gjallë që është opinioni publik, nuk më bën përshtypje, përkundrazi e pres me haré vazhdimin e debatit!

Unë personalisht ende nuk i kam shpalosur në publik atë që imagjinoj sesi duhet të jetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Kam dashur t’u jap rradhë gjërave në publik, ndonëse e kam paraqitur para dy vjetësh idenë time, gjerësisht para këshillit Ekzekutiv të Akademisë, Ministres të Arësimit, dhe jam censuruar atje!

Por, në publik, për etikë deritani jam përmbajtur të shpalos idetë e mia. Do i vijë koha. Më është dukur e rëndësishme që fillimisht të tregoj se Akademia e Shkencave është e kalbur, për faj e përgjegjësi të kryesisë të saj, që dje mori ri-ri-ciklimin nën vështrimin kritik të mediave, profesorëve, përfaqësuesve të politikës!

Askush nuk i doli dot në mbrojtje Akademisë të Shkencave. Madje as kryetari i rizgjedhur i saj, me të cilin nuk kam asnjë gjë personale, nuk e mbrojti dot dhe për herë të parë, por pa vlerë tani sepse është vonë të jetë i besueshëm, u shpreh se Akademia duhet të reformohet!!!

Kryesia e re – e vjetër- nuk e bën dot këtë sepse sikurse thashë është ajo që e ka kalbëzuar!

Në gjykimin tim, sikurse publiku e di, unë mbetet rrënjësisht kritik i reformës të arësimit të lartë, i ligjit të arësimit të lartë, si edhe i gjendjes të kërkimit shkencor, i mënyrës si administrohet shkenca në institutet e saj.

Paraja publik derdhet lumë a pika-pika si rubinet i bllokuar, produkti shkencor nga ana tjetër as matet dhe as ka impakt real!

Gabimet e rënda të qeverisjes Tuaj të kaluar zoti Edi Rama, në këtë fushë janë dy kryesoret:

1. U Bllokua reformimi i universiteteve dhe agjencive publike të kërkimit shkencor, duke i ngurosur e murosur ato.

2. U ndërtua një model i universitetesh private, i cili, përmblidhet në mungesë efikasiteti në realizimin e kërkimit shkencor dhe në formimin e rinisë universitare kur ai lejohet të orientohet në mënyrë të gabuar sikurse ndodh në rastet flagrante që do të kem rast t’i analizoj më pas.

Pa rishikuar hapur, me sy autokritik, sinqerisht, me transparencë këto dy kancere të dijes dhe edukimit universitar shqiptar, ne si popull do të bëhemi shkencërisht të leshtë, mënçuria kolektive e shqiptarëve do të shkojë keq e më keq dhe ne do të mbetemi sikurse jemi fatkeqësisht kombi më i paditur i Europës.

Të jetë i sigurt opinioni publik që unë kurrë nuk do të ndalem derisa rinia studentore shqiptare, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë shqiptarë të dalin në pista zhvillimi që kanë kombet e përparuara dhe të mos vuajnë parazitizmin e agjencive publike të kalçifikuara, të mos jenë nën thundrrën e disa pronarëve injorantë, kur është fjala, të mos jenë skllevër pa të drejta, që paraja e studentëve dhe e prindërve të tyre të bëhet transparente dhe të mos ushqejë xhepat pa fund të dallkaukëve në privat a në publik !

Do të kisha dashur zoti kryeministër Edi Rama të ishtit shprehur më parë sesa dje në mëngjes, in extremis, në minutat e fundit para farsës të zgjedhjeve në Akademinë që disa e quajnë Mamuth i kalbur, por unë nuk e bëj, ta kishit konsideruar gjerërisht dhe në publik se Akademia e Shkencave kishte nevojë të reformohej dhe se poqese nuk reformohej do të rishikonte alokumin e buxheteve publike ndaj saj!

E dini përse? Sepse kryesia e akademisë deri tani na ka mbajtur nën presion duke na servirur se mosveprimi i saj vinte nga konsultimi me agjenci qeveritare, komisione ministeriale, etj! Kritikat ndaj saj për rrjedhojë Ju preknin edhe Ju!

Do të doja gjithashtu të fliste ministria e arësimit zonja Lindita Nikolla, e cila duhet gjithashtu të ketë pendesën për gjendjen që e la kërkimin shkencor dhe arësimin e lartë në fund të mandatit të saj. Uroj ta nisi mbarë dhe pa ndikime nga teveqela këtë mandat të ri dhe të presi pa frikë urat e influencës që kanë mbi të lobi që e vendosën në konflikt me interesat e rinisë, dijes kombêtare dhe me detyrat e saj.

Por, kjo është në dorën e saj.

Ndërkaq sado kritik jam dhe do të jem kur duhet me politikat në shkencë dhe në arësim (miku im Andi Bushati të mos ketë dyshime për këtë) madje edhe në kulturë e arte, në turizëm dhe teknologji po se po, nuk mund të jem i squllët, dogmatik dhe leshko e të mos deklaroj hapur:

Jam i kënaqur që Ju kreu i ekzekutivit shqiptar deklaruat dje se kërkoni reformimin e Akademisë të Shkencave, se zgjedhjet e djeshme ishin një farsë, se ekzekutivi nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet, do t’i rialokojë fondet që i adresohen asaj në universitete, publike, amà.

Ata që shqetësohen për këtë qendrim Tuajin, mos bëhen qesharakë, e të aludojnë një lidhje të fshehtë Tuajën me mua dhe timen me Ju, sikurse u bënë qesharakë ata që kur thosha se falenderoj dr. Berishën që denoncoi kërcënimet e paradisa ditëve ndaj meje, shihnin te falenderimi im, detyrim etik ndaj Tij, një shkelje syri nga ana ime ndaj zotit Sali Berisha dhe një lidhje time komplotiste me Të! Qesharake si në rastin e parë, si në të dytin.

Po, unë mendoj se nëse Ju zoti Rama nuk ndërprisni fondet që vijnë nga buxheti publik, duke përfhsirë edhe rrogën time, (sa keq më vjen për të!) sipas rregullave normative të një shteti të së drejtës, nëse Akademia vazhdon mban në krye të saj një kryesi fajtore për mosreformimin e saj, një Akademi që nuk jep asnjë produkt të dobishëm për kërkimin shkencor, që pret me gojë hapur ta ushqejë shteti pa i dhënë agjencive publike dhe private produktin e premtuar, duke i ushqyer me rrena ato, vetë Ju zoti kryeministër do të mbani përgjegjësi.

Unë do ta akuzoj hapur dhe drejtpërdrejtë politikën tuaj në atë rast fatkeq se po bën një keqmenaxhim të parasë të shqiptarëve duke e keqpërdorur dhe shpërdoruar atë! Po paguan rrena, në shkëmbi të trafikut të influencave, në kuptimin e shpërblimit të një produkti fallco dhe pa cilësi!

Nuk ka këtu as diktaturë, as autoritarizëm, as gjë pe gjëje nëse kryesia e Akademisë të Shkencave do t’Ju detyrojë ta bëni këtë.

Parimi i parë i kontratës është : ja paratë publike kundrejt shërbimit publik! Ndërprerja e ofrimit të shërbimit dhe produktit, ose skarciteti i tyre, shoqërohet automatikisht me ndërprerjen e parasë publike!

Këtu nuk ka vend për gargarizma politike!

Unë riftoj Lindita Nikollën,k sapo t’a marri detyrën e saj, sikurse kam bërë publikisht para dy vjetësh, të auditojë financiarisht Akademinë e Shkencave sepse atje do të shohi se çfarë ndodh me paranë që u merret shqiptarëve dhe i jepet një agjencie të pareformuar.

Shqiptarët do të shohin se çfarë bëhet me paratë e tyre pikërisht nga fakti se nënpunës të leshtë nuk shohin interesin publik, por rehatinë e tyre si edhe interesat e atyre që i intimidojnë.

Sigurisht kjo ndërprerje fondesh nëse farsa vazhdon nuk mund të bëhet që nga twitteri, as nga fcb, as nga fletushka periferike që “kakarisin”, nga fundi i oborrit kur në godinë ka rënë flaka dhe ato duan të kalojnë me këtë rast interesin e tyre egoist, modelin lekaxhi, por në fund nëse nuk ka reflektim duhet të bëhet!

Zoti Kryeministër një kritik juaji si unë ju thotë :

Mos u tërhiqni nga ajo që deklaruat, një Akademie me këtë kryesi të ri-ri-cikluar dhe përgjegjëse e penguese e reformës, me këtë Akademi të plakur, të kalbëzuar, pa transparencë, pa bërë transparencën e pastërtisë të figurës të Akademikut, të pareformuar, po nuk reflektoi shpejt, thellë, pa deklarime banalitetesh si dje, ndërpritini fondet!

Përndryshe do t’u akuzoj Juve si shpërdoruesi i fondeve publike!

Ndërmerrni reformën që duhet të kërkimit shkencor sepse sikurse Ju kam shkruar në letrën time publike, Akademia e Shkencave nuk është shkaku por simptoma e një sistemi të kalbur dhe të degraduar që nëpunësit Tuaj gjatë mandatit të parë dështuan rëndë ta shërojnë, por e sëmurën shumë më keq seç ishte!

Mos harroni se bëmat që po ndodhin tregojnë se sistemi Ju ka dalë jashtë dore!

QSA kthehet papritur, pa marrë vendimin e qeverisë, në kundërshtim me ligjin në fuqi, nga një qendër kërkimore, në një qendër të arësimit të lartë!!!

Pa plotësuar asnjë normë ligjore dhe asnjë parametër reformues shkencor.

Ministra teknike zonja Karabina, përfitoi nga rrëmuja dhe implikoi edhe Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, i cili duke certifikuar një rektor, pa qëllim të keq, pavarësisht se ky Rektori është në sytë e mi njeri i mirë, ai për faj edhe të tijin është në krye të një institucioni publik të paligjshëm. Zonja ministre teknike i futi ujë nën rrogoz, duke e implikuar zotin President në një procedurë antiligjore, madje në kundërshtim edhe me vetë ligjin që zoti President ka firmosur më parë si Kryetar i Kuvendit.

Të tilla bëma keni plot në hauret e qeverisjes Tuaj zoti Rama, dhe unë nuk do të mungoj së nxjerri në pah katrahurën që ka bërë ligji për arësimin e lartë pikërisht se Juve dhe ministrja Juaj fatkeqësisht u ndikuan nga lobi egoiste dhe në konflikt interesi me të mirën publike!

Eshtë koha për reflektim, korrigjim, sepse askush në politikë nuk është i pafajshëm. Të gjithë bëjmë gabime, aq më shumë kur administrohet një fushë ku gjithë bota shpesh ka arritje, por edhe thyen turinjtë!

Madje as opozita nuk është jashtë kësaj përgjegjësie, të cilës i kërkoj si qytetar që paguaj për të, të paraqesi alternativat e saj dhe jo të bëjë cicërima personale dhe pa peshë nga penxhere facebooku dhe twitteri. Dje, ndersa debatohej reformimi i Akademisë së Shkencave, ndonjë opozitar me konflikt interesi vazhdonte t’a shmangëte temën, të bënte “hijacking” duke u mjaftuar vetëm me refrenin”fajin e ka Rama”.

Dikur : “fajin e ka Saliu”, sot : “fajin e ka Rama”, a thua se me këto formula idiote, mediokre dhe banale do të zëvendësohet paraqitja e alternativave që fatkeqësisht as opozita nuk i ka.

Ndjesë për këtë parantezë, sepse ju vetëm pjesërisht jeni pêrgjegjës për qendrimin e ndonjë opozitari!

Duke e mbyllur, më lejoni t’ju them zoti Kryeministër, se unë ndruaj shumë se Ju do të keni frikë ta çoni deri në fund premtimin tuaj të djeshëm, unë uroj të mos ta keni frikën se do t’Ju akuzonin për prishës të Akademisë të Shkencave.

Atë po e prish kryesia e ri-ri-ricikluar e saj.

Ju duhet të ushtroni ndikimin Tuaj, t’ua shpjegoni anëtarëve të kryesisë rrugën pa krye ku janë futur, dhe të administroni si duhet paratë e shqiptarëve, dhe në rastin eksterm fatkeq t’i coni financimet te kërkuesit shkencorë që punojnë e jo atje ku për faj të drejtimit nuk ka as produkt e as shërbime!

Në të kundërt, përgjegjsia do të vazhdojë të bjerë mbi Ju,

Me dashamirësi e urime për sukses,

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë të Shkencave

14 komente në “Letër e dytë publike kryeministrit Edi Rama, nga kritiku i tij”

  1. Shefi says:

    Me duket se ky Fuga ka firasur si puna e kryeministrit. Akademia funksionon ne baze te nje ligji dhe pagesat jane ne baze te nje ligji. Po te jete se cdo kryeminister mund te jape ose nderprese fondet e parashikuara me ligj, atehere keta tipa kundra-shtet duhen lidhur. Reforma behet ne baze te nje projekti qe aprovohet ne parlament (mth behet ligj)dhe nuk varet sa deshire ka Fuga, por sa deshire ka shteti per te bere reforme. Cdo koment tjeter kundra Akademise eshte shantazh, sidomos kur vjen nga kryeministri

    1. Populli says:

      O Shef dereziu,
      Pse cfare eshte Akademia, Muri Kinez qe nuk duhet te shembet se eshte mrekulli e botes?

  2. Arber Iliri says:

    O Rama me duket se do behesh me dy Fuga keshilltare, po mere ore mere edhe kete Fugen akademik dhe te shohesh se si do ndricoje vendi nga progresi e zhvillimi i kerkimit shkencor.Puna eshte se nonce due sensa tre, ke edhe nje Fuge te trete qe po pret.Hej bela , mezi hoqem qafe Blushet, na dolem Fugat tani.

  3. shkumbini says:

    Ky eshte njeriu me delirant qe kemi njohur ndonjehere.
    Te pakten nga cfare lexojme, deshifrohet se eshte nje njeri i tille dhe i rrezikshem.
    Mjere ai njeri qe degjon kete te rroitur nga trute e kokes.

  4. butrinti says:

    KY QENKA KRITIK I GJITHCKAJE DHE I CDO FUSHE E I TE GJITHEVE . AMIN . SHYQYR QE E KEMI . DO ISHTEN ME MIRE TE MOS E KISHIM . PSE E KA MARR RROGEN DERI TANI . CFAR PUNE SHKKENCORE KA BERE . TE PAKTEN KETE TE NA E THOTE. DHE PASTAJ TE THOTE …UNE …UNE …UNE.

  5. Ladi says:

    I nderuar botues,
    Hapesira dedikuar ketij llafollogu eshte jo vetem e tepruar, por edhe shqetesuese…!!??
    E them kete pasi ketij zoterije i eshte kohe pa fund ne media, tv, kudo, dhe asnjehere, por asnjehere, nuk ka fulur konkretisht, apo te vere gishtin ne plage. Thjesht verdalloset me fjale, ne tema filozofike qe vec tij dhe ndonje grupi si ai filozofesh ne thonjza, i kuptojne ato… Ndaj do t’ju lutesha: mjaft me kete shterpe “intelektuale”

  6. Shqiptar i Ndershëm says:

    Unë jam dakord me kritikat intelektuale & mirëdashëse të zotit Artan Fuga.

  7. Genci says:

    Edhe kjo duket si nje teme qe do perflitet dhe do lihet ne harpes pastaj… Mos caj koke Fuga cudia me e madhe 3 dite zgjat… fut dhe nje gote vere nga prapa dhe rri rehat… sa per rrogen mos ki merak se keshtu thone ne fillim po pastaj te njejten gje bejne dhe ti te njejten rroge do marresh….

  8. Tregoni vlerat says:

    Reagimi normal i cdo Akademie Shkencash,do te ishte,nje projekt bindes, ku te nxjerrin te ardhurat,per pagat dhe shpenzimet,marrja e nje kredie per mbjetesen dhe panvarsine e saj nga pushteti dhe politika !

  9. Artan Sejko says:

    Megjithese nuk me ka pelqyer asnjehere still ngacmues I z.Fuga ai gjithsesi eshte nje nga zerat e rraĺle kritike kaq te drejtperdrejte.kryeministri per mendimin tim keta njerez duhet t’I degjoje me vemendje maksimale se keta te mbrojne nga vetja dhe nuk te lene te gabosh rende.
    Pershendetje z.Fuga
    Artan Sejko

  10. Arian says:

    Po kush je ti mor profesor llapaqen.prezantoi njerzve nje punim tendin per te miren e vendit.ju jeni nje dallavere.

  11. petrit says:

    Eshte humbje kohe te meresh me kete njeri , eshte komplet i lajthitur , tjerr fjale ne disa ligjerime te tij pa kuptim , qe nuk i sherbejne askujt . Tani kerkon te behet Kryetar i Akademise , Akademija duhet reformuar por jo te jete ky Kryetar ,

  12. pokeristi says:

    Artan biri im!
    Mendimi shkencor do te jete me i sakte,me i plote,atehere kur akademiket tane te qendrojne sa me larg plitikes.
    Haroje Salian,bej nje jave pushim dhe beji nje leter te trete kryeministrit aktual,duke ruajtur etiken eAKADEMIKUT,pa haure e pa grazhde.

  13. Xha Braho says:

    Ky anëtar i akademisë së shkencave, më parë se të “shqetësohet” për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të ri të kësaj akademie (post, të cilin duket sheshit që e lakmon) të bëjë publike veprimtarinë e tij shkencorë, si anëtar i saj, duke na bindur për efikasitetin e kësaj veprimtarie (nëse ka), pra të justifikojë pagën e tij për gjithë këto vite të qenies së tij, anëtar i kësaj akademie, PASTAJ të na tregojë se si e mendon ai riorganizimin e saj.
    Dënglat e tij nuk vlejnë për asgjë, sepse me të njëjtën gjuhë ka folur ky delirant edhe për reformën në arsimin e lartë, ndërkohë që është pikërisht ai dhe kolegët e tij ata që e kanë katandisur arsimin e lartë në një vend ku shumica e të rinjve e konsiderojnë si mënyrën më të mirë për të dëfryer.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje