Mendoni për shëndetin, njihuni me problemet që lidhen me gjatësinë e trupit, nga diabeti deri tek kanceri

Gjatësia e trupit mund të fshehë të dhëna mbi rrezikun e prekjes nga një sërë problemesh shëndetësore, të tilla si mpiksja e gjakut.

Gjatësia mund të jetë një parashikues i rrezikut për tromboembolizmin venoz, njohur ndryshe si mpiksja e gjakut. Në këtë përfundim ka arritur një studim i fundit i publikuar tek revista Circulation: Cardiovascular Genetics

 

Rreziku për mpiksje të gjakut është më i ulët tek gratë dhe burrat më të shkurtër dhe rritet me gjatësinë.

“Gjatësia e njerëzve vazhdon të rritet dhe kjo ka kontribuar në faktin që rastet me trombozë janë shtuar shumë së fundmi” thotë dr. Bengt Zöller, profesor i asociuar tek Universiteti Lund dhe Spitali Universitar Malmö në Suedi.

“Mendoj se duhet të fillojmë të përfshijmë gjatësinë në faktorët e rrezikut ashtu si mbipesha, edhe pse duhet të kryhen më shumë kërkime shkencore për të përcaktuar se si ndikon saktësisht gjatësia në çrregullimet e trashëguara të gjakut dhe probleme të tjera shëndetësore. Rreziku për mpiksje të gjakut nuk është i vetmi shqetësim shëndetësor që lidhet me gjatësinë: kanceri, problemet me zemrën, diabeti në shtatzëni, madje edhe jetëgjatësia lidhen me të.

“Gjatësia e trupit është në përgjithësi një faktor i rëndësishëm”.
Në studimin e ri u përfshinë të dhëna të më shumë se 1.6 milionë ushtarëve suedezë të lindur mes viteve 1951-1992 dhe grave suedeze të lindura mes viteve 1982-2012. Shtatzënia mund të rrisë rrezikun e mpiksjes së gjakut, prandaj është edhe shkaktari kryesor i vdekjeve të nënave gjatë shtatzënisë.

Pasi analizuan të dhënat fizike të këtyre personave, hulumtuesit shkencorë zbuluan se rreziku për mpiksje të gjakut ulej me 69% tek gratë me shtat më të shkurtër se 1.54 m krahasuar me ato që ishin më të gjata se 1.80 m. E njëjta gjë ndodh edhe për meshkujt rreth 1.60 m të gjatë krahasuar me ata që janë rreth 1.90 m të gjatë.

Tek meshkujt, gjatësia është parë si rrezik për mpiksje të gjakut në mushkëri, e quajtur embolizmi pulmonar, si dhe në këmbë dhe pjesë të tjera të trupit. Ndërsa tek gratë, vetëm rreziku për mpiksje të gjakut në këmbë lidhet dukshëm me gjatësinë. /Shendeti.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X