Presidenti amerikan dhe letra e Çekrezit nga Ziçishti i Korçës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ilir Ikonomi

Njeriu në këmbë në foton e parë është presidenti amerikan Woodrow Wilson, për të cilin historianët bien dakord se e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi në vitet 1919-20. Është, si të thuash, Skënderbeu amerikan i shqiptarëve.

Presidenti ka dalë në Uashington në vitin 1915 me dhëndrrin, Francis B. Sayre Sr. dhe nipin e porsalindur.

Në kohën kur u bë kjo foto, as presidenti Wilson dhe as dhëndrri i tij nuk e kishin menduar se do të kishin të bënin ndonjëherë me vendin e largët të quajtur Shqipëri.

Kur Sayre studioi më vonë në Universitetin e Harvardit, qëlloi të kishte shok klase Kostë Çekrezin (1892-1959) nga Ziçishti i Korçës.

Çekrezi kishte qenë editor i gazetës Dielli në Boston, para se të shkonte në Harvard.

Më vonë u emërua profesor në Uashington, u kthye në Shqipëri për të punuar si gazetar dhe u bë kundërshtar i Mbretit Zog.

Në vitin 1935 u arratis nga Shqipëria si pjesëmarrës i një rebelimi kundër mbretit dhe përfundoi në Francë.

Për t’u kthyer përsëri në Amerikë i duhej vizë, prandaj në janar 1936 i shkroi letër ish-mikut të Harvardit, Francis B. Sayre, i cili tani punonte si ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit.

Në atë kohë, presidentit Wilson nuk jetonte më.

Letrën e Çekrezit e hasa në arkivin amerikan dhe më tërhoqi vemendjen kjo pjesë ku ai i kujton ish- shokut të klasës se si ishin njohur në Harvard në vitin 1918:

Në atë kohë, ju patët mirësinë të shfaqnit interesim për çështjet shqiptare në një shkallë të tillë, saqë me vullnetin tuaj morët përsipër të flisnit me presidentin e ndjerë Wilson dhe, më besoni, ndërhyrja juaj ishte mjaft e dobishme.”

Nuk dihet se sa mund të ketë ndikuar miqësia e Çekrezit me shokun e tij të Harvardit që Wilsoni të njihej me çështjen shqiptare në vitin 1918, kur Lufta e Parë Botërore ishte në mbarim e sipër.

Por, në atë kohë, shqiptarët e Amerikës bënin përpjekje që fjala e tyre të binte në vesh të presidentit amerikan, me shpresën se ai do ta ndihmonte Shqipërinë të ruante kufijtë e saj në negociatat e paqes, të cilat pritej të fillonin në Paris në vitin 1919.

Foto 1: Presidenti Woodrow Wilson, dhëndrri Francis B. Sayre Sr. dhe nipi Francis B. Sayre Jr. në Uashington, në vitin 1915. (Biblioteka e Kongresit)

Foto 2: Kostë Çekrezi, ish-student i Harvardit, Profesor i Universitetit Kombëtar në Uashington, foto e vitit 1922.

Foto 3: Letra e Çekrezit për Ndihmës Sekretarin e Shtetit Francis B. Sayre Sr., gjetur në arkivin amerikan.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/09\/1-4-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/09\/1-4.jpg","attachment_id":"759169"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/09\/2-2-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/09\/2-2.jpg","attachment_id":"759170"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/09\/3-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/09\/3.jpg","attachment_id":"759171"}]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *