Akademia, albanologjia dhe shkenca

7 Shtator 2017, 09:22Blog TEMA

Nga Ledi Shamku

Për së pari marr përsipër të them veç ato që di, se gjithologjia nuk është lëmi im “studimor”. Pra, nuk e kam parë të detajuar planin ristrukturues të institucioneve tona shkencore, por mesa pashë, përmblidheshin të gjitha në një Qendër Kombëtare të Kërkimit Shkencor, edhe Akademia po aty.

Dhe kjo është një punë e mirë. Struktura të tilla ka dhe janë mjaft funksionale: CNR në Itali, CNRS në Francë. Madje ah sikur QKKSh-ja jonë t’ia dilte të kishte një Flotë Shkencore si dy fqinjët që përmenda! Po kush tha m’anë tjetër që nuk ia del? Modelet aty janë, vullneti i mirë duhet.

Tash vijmë te ajo që unë modestisht di dhe besoj e di mirë: A duhet të ktheheshim sot te modeli i dikurshëm: Akademi me Institute? Kam pasur dikur një komshi plak, quhej xhaxhi Miti. Rrugica ime dhe e xhaxhi Mitit ishte afër Kinema Republikës në rrugë të Kavajës. Doli një film “i jashtëm” një ditë dhe u dyndëm.

Edhe xhaxhi Miti erdhi. Te ky filmi vdiste në fund njëri nga heronjtë për faj të një gabimi të vet. Qamë e u qurravitëm, e shamë “heroin” pse na pikëlloi, hamendëm si mund ta kishte shmangur dhe ikëm. Të nesërmen shoh xhaxhi Mitin prapë te biletaria e Republikës. “Po iki njëherë sot, – tha, – se mos ka vënë mend ai personazhi dhe shpëton!”.

“Xhaxhi Miti, ik në shtëpi, i thash, – se e ke film të parë. Po atë fund do ketë!”.

Akademinë me institute bashkë e kemi film të parë. Kush e ripropozon si kundër reformë, të më ndjejë, po është tëpkë xhaxhi Miti vaktit! Aq më të pakuptimta janë thirrjet e kukushme se po u shkri Akademia do shkrihet dhe Albanologjia dhe Shqipëria do të deshqiptarizohet! Unë e kuptoj që leva e Arkimedit për opinionin shqiptar sot për sot mbetet çështja identitare, ndaj është punë e pamirë t’i mëshosh tinëzisht kot kësaj leve. Nuk “mbyllen” Studimet Albanologjike, madje kështu si janë sot për sot, janë thuajse të mbyllura, dhe të mbyllura prej kohësh.

Të ashtuquajturat konferenca ndërkombëtare albanologjike përfshijnë e shumta studiues nga Kosova e Maqedonia, pra, le ta themi, që nuk janë aspak ndërkombëtare, por thjesht kombëtare e ndërshtetërore. Albanologjia ka nevojë të shohë një film tjetër se plasi duke shkuar në kinema me xhaxhi Mitin e duke parë të njëjtin film, porse me uzdajë çdo herë për kismet të ri…  Dhe në fund, shkenca nuk është vetëm Albanologjia! Po për pjesën tjetër të kërkimit shkencor, atë të “mbyllur” prej kohësh e prej dekadash, atë që nuk lidhet me identitetin kombëtar, por me prosperitetin ekonomik e social, si nuk ju ha meraku për të, apo ajo nuk jep “vota audience”?!

Siç ishte e pamë. Xhaxhi Miti është i ftuar të shohë një film të ri. Thonë që është film “kopjac”, kopjon filma italianësh, francezësh e gjermanësh. Po xhaxhi Miti e di që “kopjimi” është edhe shansi i vendeve të prapambetura si ky yni. “S’ka nevojë ta shpik prapë unë ujin e nxehtë për të bërë një rehato-dush në darkë” – thotë xhaxhi Miti se kaq gjë e mori vesh edhe ai.

8 komente në “Akademia, albanologjia dhe shkenca”

  1. G_UK says:

    Gjith ajo lufte gjith ato leke te hedhura ledi shamku as ministre as edhe nje pozicion!! cfare drame socialistet rrine presin ministren qe zgjidhet 2 here sikur nuk ka njerez ps!

  2. Cuni i Tirones says:

    Nuk mund te rrinte pa “kakarisur” edhe kjo shoqja nga qyteti.

  3. a.f. says:

    E tha edhe kjo “e keshillit” perrallen me xhaxhi Mitin, pasi ka marre aprovimin e partise (shefit te saj).
    E po kjo pike e zeze, per elitat qe na udheheqin, ne rrugen e rilindjes..

  4. keno kotorri says:

    Vete dalja ne mbrojtje te “projekteve” qeveritare nga njerezit e saj nuk eshte shenje e mire. Perdorimi I nje perralle me xha Mitin gjithashtu.
    shembulli I CNRS e tj. s’eshte I rregullt sepse dhe atje ka projekte per ndryshime rrenjesore te organizimit te kerkimeve shkencore, te cilat kryhen dhe ne universitete, nga private dhe ne strukturat e aferta te Akademise dhe College de France e tj.
    Vete zvarritja e zgjidhjes dhe perdorimi I dhunes ne kete rast tregon jo kompetence.
    Zgjidhje Saliut ishte e gabuar, jashte çdo diskutimi. Akademia kishte Institutet e veta, ashtu si duhesh riorganizuar kerkimi ne Universitete, ashtu si duhet krijuar nje struktur shteterore per shkerkimet shkencore por, vendimet nuk I merr administrate e aq me teper politika. Gjithashtu kjo strukture duhej te kishte Fondin e Kerkimeve, qe ndahej sipas nevojave te strukturave shteterore te Kerkimeve por dhe per private (Universitete, Institute,Qendra e individe).
    Nuk riorganizohet shkenca nga politika. Saliu e prishi Akademine per inat te te ndjerit Dr. Ylli Popa, mos e prishni per inat te atyre qe mundet dhe pa te drejte jane”akademike”. Kurse dhuna eshte TURP qe do mbetet ne Histori

  5. Kajo says:

    Kjo shushunje pjese e nje familje kuçeder qe ka shterruar fondet publike shteterore shqiptare. E del na jap mend per albanologji kjo qe nuk di as te shkruaje sakte e pa gabime gjuhen shqipe. Vaj medet!

  6. Lili says:

    Mire bene kryeministri: nje akademi qe nuk prodhon gje,nuk na duhet kur kemi nevoje aq shume qe paret te mireadministrohen.
    Paret nuk jane per pleqeni te rahatshme …

  7. Aldo says:

    Foli kjo kotelja e xhaxhi Mutit, po ç’lidhje ka kjo me shkencen njehere? Kjo eshte injorante por s’mund te rrije pa folur.

  8. lato says:

    Me vjen keq,qe kjo vajze shkruan per tu dukur,.Ka humbur lidhjen me profesionin.Ne palcen e sistemit socialist kur duheshin punetore te kulifikuar dhe nuk kishte,lindi iniciativa 1+3.Nje punetor i mire,merrte ne patronazh tre punetore te keqij.Ne vend qe tre punetoret e keqij te beheshin si i miri, punetori i mire merrte huqet e te keqijve,,behej pijanec,dembel,hajdut,nockaxhi etj.Kjo vajze nisi rrugen e shkencetares dhe premtonte shume,por politika e mori ne gjirin e saj dhe e beri deputete.Atje shkeputi lidhjet me profesionin dhe filloi te shiste dengla si Majlinda Bregu,Josefina Topalli,Lili Elmazi.Italianet kane nje fjale te urte:Kush rri me Topallin,meson te caloje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje