Një “vrasës” i kudondodhur në rrugët tona

8 Shtator 2017, 14:34Sociale TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

“Një vrasës i pamëshirshëm endet në rrugët tona. Është i kudondodhur. Madje, tamam tani, mund të ndodhet në xhepin tuaj. Quhet telefon celular!” Me këtë tekst fillonte një spot publicitar i Departamentit të Transportit të SHBA-së në vitin 2009, i cili pasqyronte një skenë të tmerrshme aksidenti, ku dikush që dërgonte sms gjatë kohës që voziste automjetin, humbi jetën tragjikisht. Këtë spot televiziv, Departamenti i Transportit të SHBA-së e transmetoi pas një sondazhi natyralistik të universitetit Virginia Tech, nga i cili rezultoi se rreziku për aksident ose pothuaj-aksident, rritet 2.8-23.2 herë kur vozitësi i automjetit përdor celularin për të folur apo për të komunikuar me sms.

Në fakt, rezultatet e atij sondazhi shërbyen si shtysë për, pothuaj, të gjitha parlamentet lokale të shteteve të SHBA-së, që të sanksiononin në kodet e tyre rrugore, ndalimin e përdorimit të celularëve nga vozitësit e automjeteve. Pra, u ndërthur fushata sensibilizuese me atë shtrënguese, për të parandaluar një “vrasës” që po bënte kërdinë në rrugët e Amerikës.

Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të celularëve nga vozitësit e automjeteve ka kohë që është përfshirë në Kodin Rrugor, por gjoba është relativisht e lehtë (1 mijë lekë) dhe Policia Rrugore nuk e ka prioritet ndalimin e shkelësve të nenit përkatës të kodit. Ndërkohë, në rrugët e Shqipërisë, rrallë të zë syri dikë që nuk e përdor celularin gjatë kohës që vozit automjetin.

Se sa e rrit rrezikun e aksidentit ky përdorim në rrugët tona, nuk mund ta kemi idenë, sepse nuk janë kryer studime në këtë fushë. Por të dhënat e sondazhit të kryer nga universiteti Virginia Tech, në rrugë e rrjedha trafiku shumë më të mira se sa të Shqipërisë, mund të shërbejë si një pikë referimi.

Siç e përmenda më sipër, ai sondazh ishte natyralistik, jo i simuluar. Konkretisht, u vunë kamera dhe instrumente që punonin non-stop në automjete reale, në vozitje reale, të cilat përshkuan gjithsej 9.7 milionë kilometra. Të dhënat e kamerave dhe instrumenteve të tjerë u analizuan vetëm në rastet kur regjistroheshin ndryshime të papritura të shpejtësisë apo drejtimit të vozitjes, që nënkuptonin një situatë aksidenti të ndodhur apo pothuaj të ndodhur.

Nga analiza rezultoi se formimi i një numri në celular apo përgjigjja e një telefonate, e rriste rrezikun e aksidentit ose pothuaj-aksidentit me 2.8 herë. Ndërsa gjatë komunikimit me sms, vozitësit e automjeteve i mbanin sytë tek celulari mesatarisht 4.6 sekonda, kohë në të cilën automjeti mund të përshkojë një fushë futbolli, kur lëviz me shpejtësi rreth 100 kilometra në orë. Për këtë arsye, komunikimi me sms e rriste rrezikun e aksidentit ose pothuaj-aksidentit me 23.2 herë. Krahasimisht, vozitja në gjendje të dehur e rrit këtë rrezik vetëm me 7 herë.

Këto rezultate të sondazhit të universitetit Virginia Tech, si dhe fushata sensibilizuese dhe shtrënguese që pasoi publikimin e tyre në SHBA, mund të shërbejnë si një model që mund të zbatohet edhe në Shqipëri, ku problemi i aksidenteve është shumë më i rëndë, – ndodhin 36 aksidente në vit, për çdo 10.000 automjete, ose 3.6 herë më shumë se në vendet ish-komuniste dhe 11.5 herë më shumë se në SHBA.

Vërtet Shqipëria mund të mos ketë kushte për të kryer sondazhe si i mësipërmi, por ministria e Brendshme mund të udhëzojë Policinë Rrugore të zbatojë me rreptësi ndalimin e përdorimit të celularit gjatë vozitjes së automjeteve. Gjithashtu, kjo ministri mund të prodhojë dhe transmetojë ndonjë spot publicitar për sensibilizimin e publikut mbi rrezikun e madh, që sjellin në trafik celularët “vrasës”.

Boll shqiptarë po vriten e vetëvriten çdo ditë nga shkaqe të tjera – mos të vriten edhe nga celularët!/AFP

3 komente në “Një “vrasës” i kudondodhur në rrugët tona”

  1. kanina says:

    E keqja është se shumë (shumica) shqiptarë, e përdorin celularin gjatë drejtimit të makinës, thjesht për…pordhë…!

    1. lemerija says:

      O Zaloshnja!
      Po pse je kaq pa kellqe,o dite zi?
      Per cfare ve ngaterron fjalen “shofer”,pra drejtues automjeti,me fjalen “vozites”,qe perdoret ne Kosove,por qe ka te veje me ata qe perdorin varka ne uje.
      Pra te vozites do te thote te lundrosh me lopata ose motor ne uje me varka e jo me makina!
      Drejteshkrimi i gjuhes shqipe,per me teper qe ne Shqiperi kjo fjale nuk perdoret fare,eshte rregulli nr.1 per gazetaret!
      Boll na cate trapin duke futur fjale me prejardhje 500 vjecare,nga dialektet katrahure te Kosoves!
      Te them te drejten,kur degjoj kosovaret kur flasin ne dialektin e tryre e kam peshtire t’i degjoj!
      Edhe arbereshet e Italise e flasin shqipen me bukur se kosovaret!
      Prandaj degjojme shpesh qe ta sulmojne gjuhen standarte shqipe se duan qe edhe ne te flasim e shkruajme si ne kohgen e Skenderbeut!

  2. VIP says:

    Vozitesi I autmjetit.? Nuk do te Ishte me e pershtashme shprehja “drejtuesi I automjetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje