Qeveria për divan të Freudit

10 Shtator 2017, 14:26Rajoni TEMA

Pasiguria gjuhësore dhe dosjet me delikte të mëdha dhe të vogla janë dëshmi e neveritshme se çfarë trupe do të qeverisë Kosovën.

Nga Enver Robelli

Lapsusi i Freudit është i njohur. Njeriu do të thotë diçka, por shkruan apo flet atë me çka aktualisht merret truri i tij. Kështu del në sipërfaqe brenga e vërtetë. Duke pasur parasysh këtë duhet t’i jemi mirënjohës ministrit të ri të Drejtësisë që premtoi se do të punojë për forcimin e sundimit «të së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit». Është deklarata më e sinqertë nga kabineti që të shtunën mori votat ashtu si i mori për të qeverisur Kosovën. Është shpërfaqje e motiveve të pavetëdijshme për të cilat edhe u krijua kjo qeveri.

Të shtunën në Kuvendin e Kosovës kishte shumë momente që tregonin se ky kabinet është për divan të Sigmund Freudit. Pasiguria gjuhësore e atij që u zgjodh kryeministër është kolosale. Fjalimi i tij si kandidat për shef të qeverisë nuk ishte më shumë se një grumbull llafesh shpeshherë pa kuptim, me kritika paushalle dhe me premtime që shkrihen si tëlyeni në diellin e gushtit. Krijohej përshtypja se fjalimi ishte shkruar sa për të kapërcyer sa më shpejt situatën për të ardhur te votimi. Nuk ishte fare me rëndësi çfarë thotë kandidati, nuk ishte fare me rëndësi që në këso momentesh duhet të ketë edhe njëfarë solemniteti e qetësie si burime të përkushtimit dhe sinqeritetit para se të merret një post publik. Asgjë nga këto. Tensione, veprime të papërmbajtshme, emocione qesharake.

Nuk ishte për askënd befasi që pasi i mori votat për të qeverisur, kryeministri i ri nisi të sillej vërdallë nëpër sallë të parlamentit me gjasë në kërkim të fjalimit të tij. Kërkoi, kërkoi, kërkoi madje edhe nën karrigen e deputetit, ku ishte ulur, por s’gjeti gjë, së paku jo letrat që kërkonte. Mund të kishte gjetur ndonjë kapak të asaj shishes prej së cilës shërbente raki në disa kohëra të tjera. Në fund nuk i mbeti gjë tjetër pos të belbëzojë një lutje: «Na priftë e mbara». Ishte lutje e sinqertë, sepse edhe kryeministri i ri e ka të qartë në çfarë aventure politike është hedhur. Pra, «na priftë e mbara».

E si mund të na prijë e mbara me një ministër, i cili dyshohet se ka bërë presion për t’i suspenduar nga puna dy policë në Prizren, të cilët ia kanë gjobitur shoferin për kundërvajtje në komunikacion? Pastaj shefat e policisë duke qenë budallenj e kanë marrë seriozisht ministrin (atëherë pa portofol) dhe i kanë suspenduar policët. Shyqyr që Inspektoriati i Policisë ka ardhur në përfundim se policët e gjorë vetëm kanë zbatuar ligjin. Dhe faleminderit portalit «Insajderi» që këto ditë me saktësi enciklopedike po ia përkujton opinionit harrestar kosovar të bëmat e anëtarëve të kabinetit. Ministri që me gjasë ndikoi në suspendimin e policëve tani do të drejtojë resorin për zhvillim rajonal.

Ka në kabinetin e ri edhe njerëz që vetë apo përmes besnikëve të tyre kanë frikësuar dëshmitarë të krimeve të luftës. Ka ministra që janë nën hetime apo kanë akuza për vepra të paligjshme – prej keqpërdorimit të detyrës zyrtare deri te aferat e korrupsionit. Përballë këtyre rrethanave kryeministri i ri nuk prezantoi ekip për qeverisjen e Kosovës, por disa kandidatë për divanin e Sigmund Freudit. Tërë kjo situatë të kujton prokurorin Nazmi Mustafi, i cili para disa vitesh ishte si të thuash shefi i shefave të prokurorëve për të luftuar korrupsionin. Dhe çfarë ndodhi? U arrestua dhe u dënua – për korrupsion.

Pasi e fitoi betejën ashtu siç fitohen betejat e pasinqerta, kryeministri u bëri apel gazetarëve të kritikojnë qeverinë, ndërsa në kabinetin e tij ka ministra që lirinë e shtypit e shohin si të keqen më të madhe të këtij vendi dhe përpiqen me metodat tradicionale ballkanike të blejnë gazetarë dhe rrjedhimisht të blejnë të vërtetën, e cila nuk është e vërtetë, por një konstruksion shpifjesh. Atëherë s’mbetet gjë tjetër pos të citojmë kryeministrin: «Na priftë e mbara». Dhe pastë sukses Freudi me hallexhinjtë e shtrirë në divanin e tij.

3 komente në “Qeveria për divan të Freudit”

  1. Daja says:

    Frojd i themi ne ne shqip o shoku katunar. Emrat e perveçem shkruhen ne shqip ashtu sic shqiptohen, sepse me kete llogjiken tende, emrat kineze dhe arabe duhet ti shkruajme me hieroglife.

  2. Baliu says:

    Edhe arrestimi i ketij ngelaqit ne France ka qene nje parapregaditje per ta instaluar ne krye tu Kosovs*.

  3. Lili says:

    Daja,ne boten ku jeton ky emrat shkruhen ne origjinal sepse kjo eshte norma nderkombtare .kur nuk i ke germat pra prej arabishtes apo rusishtes atehere shkruhen fonetikisht..
    Po per albanistanezet nuk existojne normat pos norma qe shpikin vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje