STATISTIKA/ Shenja pozitive në tregun e punës, bie ndjeshëm papunësia. (meshkujt futen në punë, femrat jo)

12 Shtator 2017, 16:51Politika TEMA

Tregu i punës ka shënuar një ecuri pozitive gjatë pjesës së parë të këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT. Në tremujorin e dytë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 13,9 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e parë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë pësoi një rënie prej 0,3 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë 2017, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 57,3 %. Gjatë këtij tremujori, në terma vjetorë punësimi shfaq tendencë në rritje, krahasuar  me të njëjtin tremujor të vitit 2016, punësimi u rrit me 3,4 %. Në terma tremujorë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017, punësimi pësoi një rritje prej 1,8 %.

Në tremujorin e dytë të vitit 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 66,8 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues është rritur me 0,9 pikë përqindje.

Për femrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 57,7 %, ndërsa për meshkujt ky tregues është 75,7 %. Për meshkujt, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ka rënë me 0,3 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt është rritur me 2,2 pikë përqindje.

Papunësia

Në tremujorin e dytë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 13,9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë me 1,5 pikë përqindje dhe për femrat ka rënë me 1,7 pikë përqindje.

Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 14,9 % dhe për femrat është 12,5 %. Shkalla e papunësisë për femrat është 2,4 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26,4 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2017 është 3,5 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e parë 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 0,2 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç  është 10,8 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë ka rënë me 0,4 pikë përqindje.(monitor)

1 komente në “STATISTIKA/ Shenja pozitive në tregun e punës, bie ndjeshëm papunësia. (meshkujt futen në punë, femrat jo)”

  1. Rezarta says:

    Kane filluar te ndihen hapat e para te reformave dhe parteritetit publik privat. Eshte nje nga shenjat e mira te zhvillimit. Ju lumte minister

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje