“Shkarkimi nga puna i ish-shefit të FBI-së James Comey është gabimi më i madh në historinë moderne të politikës.” Kanë qenë këto fjalët e ish-kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon në programin “60 Minutes” në rrjetin amerikan CBS, referuar vendimit të presidentit Donald Trump për heqjen nga detyra të ish-shefit të FBI-së.
Nëse Comey nuk do të ishte shkarkuar, Bannon argumenton se nuk do të kishte lindur nevoja për të caktuar një këshilltar të posaçëm për të vijuar me hetimin mbi ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Për ish-këshilltarin presidencial, të larguar nga posti i tij një muaj më parë, ky hetim është humbje kohe dhe tërësisht farsë.
Bannon e cilësoi pushimin e zotit Comey si një gabim më skandaloz se marrëdhënia e Bill Clinton me Monica Lewinsky-n apo skandali Watergate i Richard Nixon. Pavarësisht kësaj, Bannon premtoi se do të vijonte të mbetej mbështetësi i presidentit Trump për sa kohë që ai do të ishte në detyrë.
Ai nuk ngurroi të sulmonte liderët republikanë në Kongres, Paul Ryan dhe Mitch McConnell, të cilët Bannon i akuzoi se janë përpjekur të zerojnë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë tashmë i është rikthyer rolit të tij si drejtues i Breitbart News, një portal mediatik i ekstremit të djathtë.