Berisha vlerëson Ramën: U tregua politikan, ia hodhi Bashës

Sali Berisha në intervistën e tij për Çlirim Pekën, ka thënë se Rama është treguar politikan dhe ia ka hedhur Bashës me marrëveshjen e 18 majit.

Peka: Një pikëpyetje e madhe është takimi i gjatë i Lulzim Bashës me Edi Ramën, mbi 3 orë. Deri në këtë moment është një takim jo transparent. A ju ka thënë Lulzim Basha, a është konsultuar me ju, para apo pas takimit se çfarë ka biseduar. Ju a jeni në dijeni se cila është marrëveshja afatgjatë, sepse Rama flet për marrëveshje afatgjatë. Deri ditën e zgjedhjeve keni thënë që është një marrëveshje uin-uin.

Berisha: Po e kam thënë dhe e saktësoj se çfarë ishte. E kam thënë me bindje të thellë. Së pari, a më ka thënë Lulzim Basha që do të bëj takimin?

Absolutisht jo, por jam i bindur në mënyrë të prerë se ai nuk ka shkuar atje i paralajmëruar se do të bëjë takimin sepse Edi Rama nga Elbasani tha se nuk po marr pjesë. Nuk di të kenë komunikuar, nuk kam pasur dijeni. Pas takimit më ka thënë dhe për hapin e tij për të pranuar çfarë ishte kërkuar dhe pak më shumë biles.

Në rrafshin politik ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer. Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës.

Sepse të arrije, t’ia rrëzoje gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkaloje çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte. Nga ana tjetër e kam thënë dhe e them, Edi Rama shpëtoi lëkurën e vet dhe aty bëri mirë. Pavarësisht se ai për mua është ashtu siç është, përsëri ai aty tregoi një kuant politikani dhe shpëtoi lëkurën e tij. Ky ishte vlerësimi.

Marrëveshja, ky sukses i madh u kthye në të kundërt nga Edi Rama, ky ishte problemi. Ai mori të gjitha avantazhet e marrëveshjes.

Ai paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha.

Peka: Nga aftësia e Edi Ramës, apo paaftësia e Lulzim Bashës?

Berisha: Kaq mund të them, që Edi Rama me një diabolizëm të pafund, përvetësoi marrëveshjen dhe Lulzim Basha nuk e bëri dot avokatinë e saj.

1 komente në “Berisha vlerëson Ramën: U tregua politikan, ia hodhi Bashës”

  1. Gazetari says:

    Cfare komedie!
    Qimi ben pyetje “te pafajshme” dhe Saliu thote cfare t’i doje qejfi pa u konfrontuar njehere te vetme nga “gazekari investigativ”.
    Per te qeshur e per te qare….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *