«Diktaturat komuniste kanë qenë të tmerrshme, por…»

Sociologu Mentor Agani mbi shoqërinë kosovare si «shoqëri pa ideale», murtajën e klientelizmit qeveritar, shkatërrimin e shoqërisë civile nga pushteti përmes një numri shumë të madh të goditjeve fare të vogla, për shqiptarët që liria i ka gjetur të papërgatitur dhe për klasën politike, e cila duhet të përballet me faktin që pasojat e paaftësisë dhe të mbrapshtive të saj për popullin e Kosovës janë të krahasueshme me ato të regjimit të Millosheviqit.

Pas tre muajsh, pas shumë lojërave e intrigave në prapaskenë, Kosova më në fund ka një qeveri. Në mungesë të numrave koalicioni parazgjedhor me javë të tëra refuzoi të hedhë në votim emrin e kandidatit për kryesues të Kuvendit. A është kjo klasa politike që e meriton shoqëria kosovare si pasojë e apatisë së saj politike prej vitesh?

Njëherë e kam lexuar një thënie të mrekullueshme: «Demokracia është ajo trajtë e qeverisjes ku çdonjërin e gjen ajo që vetëm shumica e meriton». Kështu që shumica e atyre që kanë votuar në Kosovë, vërtetë edhe e meritojnë këtë klasë politike, problemi është që kjo klasë politike po u bie hise edhe atyre që nuk e kanë votuar atë.

Tash, çështja është si ka ardhur deri te ajo që me qindra mijëra veta ta votojnë këta klasë politike që e kemi. Në fillim, menjëherë pas luftës, kanë qenë bindjet, të shumtën iluzore, që njerëzit i kanë pasur për meritat që këta udhëheqës mund t’i kenë pasur në luftë, dhe, për një kohë, kjo ka mundur të kryejë punë në sigurimin e përkrahjes nga ana e njerëzve. Më vonë, kjo gradualisht ka filluar të zëvendësohet me krijimin e rrjeteve klienteliste, ku një numër njerëzish kanë përfituar personalisht nga përkrahja e këtyre udhëheqësve.

Rënia e përkrahjes që është në rrjedhje e sipër, dhe që u shënua në zgjedhjet e fundit, tregon që tash edhe rrjetet klienteliste janë duke kryer punë gjithnjë e më pak. Kështu është duke u krijuar një situatë ku këta udhëheqës duhet të ofrojnë gjithnjë e më tepër shërbime një numri gjithnjë e më të madh të klientëve, për gjithnjë e më pak përkrahje të cilën ata mund t’ua sigurojnë.

Më duket që tash, me këtë qeveri të fundit, kemi ardhur në një situatë ku nuk kemi asgjë tjetër pos klientelizmit dhe përfitimeve personale. Ma merr mendja që ata që tash mbetën në opozitë në skenën politike do të mbesin si faktorë më gjatë se këta që e formuan qeverinë.

A mund të quhet 11 qershori ditë e fillimit të zgjimit politik të elektoratit, ditë e braktisjes së frikës përballë politikanëve që e mbajnë veten për çlirimtarë dhe si të tillë i kanë lejuar vetes shumë mbrapshti?

Është frika, por është një frikë mjaft komplekse për t’u kuptuar. Dështimi i madh i Kosovës ka qenë dhe është dështimi i shoqërisë civile. Këtu shprehjen shoqëri civile e përdori në një kuptim më të gjerë, jo vetëm si grumbull i OJQ-ve, por si tërësi e mekanizmave shoqërorë e politikë për futjen e shtetit dhe të qeverisjes nën kontrollin e shoqërisë – këtu hyn çdonjëri dhe të gjithë, nga qytetari që në emër të vet e kritikon qeverisjen, e deri te organizatat dhe organizimet më të mëdha.

Përndryshe, në kohën e komunizmit shteti shoqërinë civile e ka luftuar përmes një numri të vogël të goditjeve shumë të fuqishme – ata që kanë guxuar ta ngritin zërin janë ndëshkuar me dënime të rënda, nga burgime të gjata e deri te ekzekutimet, dhe në një kësi situate të tjerët, kur e kanë parë se çfarë po ju ndodh atyre që e ngritin zërin, kanë vendosur të mos e ngritin zërin.

Sot në Kosovë, shteti dhe qeverisja e kanë dërrmuar shoqërinë civile jo përmes një numri të vogël të goditjeve shumë të mëdha, por përmes një numri shumë të madh të goditjeve fare të vogla. Është ndonjë vend pune, ndonjë tender, ndonjë leje, heqja e ndonjë dënimi, regjistrimi i fëmijës në ndonjë fakultet, sigurimi i ndonjë trajtimi shëndetësor falas etj., etj., dhe këto u ofrohen individëve, por me kusht që të jenë «mirënjohës» dhe, rrjedhimisht, «të dëgjueshëm» – dhe, po ashtu, duhet ta kenë të qartë se kujt duhet t’ia japin votën.

Ndërkaq, po qe se ndokush e ngrit zërin, ai e humb mundësinë për të gjitha këto «shërbime». Dhe ka shumë njerëz që frikësohen se mos mbeten pa to. Një numër mjaft i madh i njerëzve shiten me të lirë, dhe frikësohen se mos mbeten pa u shitur – apo se mos hidhen pasi të blihen. Është, pra, një frikë shumë e madhe për gjëra fare të vogla. Diktaturat komuniste kanë qenë të tmerrshme – kjo që e kemi në Kosovë është e mjerë.

A ka qenë vetëm frika arsyeja kryesore që me vite të tëra njerëzit kanë votuar edhe politikanë që qartë dihej se janë të korruptuar? Apo një arsye tjetër ka qenë edhe prirja e jo pak njerëzve në Kosovë për të jetuar me të keqen për arsye oportuniste: për aq kohë sa edhe unë përfitoj pak nga sistemi, s’ka gjë të keqe që ai është i korruptuar?

Janë të gjitha këto gjëra që i përmendni, por është edhe një tjetër në të cilën do të përqendrohesha më në hollësi. Fatkeqësisht, liria shqiptarët i ka gjetur të papërgatitur. Meqë kam pasur rastin të jetoj e studioj në SHBA për më shumë se tre vite, ku një pjesë e konsiderueshme e studimit ka qenë për origjinat e politikës dhe të sistemit politik amerikan, do të doja ta përmend një faktor të rëndësishëm të suksesit të demokracisë amerikane që është shumë relevant për situatën nëpër të cilën Kosova është duke kaluar sot. Politika amerikane në zanafillë të vet e ka pasur vetëdijen e njerëzve për atë që politika, si e tillë, mund të jetë e keqe, kështu që ajo vazhdimisht duhet të mbahet nën kontrollin e shoqërisë. Kjo vetëdije ka qenë edhe burimi i ndarjes së pushteteve dhe i kontrollimit dhe balancimit mes tyre. Ndërkaq, në Kosovë, në zanafillë e kemi pasur vetëdijen e njerëzve që politika e Serbisë (pra, jo politika si e tillë, por ajo e Serbisë) është e keqe, si dhe bindjen shoqëruese që politika jonë, njëherë pasi të çlirohemi, gjithsesi do të jetë e mirë – fundja, si mund të mos jetë e mirë një politikë që i kundërvihet politikës së Serbisë që është një politike të keqe.

Dhe tash, përballja me atë që edhe «politika jonë» mund të dalë e keqe, po del të jetë tejet e vështirë. Dhe kjo para së gjithash kur të merret parasysh prirja e fuqishme e politikës së Kosovës për ta përmendur vazhdimisht Serbinë si një rrezik të përhershëm për Kosovën. Politikanët kosovarë Serbinë e përmendin aq shumë, jo pse sot Serbia për Kosovën është vërtetë aq e rrezikshme sa po pretendohet, por për shkak të një dëshire të ndërvetëdijshme të tyre për ta ruajtur si referencë në diskursin politik kosovar të vetmin entitet në krahasim me të cilën qeverisja e sotme e Kosovës është e mirë.

Mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës në tri vitet e fundit kanë braktisur vendin. Kjo shifër është marramendëse në kushtet e lirisë. Dhe ikja po vazhdon, ndonëse pa u vërejtur shumë nga opinioni. Cilat janë, sipas jush, arsyet e këtij eksodi? Mungesa e gatishmërisë për të luftuar për alternativa të reja politike? Mungesa e alternativave politike? Humbja e besimit se «se në këtë vend do të bëhet mirë ndonjëherë»?

Përgjigjen në këtë pyetje po e filloj duke e përmendur njërin nga komentet më të mrekullueshme që e kam dëgjuar nga babai im i ndjerë, Fehmi Agani. Menjëherë pas përfundimit të rrëmujës dhe tragjedisë së Shqipërisë të vitit 1997, kur trupat italiane sapo kishin filluar të hynin në Shqipëri për ta qetësuar situatën dhe për ta vendosur e konsoliduar rendin, një shok i babait atë e pati pyetur se si po i duket puna. I tronditur thellë nga ngjarjet që kishin ndodhur së fundmi, ai u përgjigj: «Lëre krejt, se e sollëm punën deri aty që njeriu të thotë, shyqyr zotit që në Shqipëri po hyjnë ushtritë e huaja». Hyrja e ushtrive të huaja në territorin e një shteti është më e tmerrshmja që mund t’i ndodhë atij shteti – dhe ne e patëm sjellë punën deri aty që të themi shyqyr zotit për atë që po na ndodh më e tmerrshmja që mund të na ndodhë.

Tash, ikja e qindra mijëra njerëzve është më e tmerrshmja që mund t’i ndodhë një populli, por, përsëri, e tëra që mund ta thotë njeriu në këtë situatë është kjo: shyqyr zotit që po shpëtojnë. Pra, ne përsëri jemi në një situatë ku duhet të themi shyqyr zotit për atë që po na ndodh më e tmerrshmja që mund të na ndodhë.

Përndryshe, këtë të tërën po e them nën ndikimin e fuqishëm të një bisede që e kam pasur para katër a pesë muajsh me një prind të cilit i biri sapo i kishte shkuar në Suedi (me gjithë familje – me të shoqen dhe dy fëmijë). Ky prind afër dyzet vjet kishte jetuar në të njëjtën shtëpi me të birin e vet, dhe tash që i biri po i shkonte, ky gëzohej që ai ia kishte dalë të shkonte. Më pati tronditur thellë paradoksi i këtij gëzimi të tij. Mirëpo, politika e paaftë dhe e mbrapshtë na ka sjellë në një situatë ku po duhet të gëzohemi kur po mbetemi pa fëmijë.

Po ashtu, lidhur me këtë dua ta përmend edhe një paradoks tjetër. Në kohën e Serbisë, kur regjimi i Millosheviqit i detyronte me qindra mijëra shqiptarë ta braktisin Kosovën, ne të gjithë ulërinim kundër atij regjimi dhe mizorive që po na i bënte. Tash, kur politika jonë na sjell në situatë që me qindra-mijëra ta braktisin Kosovën, ne gëzohemi që po ia dalim të dalim jashtë. Dhe, përderisa gëzohemi që po ia dalim të dalim, shumë prej nesh do t’ia dalin të dalin. Përndryshe, me këtë nuk dëshiroj të them që Sllobodan Millosheviqi na paskësh qenë më i mirë, mirëpo, politika kosovare, që aq shumë krenohet me «çlirimin» e Kosovës nga Serbia, dhe me mbrojtjen e saj nga ajo, duhet të përballet me faktin që pasojat e paaftësisë dhe të mbrapshtive të saj për popullin e Kosovës janë të krahasueshme me ato të regjimit të Millosheviqit.

Një pesimizëm i tillë siç mbretëron sot nuk ka ekzistuar as në vitet ’90. A është kjo situatë edhe pasojë e faktit se në shoqërinë kosovare nuk ka më politikanë që gëzojnë autoritet publik dhe janë në gjendje të mobilizojnë shoqërinë për ndërtimin e një shteti funksional?

Po, politikanët në Kosovë mbase edhe mund të kenë legalitet dhe legjitimitet, në një kuptim thjeshtë formal, por vështirë që në mesin e tyre e gjen ndonjë që e ka madje edhe shkronjën «A» të fjalës autoritet. Dhe, nga ana tjetër, për ta mobilizuar shoqërinë për ndërtimin e një shteti funksional, duhet që edhe vetë të jesh i mobilizuar për ndërtimin e një shteti funksional. Këta që i kemi mbase edhe mund të mendojnë që janë të përkushtuar për shtetin, dhe mbase edhe ia duan të mirën, por, fatkeqësisht, kanë edhe shumë e shumë qëllime të tjera që s’kanë të bëjnë fare me përparimin e shtetit dhe të shoqërisë, por janë, thjeshtë, qëllime personale. Dhe deri sa po i përmbushin këto qëllime personale, nuk po u mbetet fare energji për të bërë diçka të mirë edhe për shtetin dhe shoqërinë.

Në vitet ’80 intelektualët kosovarë mbushnin faqet e revistave kritike kroate dhe sllovene me shkrime kundër politikës së Beogradit. Në vitet ’90 shumë intelektualë u angazhuan në politikë për t’i prirë projektit për pavarësinë e Kosovës. Prej vitesh në Kosovë mbretëron një amulli intelektuale. Përse heshtin ata që duhet të flasin për krizat e shoqërisë – filozofë, sociologë, historianë, antropologë dhe specialistë të fushave të tjera?

Zakonisht, kur flitet a shkruhet për regjimet shtypëse, përqendrimi është në monopolizimin e politikës dhe të ekonomisë nga ana e atyre regjimeve. Mirëpo, ajo që në afat të gjatë është më e dëmshmja, është monopolizimi i të vërtetës nga ana e këtyre regjimeve, i cili rëndom e merr trajtën e monopolizimit të virtytit, përkatësisht, në rastin e Kosovës, të monopolizimit të patriotizmit. Ec e përballu me «të vërtetën zyrtare», ec e përballu me të vërtetën e «çlirimtarëve» – ec e përballu me ta, kur ata janë «patriotët e dëshmuar», e ti i tillë mund të jesh vetëm nëse ata e konfirmojnë një gjë të tillë.

Përndryshe, ky monopolizim i të vërtetës në Kosovë është mjaft delikat. Fatkeqësisht, ai që e paraqet një faktor shumë të rëndësishëm, Universiteti i Prishtinës, që gjatë kohës së ish-Jugosllavisë ishte kështjellë e pamposhtshme e rezistencës kundër politikave të Serbisë dhe të regjimit të Millosheviqit, me çlirimin e Kosovës pavarësinë e vet intelektuale dhe shkencore e ka humbur pothuaj në tërësi. Edhe këtu, dërrmimi i Universitetit ka shkuar në të njëjtën mënyrë sikurse edhe dërrmimi i shoqërisë civile që e përmenda më parë. Ndërkohë që një numër i madh i profesorëve kanë mbetur me qëndrime të pavarura, dhe përpiqen ta ruajnë dinjitetin e intelektualit, këta janë të derelativizuar nga «profesorë» të paditur, që në Universitet janë futur të shumtën nga politika, dhe që, fatkeqësisht, e kanë rolin më të madh në vendimmarrjen në Universitet.

Përndryshe, politika Universitetin (si dhe shumë ndërmarrje publike si PTK, KEK, RTK, QKUK, etj., etj.) e përdor për disa qëllime: së pari, për «pensionimin» e kuadrove të dështuara politike – ata që dështojnë në politikë, i bëri profesorë autoritativë; pastaj, për blerjen e qetësisë sociale, me regjistrimin e njerëzve të shumtë nëpër studime, gjë që ata i bën t’i përmbajnë pakënaqësitë personale, meqë ua ruan shpresat për një të ardhme më të mirë. Por, në rastin e UP-së, është edhe një «funksion politik» që UP-ja duhet ta kryejë, e që ndërmarrjet e tjera publike nuk e kanë: është legjitimimi intelektual i pushtetit. Profesorët «shërbëtorë» shkruajnë «vepra» e bëjnë «analiza» për të dëshmuar «shkencërisht» se sa të lumtur që duhet të jemi që Kosova e ka këtë apo atë rrymë politike. Thjeshtë, përhapja e logjikës, po të mos e kishim fatin që t’i kemi këta, qentë nuk na kishin hëngër.

Duke pasur parasysh atë që perspektivat e personave që duan të merren me shkencë të  mirëfilltë në Kosovë nuk janë të shumta, dhe që Universiteti është një nga të rrallat që e kanë, është e qartë që vendimi i intelektualëve për t’i hyrë udhës së ndonjë disidence është pak i besueshëm. Dhe, përsëri, si edhe në rastin e përmendur të dërrmimit të shoqërisë civile kosovare nga strukturat udhëheqëse, kemi të bëjmë me një frikë shumë të madhe për gjëra fare të vogla.

A është shoqëria kosovare shoqëri pa ideale? Nganjëherë më ngjan si fshati te filmi «Netët e Bardha të postierit Aleksej Trjapizin» të regjisorit rus Andej Konçalovski, ku njerëzit nuk dalin dot nga kurthi i alkoolizmit, televizionit që i bën budallenj, korrupsionit dhe gjuhës vulgare. A gjendet edhe shoqëria kosovare në këtë kurth të skandaleve të përhershme, të cilat harrohen me shpejtësinë me të cilën shfaqen? Në këtë qorrsokak njerëzit bien në apati, mendojnë të emigrojnë, i përkushtohen fesë, drogës apo alkoolit.

Kjo është një çështje tjetër delikate. Në vitet ‘90 shqiptarët, pa pasur fare shtet, dhe në kushtet e një okupimi të vrazhdë, e patën organizuar një sistem shoqëror, politik, ekonomik, e të tjera, që ishte mjaft funksional duke i pasur parasysh rrethanat në të cilat u krijua. Atëherë gatishmëria për sakrificë për të mirën e përbashkët ishte e jashtëzakonshme. Ndërkaq, sot, thuaja sikur koncepti i të mirës së përbashkët nuk ekziston fare. Kështu që, shtrohet pyetja, cilët jemi ne, ata të viteve ‘90, apo këta sot.

Çështja këtu është në atë që njeriu në vete e mban edhe të mirën, edhe të keqen, dhe e shpreh atë që është e dobishme për të. Në vitet ‘90, mirësia e njeriut, përkushtimi për të mirën e përgjithshme, është shpaguar. Dhe njerëzit e kanë shprehur të mirën e tyre, thjeshtë, meqë kjo është çmuar nga mjedisi shoqëror. Ndërkaq, si është sot? Sot njeriu e bën një të mirë, dhe e pëson. E bën të mirën e dytë, të pestë, të dhjetë, të njëqindtë, dhe vazhdimisht e pëson. Dhe e sheh dikë që e bën të keqen e parë, të dytë, të njëqindtën, dhe vazhdimisht ecën përpara. Kështu që, edhe ai, edhe pse dëshiron të veprojë mirë, fillon të veprojë keq. Pse? Sepse sot e mira nuk të shpaguhet, shpaguhet e keqja. Pra, përgjigja në atë se cilët jemi ne, ata të viteve ‘90, apo këta të ditëve të sotme, është që ne jemi edhe ata të viteve ‘90, edhe këta të sotmit. Në atë kohë, e kemi shprehur të mirën që e kemi në vete, sot e shprehim të keqen; thjeshtë, sistemi i vlerave në vitet ‘90 na ka motivuar asisoji, ndërkaq, sistemi i vlerave të tashme, sot na motivon kësisoj. Dhe, pse ne sot e kemi një kësi sistemi të vlerave, ku sa më keq që të veprosh, aq më përpara do të ecësh? Thjeshtë, meqë këtë sistem të vlerave e kanë ndërtuar të këqinjtë, meqë ju konvenon dhe ju shpaguhet. Kur je në një situatë në të cilën sa më keq që të veprosh, aq më tepër do të përparosh, atëherë në krye të sistemit, edhe politik, edhe ekonomik, edhe shoqëror, dhe edhe të çdo sistemi tjetër, do të vijnë më të këqijtë.

Në këtë mënyrë, konsideroj që ne sot vërtetë jemi pa ideale, por jo pse nuk jemi të aftë të kemi ideale, por meqë rrethanat e sotme diktohen nga njerëz të cilëve idealistët ju pengojnë. Dhe, natyrisht, në kësi rrethanash, realiteti i atyre që kanë prirje të kenë ideale është i zymtë.

Publicistët dhe historianët gjermanë kur trajtojnë historinë e shqiptarëve në Ballkan potencojnë distancën e shqiptarëve ndaj shtetit («Staatsferne»). A është kjo edhe pasojë e sundimit osman? Osmanët ishin të shkathtë në pushtime, por jo edhe në administrim.

Është e vërtetë që në të kaluarën tonë ne kemi pasur periudha kur kemi shprehur prirje shumë të theksuara për anarki, si dhe distancë shumë të madhe nga shteti dhe rendi. Fundja, në Kosovë ne tash jemi duke kaluar pikërisht nëpër një periudhë të tillë. Mirëpo, ka pasur edhe periudha dhe prirje të kundërta. Në vitet ‘70 dhe ‘80 Kosova vërtetë ka qenë një krahinë e ish-Jugosllavisë, por e ka pasur një shkallë të vetëadministrimit, dhe kjo nuk ka pasur prirje anarkike, dhe, po ashtu, ka pasur prirje për rend – kuptohet, duke i pasur parasysh limitimet e shkaktuara nga natyra e ish-sistemit komunist. Më pastaj, nëse ne vërtetë jemi në një mënyrë të qenësishme me prirje anti-shtetërore, si do të mund të shpjegohej gatishmëria për sakrifica aq vigane për ta fituar pavarësinë – kur i kemi hyrë rrugës për Kosovën e pavarur ne e kemi ditur fare mirë se në çfarë rruge jemi duke hyrë dhe se çfarë na pret në të. Kështu që, mendoj që bindja e përhapur gjerësisht që ne në një mënyrë të qenësishme nuk jemi në gjendje të krijojmë dhe të udhëheqim shtet, dhe që ne gjithmonë kemi qenë të tillë, nuk është e vërtetë absolute – edhe pse nganjëherë është e vërtetë – dhe që si e pasaktë që është ju shërben vetëm atyre që sot janë në krye të shtetit dhe që duan ta përligjin paaftësinë e tyre për ta ndërtuar dhe udhëhequr atë. Është fjala për logjikën, po, ne vërtetë nuk po dimë të udhëheqim, por kur kemi ditur ne shqiptarët të udhëheqim shtet, që të dimë sot.

Klasa iluministe e intelektualëve të Kosovës për gati gjysmë shekulli ka nënvizuar se shoqëria shqiptare e Kosovës e ka vendin në Europë – si pjesë e civilizimit perëndimor. A ka qenë kjo më shumë një dëshirë larg realitetit? Sot në Kosovë njerëzit dalin në rrugë të përkrahin regjimin autoritar të Erdoanit. Përse nuk dalin të përkrahin Angela Merkelin, e cila në dy-tri vitet e fundit ka hapur 40 mijë vende të punës për shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe për qytetarë të Serbisë?

Kosova e ka vendin në Europë ashtu siç e ka theksuar, dhe e thekson, klasa iluministe e intelektualëve të Kosovës. Fakti që tash e kemi një ngritje të neo-otomanizmit dhe të admirimit për ish-Perandorinë Osmane dhe Turqinë e sotme tregon që klasa iluministe e intelektualëve të Kosovës është zvogëluar. Ky zvogëlim është njëri ndër dështimet më të mëdha të klasës politike kosovare. Tash për tash, më duket që prirjet pro-europiane në Kosovë janë dukshëm më të forta se neo-otomanizmi. Qytetarët e Kosovës mbase edhe janë të pakënaqur me atë që Europa nuk po na liberalizon vizat, por, megjithatë, si nevoja për Europë, ashtu edhe përkrahja e saj më duket se qëndrojnë mirë. Kuptohet, kjo mund të ndryshojë në ndonjë të ardhme afatmesme apo afatgjatë, dhe ky është një rrezik real dhe që duhet të mendohet seriozisht.

Ndërkaq, fakti që njerëz dalin në rrugë për ta përkrahur Erdoanin, por jo edhe Merkelin, më duket se është i shkaktuar nga disa faktorë. Së pari, ata që e admirojnë ish-Perandorinë Osmane dhe Turqinë e sotme, neo-otomanët, e kanë prirjen që këtë admirim ta shprehin si admirim ndaj personaliteteve. Ndërkaq, ata që e admirojnë Gjermaninë dhe Europën, e admirojnë Gjermaninë dhe Europën, jo ndonjë personalitet udhëheqës të saj. Pra, Gjermania dhe Europa merren si sistem i vlerave, jo si grumbull udhëheqësish. Po ashtu, Erdoani është politikan më popullist se Merkel, kështu që atë e përkrahin njerëz që janë më tepër të prirë nga mitingjet. Dhe, së fundi, fakti që Merkel i ka hapur 40 mijë vende pune për qytetarët e Kosovës, të Shqipërisë e të Serbisë, në Kosovë përmendet shumë më pak se fakti që Europa Kosovës nuk është duke ia liberalizuar vizat. Natyrisht që Erdoani dhe përkrahësit e tij në Kosovë dinë ta shfrytëzojë këtë dhe ta kthejnë në favor të vetin, dhe kjo – pa pasur aspak dëshirë ta «kushtëzoj» Europën – është diçka që BE-ja duhet ta merr parasysh seriozisht.

Ndërsa në Turqi demokracia liberale është duke u varrosur, ajo gjendet nën presion edhe në disa vende të Europës Lindore. A gjendemi para një epoke të antiliberalizimit?

Gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë konflikti midis dy blloqeve të mëdha, ku njëri ka qenë pro, dhe tjetri kundër, demokracisë liberale. Në atë kohë, meqë blloku që ka qenë kundër demokracisë liberale ka pasur pretendime globale, rreziku për demokracinë liberale ka qenë, edhe më i madh, edhe më i artikuluar. Si pasojë, në bllokun pro demokracisë liberale, përkushtimi ndaj saj ka qenë shumë më i fuqishëm. Ndërkaq, sot e kemi një botë unipolare, ku përkushtimi ndaj demokracisë liberale në bllokun që është pro saj është paksa më i lirshëm, thjeshtë, meqë ky bllok nuk konsideron që vetë ekzistenca e demokracisë liberale në përmasa globale është e kërcënuar. Kjo nuk do të thotë që demokracia liberale nuk është e kërcënuar në pjesë të caktuara të botës, dhe rasti i Turqisë së Erdoanit këtë e dëshmon mbase më së miri. Mendoj që epoka në të cilën gjendemi nuk është epokë e antiliberalizmit, por vetëm një në të cilën antiliberalizmi e ka përvetësuar një strategji të re të luftës kundër liberalizmit: nuk është strategjia ku antiliberalizmi përpiqet ta godasë liberalizmin me një numër të vogël të goditjeve të mëdha, por me një numër të madh të goditjeve të vogla. Po ashtu, sot anti-liberalizmi artikulohet më tepër në trajtë të ambicieve rajonale të ndonjë anti-liberali, sesa si ndonjë lëvizje e artikuluar globale. Prandaj, antiliberalë sot mbase edhe mund të ketë më shumë se që kanë pasur përpara, por antiliberalizmi i tyre nuk ka pretendime globale, por rajonale. Pra, antiliberalët tash nuk e ëndërrojnë të tërë globin, por vetëm rajone të caktuara. Dhe, natyrisht, vendet si Kosova, që nuk kanë ndonjë traditë të liberalizmit, janë posaçërisht të kërcënuara nga rreziku që të bien pre e ndonjë mini-superfuqie rajonale iliberale. Më duhet ta them me keqardhje që nëse ndodh kështu, atëherë kjo do të jetë një humbje shumë e madhe për Kosovën, por fare e vogël për demokracinë liberale në përmasat globale. Nëse na digjet bishti, kjo nuk do të thotë që u dogj e tërë bota. Ama, bishti i djegur do të na shkaktojë shumë dhembje.

Në këto rrethana çfarë tipi i politikanit i duhet Kosovës për të ruajtur kursin properëndimor, tolerancën mes etnive dhe besimtarëve të feve të ndryshme?

Një politikan që është në gjendje që Kosovën ta frymëzojë për ta mësuar ABC-në e demokracisë liberale, dhe para së gjithash, ABC-në e liberalizmit. Më duket që Kosova mbase edhe e ka përvetësuar demokracinë në aspektin formal, dhe që problemet e mirëfillta i ka me përvetësimin e liberalizmit si një komponentë thelbësore e demokracisë bashkëkohore, që kësaj demokracie i jep përmbajtje. Pra, Kosovës i nevojitet një politikan që është në gjendje që kosovarëve t’ua shpjegojë atë që liria nuk është, thjeshtë, liri nga Serbia, por shumë më tepër se aq. Një politikan që qytetarëve do t’ua bëjë me dije parësinë e shoqërisë ndaj shtetit, domethënë, atë që Kosova nuk është mbi ta, por në ta, që ata, jo vetëm që janë shteti i Kosovës, por edhe më tepër se aq, ata janë shoqëria e Kosovës. Në botë nuk ka shtet të përparuar në të cilin nuk kuptohet gjerësisht që shoqëria brenda atij shteti është më e rëndësishme se qeveria e tij – që, në të vërtetë, ai shtet, së bashku me qeverinë që e ka, janë ndërtuar vetëm e vetëm për t’i shërbyer asaj shoqërie. Aty ku qeverisja (dhe, rrjedhimisht, edhe Qeveria) është më e rëndësishme se shoqëria, dhe ku, rrjedhimisht, shoqëria i nënshtrohet shtetit – dhe nënshtrimi i shoqërisë nga ana e shtetit rregullisht fillon me nënshtrimin e individit nga shteti – aty nuk ka, dhe nuk mund të ketë përparim. Përparimi i njerëzimit ka qenë dhe është përparim i lirisë së individit dhe të njerëzve.

Ky është pra, tipi i politikanit që mendoj se i nevojitet Kosovës. A e mendojnë edhe të tjerët në Kosovë këtë tip, atë nuk e di. Mirëpo, mund ta them që më vjen shumë vështirë kur flas me njerëz, dhe i dëgjoj duke e shprehur dëshirën «që Kosova ta gjejë, më në fund, një udhëheqës të fuqishëm», apo «një udhëheqës të fortë». A mendoni vërtetë që Kosovës i nevojitet një «politikan i fuqishëm?» Shikoni, ta shtrojmë këtu një pyetje, a e di kush se cili ka qenë politikani më «i fuqishëm» apo më «i fortë» i shekullit njëzet? Përgjigja: Adolf Hitleri. Aq i fuqishëm ka qenë ai, saqë një fjalë e tij ka mjaftuar për të vrarë miliona njerëz. Dhe menjëherë pas Hitlerit, më i fuqishmi ka qenë Stalini. E pas tij, Maoja. Fundja, nëse «politikani i fuqishëm» është ajo që na nevojitet me të vërtetë, ku paska qenë atëherë pra problemi me Sllobodan Millosheviqin: asnjëri prej politikanëve tonë nuk mund as t’i afrohet për nga «fuqia». Konsideroj që është pikërisht kjo dëshirë e përhapur në mesin e njerëzve për ta pasur një «politikan të fuqishëm», ajo që, në kombinim me dobësinë reale të Kosovës, neve na i ka sjellë në krye këta politikanë që i kemi. Neve, pra, na nevojiten politikanë të drejtë dhe të mirë, jo të fortë. Këta që i kemi, të fortë nuk janë, ndërkaq, të drejtë dhe të mirë, jo vetëm që nuk janë, por as që ju shkon mendja të bëhen.

«Filozofi si politikan? Ai do të hynte në parti si kristal alpin dhe, pas pak javësh, do të humbte konturat apo do të largohej», thotë filozofi gjerman Richard David Precht. Në rastin tuaj, si sociolog dhe politolog, a keni menduar ndonjëherë të kyçeni në politikë?

Po, kam menduar, dhe në vitin 2004 u pata përfshirë për një apo dy muaj. Nuk do të shkoja aq larg sa të pretendoj që kam qenë si kristal alpin, por, vërtetë, duke mos dashur t’i humb konturat, pata vendosur të largohem – pra, në rastin tim Prechti ka pasur të drejtë. Me vërejtjen që fusha ime nuk është Filozofia, por Sociologjia dhe Shkencat Politike.

Si e shihni shembullin e fëmijëve të funksionarëve të dikurshëm të LDK-së, të cilët gjezdisin nëpër skenën politike të Kosovës?

Mendoj që fëmijët e funksionarëve të dikurshëm të LDK-së, si dhe të të gjithë funksionarëve të tjerë, e kanë, dhe duhet ta kenë, si edhe çdo person i moshës madhore, të drejtën për t’u kyçur në politikë dhe për të marrë çfarëdo qoftë vendimesh që ata i konsiderojnë të drejta. Vetëm se, nuk e konsideroj etike që ata fëmijë të përpiqen që ato vendime t’i legjitimojnë përmes emrave të prindërve të tyre. Rrëfimi «Jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës» është përmbyllur në janar të vitit 2006, dhe këtij rrëfimi, jo vetëm që nuk mundet, por, për më tepër, ky as që ka nevojë t’i shtohet a hiqet çfarëdo qoftë, madje as edhe nga vetë fëmijët e tij. Askush, përfshirë këtu edhe fëmijët e Ibrahim Rugovës, nuk e di se si do të votonte a vepronte sot Ibrahim Rugova po të ishte gjallë.

Ndonëse në rastin e Kosovës nuk mund të flasim për elita politike në kuptimin klasik, megjithatë: këto elita apo kjo klasë politike që sundon vendin prej vitesh a e ka humbur kontaktin me popullin?

Është shumë mirë që në pyetje e përdorët shprehjen «sundim», jo «qeverisje». Klasa politike që nuk qeveris, por sundon, nuk ka si ta humb kontaktin me popullin, meqë ajo kontakt me popullin kurrë as që ka pasur. Mund të ketë pasur përshtypje që kontakt me popullin ka pasur, por ky kontakt kurrë nuk ka qenë i mirëfilltë.

Sa problematike është thirrja në popull për çdo veprim politik, siç praktikon Lëvizja Vetëvendosje, për shembull?

Thirrja në popull për veprime a vendime politike është ndër çështjet më delikate të veprimtarisë politike. Nuk ka thirrje legjitime në popull për arsyetimin e veprimeve dhe të vendimeve politike, nëse kjo nuk shoqërohet me nivelin më të lartë të kulturës demokratike. Ndërkohë që vullneti i popullit duhet të bëhet, vazhdimisht duhet mbajtur mend që, edhe Holokausti, dhe – po të duam kështu – edhe të gjitha krimet që janë bërë kundër shqiptarëve nga Serbia, gjithmonë janë kryer si veprime «në emër të popullit» – këto, të paktën, janë legjitimuar kështu nga ana e atyre që i kanë kryer.

Këtë do ta ilustroja me disa shembuj që i mbajmë mend fare mirë nga përvoja jonë. Sa e sa herë Millosheviqi organizoi referendume ku «populli» serb duhej të vendoste për Kosovën. Dhe çfarë ndodhi? Populli serb vendoste me nga 99 për qind, e me nga 99.99 për qind, herë-herë edhe mbi 100 për qind, por bashkësia ndërkombëtare nuk e pranoi asnjërin nga këto referendume si legjitim. Po ashtu, as neve në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare nuk na e dha mundësinë e referendumit tre vjet pas përfundimit të luftës. Edhe këtu, ne do të vendosnim me 99 për qind, apo me 99.99 për qind pro – edhe pse, nuk besoj që do të dilnim mbi 100 për qind, por nuk i dihet, nganjëherë frymëzohemi edhe ne. Mirëpo, nga ana tjetër, referendumi i Malit të Zi për shkëputjen nga Federata Serbo-Malazeze u pranua si legjitim dhe fuqiplotë me vetëm 55 për qind (me sa e mbaj mend) pro shkëputjes. Pse malazezëve «vullneti i popullit» iu pranua me aq «pak», ndërkaq neve e Serbisë, me aq «shumë», jo. Përgjigja është e thjeshtë: meqë asnjërit nga 45 për qind të qytetarëve të Malit të Zi që votuan kundër pavarësimit të Malit të Zi nuk i ndodhi asgjë për shkak se votuan ashtu siç votuan. Është ajo që ju ndodh (apo nuk ju ndodh) atyre që votojnë «kundër» «vullnetit të popullit», ajo që e legjitimon apo delegjitimon «vullnetin e popullit». Pra, populli mund ta legjitimojë vullnetin e vet, vetëm duke i konsideruar si pjesë të barabartë të veten edhe të gjithë ata që votojnë «kundër» vullnetit të tij. Njëherë pasi ta kuptojmë këtë, jo vetëm që shprehja e «vullnetit të popullit» do të na lejohet, por, për më tepër, ky vullnet edhe do të pranohet. Sepse atëherë do të jemi vërtetë popull, dhe jo popull me disa «tradhtarë» përbrenda.

Në Kosovë prej vitesh vërehet një ashpërsim i diskursit politik dhe medial. Në një shoqëri të polarizuar dhe të ngufatur nga skandalet e aferat e korrupsionit kjo nuk paraqet ndonjë befasi të madhe. Fatal për diskursin publik është degradimi i gjuhës në mediat sociale, një arenë e përshtatshme për militantë partiakë dhe për trillues kujdestarë, pastaj jo më pak i dëmshëm është edhe fenomeni i portaleve partiake që funksionojnë si brigada për njollosje. Jo për ta ngushëlluar opinionin kosovar, por këtu po citoj një ese të botuar së fundi në gazetën gjermane «Die Zeit»: «Qe një kohë rreth botës nuk po vjen vetëm një valë e pafytyrësisë – por po përplaset një oqean. Ky është një problem më shumë se moral. Në rrezik është funksionimi i shoqërisë sonë». Si i shihni ju këto zhvillime të diskursit publik në kontekstin shqiptar?

Fatkeqësisht, degradimi i shoqërisë dhe degradimi i diskursit shkojnë bashkë si një rreth vicioz: çdonjëri nga këto dy degradime është, edhe shkaktar, edhe pasojë, e tjetrit. Degradimi i shoqërisë shkakton degradim të diskursit, dhe degradimi i diskursit shkakton degradim të shoqërisë. Dhe, përsëri fatkeqësisht, kjo është tejet e përshtatshme për – siç i quajtët për mrekulli – «militantët partiakë dhe trilluesit kujdestarë» me «portalet [e tyre] partiake që funksionojnë si brigada për njollosje».

Ajo që më duket e rëndësishme këtu është që një pjesë e madhe e njerëzve, për një kohë shumë të gjatë, para çlirimit të Kosovës, dhe para shembjes së komunizmit në Shqipëri, janë mësuar me mendësinë e njëmendësisë. Kërkohet «uniteti», uniteti i lëvizjes, uniteti i partisë, uniteti i kombit. Dhe kush nuk është pro, është tradhtar, i kombit, i partisë, i lëvizjes. Mirëpo, pas shembjes së komunizmit dhe çlirimit të Kosovës, vjen demokracia, dhe kjo, jo vetëm që nuk kërkon unitet, por, për më tepër, nuk e pranon atë. Tipari thelbësor i një demokracie të mirëfilltë është domosdoshmëria e diversitetit: diversiteti i interesave, pikëpamjeve, mënyrave (dhe – ajo me të cilën kurrsesi nuk po mësohemi – njohja e legjitimitetit dhe respektimi i interesave, pikëpamjeve dhe mënyrave të të tjerëve). Fatkeqësisht, mendësia e njëmendësisë mbetet te një numër i madh njerëzish, dhe – përsëri fatkeqësisht – ata që e ruajnë mendësinë e njëmendësisë janë pikërisht ata që vijnë në krye, kështu që ne tash na duhet të përballemi me diskursin e atyre që rrethanat që pranojnë vetëm diversitet përpiqen t’i shfrytëzojnë për të kërkuar vetëm unitet.

Kush shfleton revistat e viteve ’70, sheh se aty janë botuar portrete grash të suksesshme, raportohet për fabrika të hapura, dominojnë recensione mbi romanet e përkthyera dhe të botuara nga «Rilindja», në gazetë publikoheshin reportazhe nga Lindja e Afërt dhe Amerika. Natyrisht shumëçka ishte propagandë e ndikuar edhe nga Lidhja e Komunistëve. Dhe asgjë nuk duhet idealizuar, aq më pak atë periudhë. Por, a nuk është tragjedi shoqërore që prej debatit publik që formohej nga Gazmend Zajmi, Fehmi Agani, Rexhep Ismajli, Esad Mekuli, Anton Pashku, Ali Hadri, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova tani me ditë të tëra opinioni s’flet për gjë tjetër përveç se për marrëzitë e një imami të thëna në ndonjë xhami a mejtep?

Po, shikoni, çdo njeri ëndërron të bëhet i madh. Dhe janë dy mënyra si dikush mund të bëhet i madh në një shoqëri: së pari, duke e bërë veten më të madh se të tjerët në atë shoqëri, dhe, së dyti, duke i bërë të tjerët në atë shoqëri më të vegjël se vetvetja. Këta që «po bëhen të mëdhenj në Kosovë», me sa po shoh, nuk e kanë të qartë se sa e vogël duhet të jetë Kosova ashtu që ata të duken të mëdhenj në të. Besoj që krahasimi tejet i qëlluar i emrave të personaliteteve formësuese të debatit publik në vitet ’70, me marrëzitë e ndonjë imami të thëna në ndonjë xhami a mejtep, e qartëson fare mirë se sa i madh është çmimi që duhet të paguajë Kosova për ta pasur «madhështinë» e «të mëdhenjve» që sot i ka.

Kjo gjendje e depresionit të përgjithshëm shoqëror në Kosovë a e vështirëson identifikimin e qytetarëve me shtetin?

Ne kemi flijuar tepër shumë për ta bërë Kosovën shtet, dhe në fund shteti i Kosovës nuk na ka dalë ashtu siç e kemi menduar. Edhe pse mund të tingëllojë e vrazhdë, më duket që mënyra në të cilën qytetarët e Kosovës e shikojnë shtetin e Kosovës është e njëjtë me atë në të cilën prindi i një fëmije që lind me ndonjë defekt e shikon atë fëmijë menjëherë pas lindjes së tij. Abnormal po, por, deshe s’deshe, është i yti.

Në librin e tij të sapobotuar dhe brilant «Muzgu i Europës» intelektuali bullgar Ivan Krastev përshkruan kontinentin e tundur nga krizat. Ai paralajmëron një periudhë të dezintegrimit, kaosit dhe mjerimit si pasojë e rrëshqitjes së shteteve të Europës Lindore në il-liberalitet. A ekziston rreziku që elitat politike të Ballkanit të përpiqen të kopjojnë këto modele?

Shikoni, unë në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik për rreth një dekadë e kam ligjëruar lëndën Teoritë dhe modelet e demokracisë. Në këtë fushë është një mori punimesh që e kanë hulumtuar numrin e vendeve demokratike në botë që nga rënia e Murit të Berlinit, në kombinim me cilësinë e demokracisë në vendet demokratike gjatë kësaj periudhe. Dhe është një përfundim i përgjithshëm i pjesës më të madhe të këtyre punimeve që gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që numri i vendeve demokratike në botë ka shkuar duke u rritur, cilësia e demokracisë në vendet e veçanta demokratike ka qenë në rënie. Pra, e ashtuquajtura vala e tretë e demokratizimit, e shkencëtarit politik Samuel Huntington, në afat të gjatë është karakterizuar me rritje të demokracisë dhe me rënie të liberalizmit. Natyrisht që rreziku që elitat politike të Ballkanit ta gjejnë vendin e tyre në një kësi tendence globale ekziston, dhe, para së gjithash, duke e pasur parasysh traditën mjaft të begatë të iliberalizmit në këtë rajon.

Në fund do të doja të provojmë një eksperiment mendimesh. Në shekullin e XX janë tri grupe që kanë formësuar Kosovën: elitat komuniste të lindura kur po perëndonte Perandoria Osmane, të cilat kishin ambicie të mëdha për arsimim dhe emancipim të shoqërisë, pastaj gjenerata e fëmijëve të socializmit shtetëror, të cilët nuk hoqën dorë kurrë nga identiteti kombëtar shqiptar dhe u angazhuan për lirinë dhe në vitet ’90 për pavarësinë e Kosovës – dhe gjenerata që thirret në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila sundon Kosovën qe gati dy dekada, e cila në liri po lë gjurmë vetëm disa kilometra asfalt dhe – kjo është ana negative – dhjetëra afera korruptive e vendime të gabuara politike. Çka mund të pritet nga gjenerata e të pabindurve, në emër të së cilës po flet dhe bërtet Albin Kurti?

Kur po pres shumë e po del e kundërta, po dëshpërohem shumë. Kështu që, jam i prirë që nga gjenerata e të pabindurve të mos pres asgjë – jo pse konsideroj që nuk do të ofrojnë asgjë, por për t’iu shmangur mundësisë që të dëshpërohem në të ardhmen. Kështu që, ta shohim se çfarë do të ofrojnë e bëjnë.

Mentor Agani ka përfunduar studimet e doktoratës në Fakultetin e Filozofisë, dega e Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës, me temën: «Gellneri dhe Andersoni mbi kombin dhe nacionalizmin». Në Universitetin e Harvardit ai ka kryer një studim hulumtues mbi «Revolucionet franceze dhe amerikane në veprat e Alexis de Tocqueville». Agani po ashtu ka një master në çështjet publike dhe ndërkombëtare të Universitetit të Pittsburghut.

1 komente në “«Diktaturat komuniste kanë qenë të tmerrshme, por…»”

  1. Baliu says:

    Apatia e kosovarve eshte leht e shpjegueshme, edhe pse ky “sociologu” as perafersisht nuk ka mberrijte ta shpjegoj. Kur sundonte Serbia, kosovaret ankoheshin tek perendimi, e tash perendimi eshte ketu dhe zgerdhihet me tipa qe i ka fute ne listen e Gjykates se vet Speciale. Kujt ti ankohen tash kosovaret? Nene Terezes?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X