Programi i qeverisë: Bie premtimi për shëndetësi falas, shtohet premtimi për koncesione

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Duke pranuar se një pjesë e konsiderueshme e shërbimit shëndetësor në Shqipëri blihet me para drejtpërsëdrejti nga qytetarët, programi i qeverisë “Rama 2” duket se heq dorë nga premtimi i katër viteve më parë për “shërbim shëndetësor falas”, pretendon përmirësim dhe argumenton se “shëndetësia falas” është një “objektiv i një mandati madhor afatgjatë”. Programi premton gjithashtu koncesione të reja në sektorin e shëndetësisë.

Nga Gjergj Erebara

Programi i qeverisë “Rama 2”, i cili u miratua në Kuvendin e Shqipërisë orët e vona të së martës me 78 vota pro dhe që u publikua nga Kuvendi i Shqipërisë vetëm të mërkurën në mëngjes, tregon se qeveria nuk e sheh si të mundshme realizimin e njërit prej premtimeve kryesore të katër viteve më parë, shëndetësinë falas, por pretendon se gjendja është përmirësuar gjatë katër viteve të fundit.

Ndryshe nga sa qe premtuar katër vite më parë për shëndetësi falas, programi i ri i qeverisë pranon se mbi gjysmat e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësi janë drejtpërsëdrejti nga xhepi i njerëzve dhe jo nga sistemi i taksimit dhe se mbi 600 mijë shqiptarë janë aktualisht jashtë skemës kombëtare të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

“Për ne shëndeti mbetet një e mirë publike, prandaj financimi publik për kujdesin shëndetësor synohet të arrijë 60-65% të shpenzimeve totale të shqiptarëve për shëndetësinë (e gjetëm 43% në 2013), duke siguruar që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor”, thuhet në programin e qeverisë.

Të dhënat e qeverisë për shpenzimet e shqiptarëve duket se nuk mbështeten në fakte. Sipas databazës së Bankës Botërore, [link] shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve për shërbimin shëndetësor janë luhatur nga 49 në 50 për qind të të gjitha shpenzimeve kombëtare për shëndetësinë nga viti 2011 deri në vitin 2014. Në këto të dhëna nuk thuhet, siç pretendohet nga programi i qeverisë, se në 2013, shpenzimet nga taksat për shëndetësinë zinin vetëm 43% të totalit dhe nuk flitet për ndonjë përmirësim të këtij treguesi për vitet që pasuan. BB nuk jep të dhëna për vitet 2015 e 2016. Sipas këtyre të dhënave, shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve janë më të lartat në të gjithë kontinentin Europian, dhe me një distancë të largët edhe nga vendet e rajonit si Serbia, Bosnja apo Mali i Zi. Problemi me shpenzimet e qytetarëve nga xhepi për shërbim shëndetësor nuk qëndron thjeshtë që një pjesë e qytetarëve detyrohen të paguajnë për t’u shëruar pavarësisht nëse kanë apo jo para për të paguar, por te fakti tjetër, që sipas studimeve të ndryshme, janë pikërisht qytetarët më të varfër ata që detyrohen të paguajnë në krahasim me qytetarët e pasur, të cilët mund t’i shpëtojnë pagesave nën dorë për shkak të njohjeve dhe lidhjeve.

Qeveria pretendon gjithashtu se politikat e saj “kanë ulur çmimin e barnave me 30%”, pretendim që nuk mbështetet me ndonjë studim konkret, apo se “cilësia e barnave nuk është ulur” gjatë katër viteve të fundit, kur ilaçet e prodhuara nga kompanitë shqiptare u bënë zgjedhja e parë në shërbimin shëndetësor pavarësisht se  një pjesë e konsiderueshme e mjekëve argumentojnë kundër përdorimit të tyre si ilaçe jocilësore.

Më shumë koncesione në vend të shëndetësisë falas

Programi i qeverisë nuk premton shëndetësi falas, por krahas kësaj, mburret me koncesionet e dhëna deri tani si dhe premton se do të japë edhe më shumë koncesione në katër vitet e ardhshme. Në një dokument reklamë mbi programin e qeverisë të quajtur “Manifest 2017-2021”, dhe të publikuar në faqen e internetit të Partisë Socialiste, [link] qeveria pretendon se “1.3 milionë shqiptarë përfitojnë kontroll bazë shëndetësor pa pagesë”. Ky pretendim rezulton i pasaktë, pasi i ashtuquajturi Check Up falas, kërkohet dhe përfitohet aktualisht nga një numër shumë më i vogël shqiptarësh.

Pavarësisht kësaj, qeveria premton shumë më tepër koncesione të tilla.

Në programin e qeverisë thuhet: “Projektet e investimeve në shëndetësi do të zgjerohen me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe partneritetin publik privat. Vëmendje do t’u kushtohet qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale. Brenda vitit 2020 me anë të PPP do të ndërtohet spitali rajonal i Fierit si qendër ekselence shërbimesh për qytetarët. Brenda vitit 2021 do të ndërtohen 8 qendra të reja shëndetsore”.

Motoja e qeverisë për sektorin e shëndetësisë për katër vitet e ardhshme do të jetë: “shëndet për të gjithë”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

9 komente në “Programi i qeverisë: Bie premtimi për shëndetësi falas, shtohet premtimi për koncesione”

  1. arsela says:

    Ne cdo shtet te botes behen koncesione. Gjermania qe eshte superfuqia e europes vetem ne kete menyr funksion keshtu qe mos i merrni kaq alarmante keto lajmet e koncesioneve. Kur nuk ka fuqi shteti qe te investoj ather futen koncesioneve dhe ne kete rast populli e merr ate tani dhe jo mbas 10 vitesh

    1. artemis says:

      ne fakt keto praktika ndjekin shume vende per Shqiperine do ishte dicka pozitive se do rriteshin investimet spitalore gradualisht permiresohet dhe cilesia e sherbimeve

    2. abi says:

      shume e drejte eshte nje praktike qe po e vene ne zbatim shume vende keshtu te pakten eshte mundesia te investohet jo vetem ne Tirane por edhe ne plote qytete te tjera qe kane nevoja imediante per investime ne spitale duket shume e drejte per te permiresuar shendetesine

    3. Ti says:

      Ja fute kot! Më thuaj një kocesion që ka dhënë shteti gjerman e që ka të bëjë me shëndetin apo shërbime. Koncesionet jepen në fusha pa interes për ti zhvilluar

    4. Astriti Luzi says:

      Eshte shume e veshtire qe per kete buxhet shteti qe kemi ne , dhe per kete numer te madh individesh dhe biznesesh qe nuk paguajne taksa , te mblidhen mjaftueshem fonde per te paguar pagat, pensionet ,ndihmat ekonomike, te behen investime, te lahen borxhet e ser e ser detyrash qe kane financat. ne raste te tilla kur investimet publike ne cdo sektor mund te behen ne bashkepunim me biznese ne sherbim te popullit, mua nuk me duket aspak e keqe dhenia me koncension.

    5. Altina Tina says:

      Ne saj te keqinformimit njerzit kan marre ne tmerr nga fjala “Koncension”. Qetesohuni o njerez se sherbime me shume per ju jane.

  2. populli says:

    eshte program i realizueshem dhe i prekshem per te gjithe popullin. deri dje nuk kishe nje plan kokret por vetem fjale dhe dokrra. tani qe po prezantohen keto plane hidhen pupthi ata qe deri dje vetem kishin plane si ta rrenonin dhe te vidhnin sa me shume.

  3. Olta, sekretare organizative e partise says:

    Koncesionet jane nje dashuri e papare ,ato jane te mirpritura jane e vetmja zgjidhje ,me ndihmen e koncesioneve shqiperia do beje perpara 50 vjet ,populli do semuret dhe nuk do paguaj ,fati jone i madh qe kemi Edvin Koncesionin ne krye,dhe ameika anglia franca dhe gjrmania kane ecur perpara se kane shume koncesione ,koncesion = jete qejfi ,populli do sqaruar sepse nuk e kupton fjalen koncesion.

  4. Semi says:

    Partneriteti publik privat ka rezultuar eficent ne Shqiperi sepse ne kete menyre shteti ka arritur te menaxhoj dhe me mire buxhetin por edhe te sjelli ne menyre te qendrueshme organizimin e ekonomise. Mendos se kjo ceshtja e koncesioneve eshte bere si qimja e traut. Ka ardhur koha qe ne te mendojme me seriozisht duke i perkrakhur keto partneritete se ne fakt kjo rritje nga ato vjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *