DETAJET/ Tregëtia e minave me celular, heshtin “bosët” me “Volkswagen”. Ja dyshimet e policisë

Tri mina me celular që do të shiteshin në Tiranë janë zbuluar mbrëmjen e së martës në zonën e Yzberishtit gjatë një operacioni të Komisariatit nr.6. Në pranga përfunduan 2 të rinj që po transportonin bombat, ndërsa në hetim janë edhe disa persona të tjerë

Burime nga Policia thanë se dyshohet që minat me celular prodhohen e montohen në Vlorë, ndërsa më pas shiteshin sipas porosive.

Dy të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin asnjë shpjegim pas arrestimit, por burimet thanë që dyshohet se ata shërbenin për transportimin e tyre.

Nisur nga këto të dhëna operative, më- sohet se po kryhet një hetim i përbashkët mes Policisë së Tiranës dhe Policisë së Vlorës për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Policia tha dje se gjatë operacionit të koduar “Explosion”, u arrestuan shtetasit Jurgen Muho, 24 vjeç dhe Eraldo Kataroshi, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, moskallëzim krimi dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Arrestimi i tyre është bërë në rrugën “Teodor Keko”, pranë Yzberishtit në Tiranë, kur në makinën e 24- vjeçarit Muho u gjet një çantë ku ndodheshin minat me celular.

OPERACIONI

Policia e Tiranës tha dje se shërbimet e Komisariatit nr.6 finalizuan operacionin e koduar “Explosion”, duke vënë në pranga 2 persona që u kapën me tri mina me celular. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e këtij komisariati në bashkëpunim me Forcën e Posaçme të Operacioneve Speciale kanë arrestuar shtetasit Jurgen Muho dhe Eraldo Kataroshi.

“Arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer, pasi në sajë të punës së mirorganizuar hetimore, në rrugën ‘Teodor Keko’, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Volkswagen Polo’, i cili drejtohej nga shtetasi Jurgen Muho, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një çantë, brenda së cilës ndodheshin 3 mina të pajisura me telekomandë”, tha zyrtarisht Policia.

Burimet thanë se nga puna e mirëfilltë hetimore ka rezultuar se shtetasi Jurgen Muho bashkëpunonte me shtetasin Eraldo Kataroshi në lidhje me veprimet që kryente.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 mina të pajisura me aparat të markës celular “Nokia” (me qëllim shpërthimin e tyre në distancë dhe të pajisura me magnet), si dhe mjeti tip “Volkswagen Polo”.

TE ARRESTUARIT

Dy personat e kapur në flagrancë mbrëmjen e së martës në Tiranë, Jurgen Muho dhe Eraldo Kataroshi, janë arrestuar me akuzën “mbajtje pa leje e armëve, bombave apo minave ose lëndëve plasëse”, e kryer në bashkëpunim.

Pavarësisht kushteve të flagrancës, dy të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin shpjegime para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ata as nuk kanë pohuar dhe as nuk kanë mohuar nëse ishin në dijeni për minat që mbanin në makinë.

Por nga ana tjetër, nuk kanë treguar se për çfarë do t’i përdornin apo me kë kanë bashkëpunuar. Burimet thanë se ka dyshime që ata të jenë pjesë e një grupi që prodhon mina me celular në Vlorë dhe më pas i shet në vende të ndryshme sipas porosive./panorama

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *