BE: Marrëveshja e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi duhet të ratifikohet

15 Shtator 2017, 14:24Rajoni TEMA

BE-ja i rikujton qeverisë së Kosovës se nuk ka ndryshuar qëndrim rreth shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe reformat dhe punët që duhen kryer.

Bashkimi Evropian nuk ka ndryshuar qëndrim rreth shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Këtë qëndrim të BE-së, zëvendësdrejtoresha menaxhuese për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, ua  tha udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, gjatë një vizite në Kosovë, para se të niset për në Beograd.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar dhe ne konsiderojmë si shumë të rëndësishme që marrëveshja për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet. Dhe këtë shumë qartë ia kam bërë me dije kryeministrit, e kam diskutuar me të dhe këto janë pritjet tona”, tha Angelina Eichhorst në një konferencë për medie.

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e parë të punës së tij si kryeministër, shkarkoi nga detyra komisionin shtetërorë që ka bërë demarkacionin me Malin e Zi, por që versioni i tyre nuk mundi të ratifikohet në parlamentin e kaluar të Kosovës. Ishte vet Ramush Haradinaj, më i zëshmi kundër versionit të qeverisë së kaluar të demarkacionit me Malin e Zi dhe i cili vazhdon të besojë se ai shënim i vijës kufitare është gabim dhe ajo duhet korrigjuar. “Kanë ndodhur gabime në atë temë. Kufiri është në Çakorr dhe në Kullë. Nuk do t’i humbin kohë vendit me këtë temë, sepse kjo temë nuk do të jetë pengesë. Do të bëhet rishikimi i vijës kufitare”, thotë kryeministri Haradinaj.

Pala malazeze optimiste

Por, është pala malazeze ajo që thotë se për këtë shtet fqinjë “çështja e kufirit me Malin e Zi ka përfunduar”, ndërsa,  mospajtimet në Kosovë rreth kësaj çështje janë çështje e brendshme e Kosovës. Mediet në Mal të Zi, citojnë kryetarin e  Komisionit malazez për Shënimin e Kufirit, Milan Paunoviq, të ketë thënë se “situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve”. “Pavarësisht raportimit të medieve në Kosovë për shkarkimin e komisionit për caktimit e kufirit me Malin e Zi, marrëveshja e demarkacionit mes dy vendeve është ajo që është arritur para dy viteve”, citohet të ketë thënë Milan Paunoviq, duke shprehur bindjen se “në Kosovë do të gjendet një marrëveshje politike për ratifikimin e marrëveshjes”.

Veprimin e parë të kryeministrit Haradinaj, që shkarkoi komisionin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, nuk e kanë komentuar askush nga prania ndërkombëtare në Kosovë. Mirëpo, në interesimin e medieve, ambasada amerikane vazhdon të mbajë qëndrimin në mbështetje të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015. Një komision i State-Departamentit amerikan, pati konstatuar se “marrëveshja e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi është në rregull.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin marrëveshjen e arritur për demarkacionin e kufirit ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Malit ë Zi në  vitin 2015, me të cilën asnjëra nga shtetet nuk humbasin territor. Ne presim që kjo çështje të zgjidhet shpejt duke ruajtur marrëdhëniet konstruktive dhe shumë pozitive ndërmjet dy vendeve”, thuhet në përgjigjen për medie të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Çështja e komunave me shumcië serbe

Sidoqoftë, kryeministri i ri i Kosovës Ramush Haradinaj, tashmë ka përpara dy  tema shumë të ndjeshme që kërkojnë zgjidhje, “është ratifikimi në parlamentin e Kosovës i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, dhe themelimi i  asociacionit të komunave me shumicë serbe”, marrëveshje kjo e dakorduar në dialogun Kosovë-Serbi dhe e precizuar që të themelohet në marrëveshjen e 19 prillit 2013, ndërmjet kryeministrave të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daqic. Hashim Thaçi, tash President i Kosovës, tha të enjten në një bashkëbisedim më shoqërinë civile, se “sa më shpejtë të themelohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, do të jetë më mirë”, duke siguruar që ky asociacion duhet të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Sidoqoftë, zyrtarë të lartë të BE-së, e fundit zëvendësdrejtoresha menaxhuese për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, i rikujtuan qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj punët dhe reformat që duhet të bëjë kjo qeveri në integrimet e Kosovës drejt BE-së.

“Presidenti i KE-së Juncker e ka dhënë një deklaratë shumë të fuqishme, e cila ndërlidhet edhe me të qenit unik si BE dhe ka cekur rëndësinë që ka për BE-në sundimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale dhe që i referohen edhe rëndësisë posaçërisht kur i referohet Ballkanit Perëndimor. Është një përkrahje e pa rezervë për perspektiven evropiane për Ballkanin Perëndimor. Mendoj që ka ardhur koha që njerëzit që jetojnë në Kosovë ta ndjejnë këtë përkushtim fuqimisht”, tha në fund të vizitës së saj në Kosovë, Angelina Eichhorst.dw

1 komente në “BE: Marrëveshja e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi duhet të ratifikohet”

  1. Artan Sejko says:

    Nese per te hyre ne BE duhet te shkulim copa nga Shqiperia atehere c’na duhet kjo BE???!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje