Gjici, mbledhje me ekipin: S’e kuptoj si humbët me Egnatian, fitoni ndaj Partizanit dhe jeni të falur

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kukësi humbi takimin e parë në Kupën e Shqipërisë ndaj një ekipi modest si Egnatia e Rrogozhinës, ndeshje që verilindorët as nuk e diskutonin fare.

Përpos përballjes së lehtë në letër, realiteti i fushës tregoi tjetër gjë. Kukësi luajti me një pjesë të mirë të lojtarëve titullarë, por as ata nuk bindën, ndërsa pas takimit, trajneri Milinkoviç deklaroi se futbollistët do mbajnë përgjegjësi.

MBLEDHJA

Futbollistët u gjendën dje para presidentit Gjici, i cili mbas humbjes, dje iu dërgoi “haber” nëpërmjet vartësve të tij stafit dhe ekipit, që në orën 09:00 të mëngjesit i priste në zyrat e klubit. Mbledhja filloi në orën 09:00 të mëngjesit dhe zgjati plot një orë. Por, për fatin e mirë të stafit dhe vetë lojtarëve, presidenti Gjici ishte në humor të mirë, edhe pse mbas ndeshjes ndaj Egnatias e kërkoi ekipin me ngulm në mbledhje për t’u kërkuar llogari.

Të pranishëm në takim ishin trajneri Milinkoviç, ndihmës trajnerët Vasil Papa dhe Ivan Gvozdenoviç, pa harruar trajnerin e portierëve, Ermal Nexhipi, përgatitësit atletik, Marko Jovanoviç e Nikola Stankoviç. Lista e zyrtarëve të ekipit u plotësua nga menaxheri i klubit Naim Halili dhe shefi i klubit Jonuz Hallaçi. Presidenti Gjici nisi mbledhjen i vendosur dhe me seriozitet, por kjo zgjati vetëm pak minuta, pasi kreu i klubit dukej se ishte në një ditë të mirë dhe filloi batutat.

ZBARDHJA E MBLEDHJES

– Gazeta zbardh disa pjesë pikante të mbledhjes njëorëshe, ku presidenti fillimisht tha: “Vijmë këtu mbas një humbje të turpshme, ndaj një ekipi modest. S’e kuptoj se si ju e bëtë këtë humbje? Lojtarë me emër, ju e dini mirë sa paguheni dhe humbisni një takim. E di që do ta përmbysim duke fituar thellë ndeshjen e kthimit, po ç’rëndësi ka. Keni tri javë që jeni shumë keq, një futboll aspak i pëlqyeshëm”.

ULTIMATUMI

“Që të shlyeni të gjitha gabimet e bëra deri tani, ju e dini zgjidhjen. Përpara kemi ndeshjen me Partizanin, fitojeni ndeshjen në Tiranë dhe bashkë jemi në rregull, në të kundërt do më bëni të ndryshoj. Tri ndeshje të dobëta, tregojeni veten këtë javë dhe jeni të falur. Ndërroni ritëm, sepse kështu nuk kemi gjë në vijë”, mësohet t’u ketë thënë presidenti Gjici.

GJICI, “SHOW”

Në disa raste, trajneri Milinkoviç ka preferuar të ndërhyjë, por presidenti nuk e ka lënë shumë të flasë, përveç disa fjalive për ndeshjen dhe situatën. Një ndër batutat e tij me stafin ishte: “Po sa shumë qenkeni ju të stafit mor burrë, më shumë se futbollistët!”. Kjo shprehje ka shkaktuar të qeshura nën buzë te futbollistët.

Gjici më pas ka filluar të komunikojë me radhë me futbollistët, ku Allës i thotë se kur ka ndër mend të kthehet, si ka ecur me dëmtimin dhe a është gati për ndeshjen e radhës.

Gjici: “Alla, kur ke ndër mend të kthehesh, si po ecën me rikuperimin dhe a bëhesh për Partizanin?”.

Alla: “Kam filluar stërvitjen, besoj se po”.

Radhën e ka Simon Rrumbullaku.

Gjici: “Rrumbullaku ku je, ke humbur fare?”.

Ndërsa presidenti Gjici pyet, vijon me mbledhjen dhe ishte ish-lojtari i Kombëtares, Elis Bakaj, i cili ndërhyn për të qetësuar presidentin, duke i thënë se janë javët e para dhe është shumë herët, golat dhe fitoret do të vijnë.

“President mos u shqetëso, është vetëm fillimi, janë javët e para, golat dhe fitoret do të vijnë”, ka thënë Bakaj.

Në përfundim të mbledhjes, presidenti Gjici i ka lënë porosi ekipit për ndeshjen ndaj Partizanit: “Kërkoj nga ju të gjithë që të jeni të përqendruar, të jepni maksimumin, dua gola dhe fitore. Këtë javë dua vetëm fitore, ata që më njohin mua e dinë që unë dua në çdo ndeshje fitore e jo më ndaj Partizanit. Duhet të tregojmë veten, mos harroni jemi ekipi kampion, me këtë fitore i shlyeni të gjitha”./PanoramaSport/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *