Si u varros vepra shkencore e Sabiha Kasimatit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

 

Prof.Dr. Ferdinand Bego, Zoolog

ZvDekan për Projektet Shkencore dhe Qendrat Kërkimore dhe Zhvëllimore

Ajo që sot ka mbërritur duke i mbijetur kohërave të veshtira të së kaluarës komuniste mund të konsiderohet si maja e një aisbergu, sepse në fakt pjesa më e madhe e veprës së Sabiha Kasimatit, Monigrafia shkencore “Peshqit e Shqipërisë” e dërguar për botim nga autorja, nuk u botua kurrë dhe u tjetërsua pas vdekjes së saj. Gjej rastin të falenderoj Ambasadën e Italisë, përgjegjesin e Bibliotekës së FSHN, z. Petro Luarasi dhe studiues të tjerë për ndihmesën në gjetjen e këtyre dokumentave që hedhin dritë mbi të vërtetën e aktivitetit shkencor të Sabiha Kasimatit.

 

Deri në ditët e sotme kanë mbërritur dy botime të saj:

“Fauna iktike e ujërave të ëmbla të Shqipërisë”, teze diplome e vitit 1940, e mbrojtur ne Universitetit e Torinos, Itali, dhe artikulli me teme: “Probleme te Peshkut dhe të Peshkimit në vendin tone”, botuar ne vitin 1948, ne Buletinin e Institutit te Shkencave, institut ne te cilen Sabihaja punoi me perkushtim dhe pasion deri ne fund te jetes se saj.

Janë pak nga vepra e saj e mohuar dhe e tjetërsuar, por edhe kaq mjaftojnë për të kuptuar dhe vlerësuar dimensionin e kësaj studiuese të talentuar për kohën dhe periudhën në të cilën Ajo jetoi.

Sabiha Kasimati ka qenë e para studiuese biologe që jetën e saj të shkurtër ia kushtoi studimit të peshqëve të vendit tonë, dhe zhvillimit të peshkimit në baza shkencore dhe racionale.

 

Teza e saj e diplomës “Fauna iktike e ujrave të embla të Shqipërisë” është një punim i shkëlqyer diplome, i shkruar me një gjuhë të pasur dhe korrektësi shkencore, në të cilën ajo demostron njohuri të thelluara mbi shkencën e Iktiologjisë dhe të mjediseve me ujra të ëmbla të vendit tonë. Në të ajo përcakton dhe përshkruan me kompetencë shkencore pjesën më të madhe të llojeve dhe nënllojeve, racave apo varieteteve, të peshqëve të ujrave të embla të vendit tonë, të mbledhura nga autorja në liqenet kryesore të vendit (Shkodër, Ohër, Prespë, Maliq, Tërbuf, Belsh) dhe rrjedhat e tyre lumore, përfshirë edhe peshqit e lagunës apo liqenit të Butrintit.

 

Materiali mbledhur dhe ekzaminuar prej saj i përket të gjitha familjeve të peshqëve të urjave të embla të vendit tonë, si Familja Acipenseridae (e Blinëve), Familja Cyprinidae (e Kraporeve), Familja Clupeidae (kublës, açuges, sardeleve etj), Familja Serranidae (e levrekeve), Familja Mugillidae (e qefujve), Familja Salmonidae (e troftave), Familja Anguillidae (e ngjalës).

 

Tema e saj paraqiste interes të veçantë duke patur parasysh se, deri atëhere, ende nuk ishte kryer ndonjë punë sistematike mbi këtë temë dhe as ishte hartuar ndonjë listë e llojeve që përbëjnë faunën iktike shqiptare.

 

Puna kërkimore u parapri nga një përgatitje e detajuar dhe serioze, duke konsultuar të gjitha tekstet dhe artikujt e botuar mbi këtë temë nga autorë italianë, gjermanë, jugosllavë, apo autorë të tjerë, që autorja kishte patur në dispozicion në bibliotekën e Institutit të Zoologjisë te Universitetit të Torinos, ose nga miq e dashamirës që jetonin jashtë vendit.

 

Autorja kishte mbledhur edhe shumë ekzemplarë të faunës iktike të ujrave të kripura në brigjet shqiptare dhe në lagunën e Butrintit, studim i cili, megjithëse i tejkalonte objektivat e temës së kësaj diplome, gjithsesi ishtë bërë dhe paraqitur si një shtojcë e punimit të Diplomës.

Materialit i bollshëm iktiologjik i mbledhur u shqyrtua dhe u studiua në mënyrë skrupuloze nga Autorja në laboratorin e Institutit të Zoologjisë dhe ashtu siç shkruan vetë autorja “…në disa raste ekzaminimi më ka lejuar të gjej karakteristika që nuk korrespondojnë plotësisht me ato të përshkruara nga autorët e përmendur në bibliografi,…..”.

Në këtë punim Autorja e ka gjykuar të përshtatshme të jap edhe një përshkrim të shkurtër të ambjenteve të ndryshme ku jetojnë peshqit dhe ku u krye mbledhja e materialit biologjik. Autorja ka dhënë rezultate interesante jo vetëm në lidhje me madhësinë e variacioneve specifike brendallojore, por edhe sepse shpesh ajo korrigjon disa pohime të autorëve që janë marrë me peshqit e ujrave të ëmbla. Bibliografia e pasur prej 71 burimesh të autorëve më të njohur të shkencës së iktiologjisë të kohës, dhe njohuritë e thelluara në iktiologji i lejuan asaj që me kuroja të plotësonte dhe korrigjonte gjetjet e studiuesve të njohur të asaj kohe si dhe të jepte një kontribut shtesë në pasurimin e përshkrimit të llojeve, nënllojeve dhe varieteteve të reja në vendin tonë, të papërshkruara nga autorë të tjerë më parë. Kështu, për shembull, autorja kishte konstatuar praninë e Barbus prespensis në liqenet e Maliqit, të Ohrit dhe në lumin Shkumbin, ndërsa studjuesit Karaman dhe Steindacheer pohonin praninë e llojit vetëm në liqenin e Prespës. Apo faktin edhe më interesant, siç ishte prania e Solea vulgaris aegyptica (Chab. 1927) në ujërat e brigjeve shqiptare, që deri atëhere mendohej se gjendej vetëm në brigjet egjiptiane; në lagunën e Butrintit autorja kishte gjetur katër ekzemparë të këtij nënlloji, me madhësi të ndryshme.

Studimi përmban edhe një paraqitje të hollësishme të vëzhgimeve të kryera mbi materialin e mbledhur. Për çdo lloj dhe varietet autorja ka përcaktuar karakteristikat dhe i ka paraqitur rezultatet e studimit në formë tabelare, ku për çdo lloj tregohet: (i) numri i ekzemparëve të studiuar, të ndara sipas vendit ku janë mbledhur; (ii) Gjatësia trupore e cdo individi (nga maja e turirit deri në fund të pendës së bishtit); (iii) Numri i luspave përgjatë vijës anësore nga kapaku i velzave deri në bazën e pendës së bishtit; (iv) Numri i rrezeve të pendës shpinore (numrat romakë tregojnë numrin e rrezeve të plota, numrat arabë numrin e rrezeve të degëzuara); (v) Numri i rrezeve të pendës anale; (vi) Numri i rrezeve të pendës së bishtit; (vi) Numri i rrezeve të pendëve të barkut; dhe (vii) Numri i rrezeve të pendëve të gjoksit.

 

Autorja me kompetencë paraqet disa shënime që ilustrojnë ndryshimet e gjetura në lidhje me përshkrimet e bëra nga autorët e konsultuar rreth pamjes së jashtme, profilit dhe karakteristikave të tjera që nuk mbulohen nga karakteristikat e lart përmendura. Është interesante të theksohet se shumë shpesh karakteristikat e gjetura nga autorja, për mostrën tipike apo “holotipin”, i tejkalojnë kufijtë e caktuar nga autorë të ndryshëm.

 

Për sejcilën nga mjediset e ujrave të ëmbla, autorja jep një listë të specieve, nënspecieve dhe varieteteve apo formave që formojnë faunën iktike të tyre, si Peshqit e Liqenit të Shkodrës (23 lloje), Liqenit të Ohrid (19 lloje), Liqenit të Prespës (12 lloje), Liqenit të Maliqit (10 lloje), Liqenit të Belshit (6 lloje), Liqenit të Tërbufit (7 lloje).

 

Punimi përmbyllet me një pjesë të posaçme që Autorja i kushton kujdesit që duhet treguar për të njohur, vlerësuar dhe mbrojtur faunën iktike të ujrave të embla të vendit tonë dhe vënë në baza racionale dhe shkencore peshkimin dhe pishikulturën në Shqipëri. Për këtë ajo parashtron edhe rrugët në të cilat duhet ecur, si:

1) Krijimi i stacioneve të riprodhimit artificial të peshqeve për inkubimin e vezëve dhe rritjen e rasateve

2) Krijimi i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut, të cilat do të mund të shërbenin si shembull dhe të inkurajonin përhapjen e metodave racionale të peshkimit, me përfitim ekonomik dhe jo të dëmshme.

3) Mbështetja e eksportit, veçanërisht me Italinë, e cila, në qoftë se do të kishte pasur mjete të përshtatshme transporti dhe magazinimi, mundej që me përfitim reciprok, të thithte sasi shumë të mëdha të peshkut.

4) Shëndetësimi i zonave malarike përgjatë bregdetit, ku peshkimi mund të japë rezultate shumë më të mira në luftimin e kësaj sëmundje.

5) Rishikimi i legjislacionit të peshkimit, ndalimi i metodave të peshkimit tejet të dëmshme (përdorimi i dinamitit, lëndëve helmuese, gjuetia me rrjeta kositese fundore) dhe ngritja e një shërbimi mbikqyrës.

…rrugë këto që tingëllojnë aktuale edhe sot pas kaq vitesh e dekadash, por që mbi të gjitha janë dëshmi e dimensionit të jashtëzakonshëm intelektual dhe vizionar të Sabiha Kasimatit.

Në punimin e saj 8 vjetë më pas (1948) të titulluar “Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë”, Sabiha Kasimati na shfaqet si një personalitet i spikatur dhe plot kompetencë në fushën e Iktiologjisë dhe peshkimit. Njohëse e thelluar e pasurive iktike të vendit tonë dhe luftëtare për ruajtjen e kësaj pasurie të vyer natyrore për Shqipërinë dhe shqiptarët, ajo në këtë punim brilant të shkruar me një gjuhë të pasur dhe kompetencë shkencore, jo vetëm që i bën një diagnozë gjendjes së peshkut dhe peshkimit në vendin tonë, por zhvillon edhe më tej vizionin e saj për ruajtjen, mbrojtjen dhe pasurimin e vlerave iktike të ujrave të embla dhe të kripura, duke përvijuar drejtimet kryesore në të cilat duhet ecur, për t’a bërë peshkimin ashtu siç ëndërronte Sabihaja “…një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë sonë kombëtare… që do të kontribuojë esencialisht në pasurimin dhe mirëqënien e popullit tonë”.

 

Duke e përmbyllur fjalën time në këtë takim përkujtimor, mendoj se është detyrimi ynë si studiues që të ndriçojmë dhe ngrejmë në vendin që meriton vepra dhe kontributi shkencor i studiueses së talentuar Sabiha Kasimati dhe t’a bëjme atë të njohur për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të shkencës shqiptare. Në këtë kontekst, më lejoni që t’i shpreh mirënjohjen tonë të thellë Ambasadës Italiane në Tiranë për sjelljen në Shqipëri të tezes së diplomës së autores “FAUNA IKTIKE E UJËRAVE TË ËMBLA TË SHQIPËRISË”, duke mundësuar që tashmë studiuesit e sotëm dhe të ardhëshëm t’a njohin dhe t’i referohen asaj. Përgëzoj iniciativën e z. Petro Luarasi për përkthimin dhe botimin në shqip të kësaj diplome. Propozojmë që kjo diplomë, në gjuhën italiane dhe e përkthyer, të shpëndahet në Bibliotekën Kombëtare dhe të gjitha bibliotekat e universiteteve dhe qendrave kërkimore në vend për t’u njohur dhe referuar nga studiues vendas dhe të huaj të fushës së Iktiologjisë dhe Peshkimit. Gjithashtu, bashkohem me propozimin edhe të kolegëve të tjerë biologë të Departamentit të Biologjisë dhe Qendrës së Kërkimeve të Florës dhe Faunës që pavioni i peshqëve pranë Muzeut të Shkencave të Natyrës të marrë emrin e Sabiha Kasimatit dhe në të të vendoset një përkujtimore në nderim të kontributit të saj si Iktiologe e parë e Shqipërisë. Në këtë vit jubilar të 60-vjetorit të krijimit të Universitetit të Tiranës, emri i Sabiha Kasimatit do të kujtohet me nderim të veçantë në Konferencën e Shkencave të Natyres dhe Teknologjisë që do të zhvillohet në datat 17-18 Nëntor, 2017.

 

Ju faleminderit Sabiha Kasimati për gjithshka që bëtë dhe dhatë për Iktiologjinë shqiptare.

 

 

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Si u varros vepra shkencore e Sabiha Kasimatit”

  1. Edkari says:

    Te botosh per te vuajturit gjate diktatures ne kete gazete
    eshte poshtersi qe botuesi duhet ta paguaje.

  2. NK says:

    Vazhdoni e botoni, TEMA!
    Lexova me lotë në sy…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *