Tirana nis rikthimin me Ilirinë

Tirana do të nisë këtë sezon një aventurë tjetër nga ajo çfarë kishte përjetuar deri tani; Kategorinë e Parë. Bardheblutë do të luajnë ndaj Ilirisë në ndeshjen e javës së parë të kampionatit, një sfide kjo që sipas trajnerit Ze Maria është hapi i parë  drejt rikthimit në Kategorinë Superiore.

“Kemi vendosur 3 objektiva dhe njërin e arritëm; suksesin në Supërkupën e Shqipërisë. Tani nisim rrugëtimin tonë për fitimin e Kategorisë së Parë. Sigurisht nuk është Kategoria Superiore, por gjithsesi është kompeticioni që do të na japë mundësinë për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar dhe ky është synimi ynë”, thotë trajneri Ze Maria.

Përsa i përket sfidës me Ilirinë, Ze Maria theksoi se është i bindur se ajo do të bëjë gjithçka për të fituar ndaj Tiranës, ashtu si dhe ekipet e tjera në Shqipëri.

“Nuk kam shumë informacione, por kam vënë re se në Shqipëri të gjitha skuadrat duan të mundin Tiranën. E pamë edhe ndaj Besës. Me Ilirinë duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos relaksohemi siç bëmë në pjesën e parë të ndeshjes në Kavajë. Duhet të shfaqemi të bindur për potencialin tonë dhe të mos i lëmë hapësira asnjë kundërshtari”, shprehet ai.

Tirana për herë të parë në historinë e saj luan në Kategorinë e Parë që kërkon një motivim të madh dhe Ze Maria e di zgjidhjen.

“Kur flitet për motivimin, kur e diskutoj me futbollistët, motivimi më i madh është veshja e fanelës së Tiranës, pavarësisht në çfarë kampionati luan e cilët janë kundërshtarët”, deklaron trajneri bardheblu.

Sfida mes Tiranës dhe Ilirisë do të luhet të shtunën në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”./TCH/

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *