Xhafaj pret Nënsekretarin e Ministrisë së Jashtme britanike: Forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme dhe kreun e Shërbimit Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar, Simon McDonald, i cili shoqërohej nga ambasadori Britanik në Tiranë, Duncan Norman.

 

Në këtë takim, ministrit Xhafaj iu dorëzua një letër e autoriteteve britanike përmes së cilës shprehen urimet për riemërimin si Ministër i Brendshëm, shoqëruar gjithashtu me vlerësimet për marrëdhënien produktive gjatë mandatit të tij të parë si Ministër i Punëve të Brendshme, duke shprehur sigurinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh me qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit.

 

 “Besojmë se kemi hedhur farën e një partneriteti të dobishëm për të dy palët në një sërë fushash që kanë të bëjnë me sigurinë. Një mandat i ri për partinë tuaj, së bashku me një mandat të ri për ju personalisht si Ministër i Brendshëm, do të bëjnë të mundur që ky partneritet të rritet më tej”, citohet ndër të tjera në letër.

Gjithashtu, në letër përcillen propozime konkrete të qeverisë britanike për të ndërtuar një bashkëpunim efikas në fushën e luftës krimit si dhe për mbështetjen konkrete që do t’i ofrohet Ministrisë së Brendshme në fushën e ndërtimit të kapaciteteve për Policinë e Shtetit, veçanërisht asaj kufitare, ofrimin e ekspertizës akademike për Akademinë e Sigurisë, si dhe mbështetje nga Kolegji i Policisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Pala britanike, theksoi se gjatë muajve të verës “ka hartuar një paketë gjithëpërfshirëse mbështetje, e cila do të përmbush këto kërkesa. Ne besojmë se ajo përcakton balancën midis masave afat-shkurtra, masave për rritje kapacitetesh dhe strategjive afatgjata parandaluese. Paketa pasqyron angazhimin tonë ndaj Shqipërisë dhe marrëdhënies tona dypalëshe: Mbretëria e Bashkuar qëndron përkrah Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar”

Ministri Xhafaj i shprehu falënderimet e përzemërta për vlerësimet e larta lidhur me punën e tij, si dhe për mbështetjen që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është angazhuar t’i ofrojë në muajt në vijim për përmbushjen e disa prioriteteve kyçe në fushën e luftës kundër krimit.

Në takim u trajtuan gjithashtu edhe një sërë çështjesh, që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore (veçanërisht minorenëve), çështja e azilkërkueseve shqiptarë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, përmirësimi i regjimit kufitar shqiptar për parandalimin e azilkërkimit, ndërtimi i kapaciteteve të Policisë shqiptare, shkëmbimi i informacionit, hetimet e përbashkëta, ekspertiza akademike që pala britanike mund të ofrojë për Akademinë e Sigurisë etj.

Pala britanike u shpreh e gatshme për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për të gjitha fushat e sipërpërmendura përmes asistencës teknike dhe mbështetjes me logjistike për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të strukturave të Ministrisë dhe atyre të Policisë së Shtetit. Në takim u diskutua edhe për krijimin e skuadrave të përbashkëta policore për hetimin e përbashkët lidhur me grupet kriminale që veprojnë në të dy vendet dhe u ra dakord për konkretizimin shumë shpejt të këtij projekti në nivel teknikësh.

Në fund të takimit, McDonald njoftoi ministrin shqiptar se vitin që vjen Britania e Madhe do të jetë vend pritës i Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga të dy palët u shpreh gadishmëria për të prezantuar në këtë takim hapa dhe rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *