ANALIZA/ Erdoani ka qejf t’i referohet sulltanëve, por kjo s’është punë e mençur

16 Shtator 2017, 17:20Bota TEMA

Në revolucionin e tij konservator në Turqi presidenti Rexhep Taip Erdoan idealizon të kaluarën osmane. Por, Perandoria Osmane është fundosur pikërisht nga islamizmi politik, të cilin e propagandon Erdoani. Në Ballkan kjo Perandori nuk ka lënë bash asnjë gjurmë të shtetit modern.

«Fatih Pushtuesi» quhet një film i xhiruar më 2012, prodhimi i të cilit ka kushtuar 16 milionë dollarë dhe kësisoj është ndër projektet më të shtrenjta kinematografike të Turqisë moderne. Me imazhe opulente dhe animacione kompjuterike filmi lartëson pushtimin e Konstantinopojës nga ana e Sulltanit osman Mehmetit të II-të më 29 maj 1453. Kur nisi të shfaqej në kinema, vëzhguesit perëndimorë u habitën me deformimin e hapur të historisë dhe me nëntonin e fuqishëm islamik të filmit.

Njëkohësisht seria televizive turke «Shekulli i madhërishëm», e njohur edhe si «Sylejmani i Madhërishëm», «pushtoi» shikuesit në 47 vende të Ballkanit dhe të Orientit. Ajo prezanton një pamje opulente të Perandorisë së shekullit të ‘16.

Në retrospektivë kjo mund të kuptohet si instrumentalizim i së kaluarës Perandorake nga ana e islamistëve që sundojnë në Ankara.

Parulla e tyre është neo-osmanizmi, me të cilin shpesh përshkruhet politika e AKP-së qeverisëse. Kjo parullë ndërlidhet me ish-ministrin e Jashtëm Ahmet Dautollu, por edhe me propagandën e AKP-së brenda vendit. Çfarë ka të bëjë e gjithë kjo me politikën turke?

Kur vizitojnë krahinat e dikurshme të Perandorisë Osmane, politikanët udhëheqës turq të partisë qeverisëse AKP thirren në trashëgiminë e kësaj Perandorie: në vitin 2009 Dautollu tha në Bosnjë se Perandoria paskësh qenë një histori suksesi, e cila duhet të përtërihet. Në vitin 2013 Erdoani deklaroi në Prizren se Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë.

Në vitin 2015 ushtarët turq i sollën nga Siria në Turqi eshtrat e Osmanit – gjoja gjyshit të themeluesit të dinastisë. Aktet e tilla e shoqërojnë ndikimin turk në rritje në politikën, ekonominë dhe shoqëritë e shteteve pasardhëse të Perandorisë në Ballkan dhe në Lindjen e Afërt. Por, deri më tani Turqia nuk e ka formuluar një doktrinë të vërtetë neo-osmane për politikën e jashtme.

Gjatë analizimit të politikës së regjimit turk ndaj historisë duhet të bëhet dallimi mes politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Në të dy rastet AKP dëshiron të prezantojë një imazh tejet pozitiv të Perandorisë Osmane. Kjo bëhet përmes disa formave: Perandoria Osmane si kulturë e shkëlqyer botërore. Perandoria Osmane si Perandori islamike. Perandoria Osmane si fuqi tmerruese ushtarake.

Perandoria Osmane si Perandori multikulturore dhe – në krahasim me Perëndimin – e hapur dhe tolerante. Prej këtyre copëzave elita qeverisëse turke zgjedh mesazhin varësisht se për cilën adresë bëhet fjalë.

Brenda Turqisë prezantohet një imazh i qartë – imazhi i një Perandorie të fuqishme islamike të kombit turk, të një fuqie euroaziatike dhe civilizimi me qendër në Stamboll. Rrjedhimisht, qeveritarët po e osmanizojnë arkitekturën, inskenimin politik dhe kulturën memoriale.

Në drejtim të botës së jashtme – në shtetet pasardhëse të Perandorisë dhe në Perëndim – dërgohen mesazhe të ndryshme: Turqia po përpiqet t’i bëjë për vete shtetet e Ballkanit të karakterizuara nga islami, duke kujtuar trashëgiminë e madhe të përbashkët, e cila, me sa duket, na qenkësh në kontrast me shumë shtete të vogla dhe modeste të sotme. Islami dhe shkëlqimi perandorak, por edhe sukseset e përbashkëta ushtarake janë elemente të këtij diskursi me orientim të qartë antiperëndimor.

Në shtetet e sotme pasardhëse të Perandorisë Osmane, të cilat janë të karakterizuara nga krishterimi, punohet me demonstrim të fuqisë dhe me nëntone antiperëndimore. Në drejtim të Perëndimit argumentohet ndryshe: skicohet imazhi i një Perandorie tolerante, superiore sa i përket civilizimit, të hapur ndaj botës – dhe përballë këtij imazhi vendoset ai i një bote perëndimore konfesionalisht të ngushtë, e cila përndjekë besimtarët e feve të tjera.

Në të gjitha rastet AKP shfrytëzon shkathtë revidimin e stereotipave negativë mbi osmanët. Korrigjimi i tyre në bazë të hulumtimeve historike është prej dekadash synim i historianëve liberalë në Ballkan, por edhe i shumë hulumtuesve perëndimorë.

Por, AKP është e interesuar që imazhin njëanshëm të zi ta zëvendësojë me një imazh njëanshëm të bardhë. Ngathtësia postkoloniale dhe postmoderne në Perëndim ia lehtëson këtë punë palës turke. Kështu mund të synohet rehabilitimi i civilizimit islamik të margjinalizuar pa të drejtë dhe të trajtuar si i dorës së dytë.

Natyrisht politika turke ndaj historisë nuk ka të bëjë pothuaj asgjë me realitetin historik. Para së gjithash ajo injoron shkaqet për rënien dhe dështimin e Perandorisë Osmane. Elementet thelbësore të politikës së memories të Erdoanit janë: faza e pushtimit (shekulli ‘14 deri ‘16), karakteri islamik dhe toleranca si dhe thirrja në Sulltan Abdylhamitin e II-të (1876-1909).

Kush e quan të kaluarën osmane në Ballkan si «histori suksesi» ashtu siç vepron Dautollu, atëherë ai i injoron pasojat tepër të rënda demografike të pushtimit, i cili zgjati gati një shekull e gjysmë dhe motori kryesor ekonomik i të cilit ishte grabitja e njerëzve dhe tregtia me skllevër.

Konsolidimi i sundimit osman në Ballkan u arrit me çmimin e dëmtimit në pjesën më të madhe të shoqërive dhe kulturave të krishtera. Ndërsa brenda Turqisë karakteri islamik dhe ushtarak i këtij ekspansioni përdoren hapur në mënyrë propagandistike dhe sipas kutit të ideologjisë islamiste të AKP-së, diskurset e tilla ngjallin ndjenja të përziera edhe te pjesët e popullsisë myslimane në Ballkan, veçanërisht te shqiptarët.

Koncepti i tolerancës osmane ndaj të krishterëve dhe hebrenjve pothuaj nuk luan rol në propagandën e AKP-së. Ajo drejtohet ndaj Perëndimit dhe ecën paralelisht me akuzat për gjoja islamofobinë e shoqërive europiane. Me qejf vihen përballë luftërat fetare europiane dhe gjoja harmonia fetare në Perandorisë Osmane.

Por, shekulli i ’17 te myslimanët osmanë ishte një kohë e ashpërsimit radikal religjioz, kur të krishterët përndiqeshin si myslimanë që konsideroheshin heterodoksë. Popullsia e krishterë neglizhohej sistematikisht edhe në kohërat e qeta dhe vuante nga pasiguria endemike ligjore.

Presidentit turk i pëlqen shumë dhe shpesh t’i referohet Sulltan Abdylhamitit të II-të. Ai ka qenë «delja e zezë» e Turqisë kemaliste dhe tani po rehabilitohet nga AKP-ja: një autokrat që sundonte në mënyrë absolute, i cili shfuqizoi Kushtetutën e vitit 1867, i cili mbështetej plotësisht në aparatin e sigurisë dhe islamin e mobilizoi si resurs politik, duke e shfrytëzuar statusin e tij si kalif në kuptim të pansilamizmit për të siguruar pushtetin e tij kundër nacionalizmave në lindje e sipër të myslimanëve (arabëve, shqiptarëve, turqve, kurdëve). Në sundimin e tij mes viteve 1894 dhe 1896 u kryen masakrat e para të mëdha kundër popullsisë armene me dhjetëra-mijëra të vrarë. Erdoani e sheh veten si Abdylhamit të ri.

Propaganda thotë se kundërshtarët e Sulltanit janë edhe sot armiq të Turqisë: reformatorët e orientuar drejt Perëndimit, prej të cilëve u zhvilluan kemalistët, dhe fuqitë perëndimore.

Por, koncepti i historisë i AKP-së në rastin e Abdylhamitit injoron jo vetëm despotizmin dhe vrasjet masive, por edhe shpërbërjen evidente të Perandorisë Osmane, e cila më 1908 rezultoi me një puç ushtarak të të ashtuquajturve xhonturq dhe më 1909 me shfronësimin e monarkut. Perandoria dështoi pikërisht për shkak të atij islamizmi politik, të cilin po e lartëson sot Erdoani: e mbetur pas Perëndimit në aspektin teknologjik dhe ekonomik, perandoria dëshironte të reformohej në shekullin e ’19.

Për të arritur këtë ishte e domosdoshme barazia e popullsive të krishtera, të cilat në shumë pjesë të Perandorisë ishin të rëndësishme, ndërsa në Ballkan përbënin shumicën, por kjo luftohej me këmbëngulje nga myslimanët osmanë, sepse ndjenja shumëshekullore e superioritetit ishte ngulitur thellë në mendësinë e tyre. Emancipimi kombëtar i të krishterëve nxiti edhe nacionalizmin e turqve myslimanë dhe të shqiptarëve, të cilët nuk i prekte më panislamizmi. Fuqia integruese e Perandorisë, e cila ishte tejet e dobët te të krishterët, dështoi gjithnjë e më shumë edhe te myslimanët, të cilët ishin shtylla të Perandorisë.

Nacionalizmi turk, i cili e gjeti vatrën e tij në Anadollin e përzier kulturalisht, ishte njëri prej faktorëve kryesorë të gjenocidit dhe dëbimit të miliona të krishterëve në Azinë e Vogël. Perandoria Osmane u mposht në Luftën e Parë Botërore nga Fuqitë e Antantës. Mbi rrënojat e saj u krijua Turqia kemaliste, të cilën AKP e lufton në aspektin politiko-historik. Me atë rast ajo injoron arsyet dhe rrethanat e dështimit të Perandorisë së vonshme osmane: despotizmin e sulltan-kalifit, refuzimin me dekada të reformave, varësinë e madhe ekonomike nga bota e jashtme, disfatën në Luftën e Parë Botërore dhe gjenocidin.

Shtetet pasardhëse të Perandorisë Osmane sot përbëjnë një hark krizash nga Ballkani deri në Lindjen e Afërt. Shtet sekular ku sundon ligji, kushtetutë, institucione të fuqishme, parlamente, barazi fetare, politikë koherente në infrastrukturë dhe ekonomi – asgjë nga këto nuk la pas Perandoria osmane dhe njerëzit në këto vende e dinë këtë. Përtej qarqeve që financohen nga Turqia nuk ka nostalgji relevante politike për osmanët. Kultura osmane ka dhënë kontribut të madh në periudhën e hershme të kohës moderne. Në tërësinë e saj ajo fare nuk i shërben si model pushtetmbajtësit në Ankara. Ai vetëm zgjedh copëza të historisë për të legjitimuar atë sistem, të cilin e synon: një regjim autoritar islamik nën një sundimtar të ngjashëm me Sulltanin.

Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Ky shkrim u botua në gazetën «Neue Zürcher Zeitung». Përktheu: E. Robelli

2 komente në “ANALIZA/ Erdoani ka qejf t’i referohet sulltanëve, por kjo s’është punë e mençur”

  1. Edkari says:

    Erdogani don te kopjoje Sulltanet dhe ky gomari yne me atlete te bardha do te kopjoje Erdoganin.
    U keshilloj merruni me Ediramen qe mos te kopjoje Erdogan Sulltanin mbasi mund t’ja shohim
    koken ne tepsi.

  2. .. says:

    Keto ti lexoje Ed Ebu Ramy qe vazhdon akoma ti lepihet Sulltanit.
    Nuk mund te negociosh me as nje lloj perfitimi ekonomik futjen e Neo-Otomanizmit ne Shqiperi dhe Ballkan duke rezikuar integrimin ne familjen Europiane.
    Boll me flertin e tepruar me Turqin, boll me shkolla Turko-Arabe, boll me Medrese Xhami, boll me seriale Turke, boll me shoqata dhe Ojf Turke, boll ju perkulem Erdoganit ….. ekspamsioni Politik, Ekonomik, “Kulturor” … eshte i fuqishem dhe me se e qarte, por dhe shum e rezikshme. STOP.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje