Çfarë ndodhi në mbledhjen e Pezës, ja fjalët që tha ish-diktatori Enver Hoxha

17 Shtator 2017, 09:14Politika TEMA

Ish-drejtori i arkivit ne Ministrinë e Brendshme, studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar disa detaje interesante se çfarë ndodhi në mbledhjen e Pezës, fjalët që tha ish-diktatori Enver Hoxha dhe cilët ishin ata që morën pjesë.

Nga Kastriot Dervishi

Dy ditët e mbledhjes së Pezës

Asnjëherë nuk u luftua pa dallim feje, krahine dhe ideje

Mbledhja e Pezës më 16-18 shtator 1942 ka qenë një përpjekje e komunistëve për të përfituar nga elementi nacionalist (i cili përfaqësohej nga individë e jo nga rryma apo organizata). Komunistët përçonin idenë e Kominternit që kërkonte fronte, ndërsa Abaz Kupi përçonte idenë e anglezëve të cilët kërkonin bashkim kundër fashizmit. Dushan Mugosha e kujton kështu këtë mbledhje:

“E gjithë kjo do të thoshte se duhej koordinuar puna për të gjitha këshillat nacionalçlirimtare në Shqipëri. Këtë gjë e sugjeroi Miladin Popoviçi duke propozuar krijimin e Këshillit Kombëtar Nacionalçlirimtar. Shpejt ai organizoi në kushte shumë të vështira konferencën e parë për krijimin e Këshillit Kombëtar Nacionalçlirimtar, në shtator 1942 në Pezë”.

Emrat e të pranishmëve ditën e parë ishin:

-Abaz Kupi (përfaqësues i çetave nacionaliste)

-Ndoc Çoba (përfaqësues i katolicizmit nacionalist)

-Kamber Qafmolla (përfaqësues i xhandarmerisë, nacionalist)

-Ramazan Jarani (përfaqësues i intelektualeve nacionalistë)

-Halim Begeja (përfaqësues i rinisë nacionaliste)

-Ismail Petrela (përfaqësues i rinisë nacionaliste)

-Koço Tashko (përfaqësues i Partisë Komuniste)

-Enver Hoxha (përfaqësues i Partisë Komuniste)

-Ymer Dishnica (përfaqësues i Partisë Komuniste)

-Nako Spiru (përfaqësues i rinisë komuniste)

-Baba Mustafa Xhani (përfaqësues i çetave bektashiane)

-Nexhmije Xhuglini (përfaqësues e grave komuniste)

-Ramadan Çitaku (përfaqësues i Partisë Komuniste)

-Myslim Peza (përfaqësues i çetave komuniste)

-Muharrem Butka (përfaqësues i çetave komuniste të Korçës)

-Mustafa Gjinishi (pa vote, sekretar i mbledhjes – komunist)

-Mustafa Kaçaçi (dëgjues, komunist)

Propozimet e Enver Hoxhës (dhënë nga Miladin Popoviçi) ishin:

1-Formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar

2-Pranimi i statutit nacionalçlirimtar

3-Miratimi i një rezolucioni.

Pikat e propozuara nuk u nënshkruan nga Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Ismail Petrela dhe Halim Begeja. Abaz Kupi dhe Kamber Qafmolla i nënshkruan këto pika. Vendimet nuk i nënshkruan Azis Çami e Skënder Muço, të cilët erdhën në mbarim të mbledhjes.

Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar u zgjodh kryetar oficeri i karabinierisë Kamber Qafmolla, por ky nuk drejtoi asnjë mbledhje dhe nuk erdhi kurrë. Çdo gjë filloi dhe mbaroi në datat 16-18 shtator 1942. Nuk pati kurrfarë bashkimi apo lufte pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Vetë Enver Hoxha në plenumin e 2-të të Beratit (23-27 nëntor 1944) e pranon me sinqeritet se kjo mbledhje nuk ka qenë kushedi se çfarë, teksa thotë: “Do të flas si u paraqit para meje konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristikë e punës së “Aliut” (Miladin Popoviçi-shënim). Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më përpara. Mora një letër, një pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’e mbaj mend: ta vëmë këtë apo të mos ta vëmë. Pas një dite dolëm në konferencë për të mbrojtur platformën tonë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Kështu konferenca e Pezës ka qenë sa për të lexuar një referat dhe një trakt, pastaj ikëm”.

“Për konferencën e Pezës, ku u hodhën bazat e Frontit NÇ dhe ato të këshillave nuk u bënë përgatitje dhe nuk u punua si duhej nga ana e partisë sonë…elementët e tjerë nacionalistë ishin të paktë në atë mbledhje dhe ata e shihnin konferencën me sy skeptiku. Të gjithë ata që u thirrën në konferencë s’kishin një ide të qartë se ç’ngjiste, ata i thirrën me pusulla sikur do vinin në ndonjë dasmë. Shumë prej tyre nuk erdhën, disa dërguan njerëz për të marrë vesh se ç’po ngjiste, disa si spektatorë. Dhe ata që morën pjesë me të vërtetë s’kishin një perspektivë të qartë nga ajo që do të dilte këndej.. Përgatitjet për punimet e konferencës mbanin vulën e një pune të improvizuar, të shpejtë e me pikëpamje të ngushta”.

5 komente në “Çfarë ndodhi në mbledhjen e Pezës, ja fjalët që tha ish-diktatori Enver Hoxha”

  1. taraboshi says:

    O xhevahir K .Dervishi nga na mbive ku ishe gjere tani se kemi vuajtur shum per tu sqaruar deri sa sot na “sqaroj” zotrrote dhe te takoj me heq keq per te mbledh material si antikombetare qe je .Apor ke qene ne mbledhjen e Pezes zotrrote .

  2. taraboshi says:

    Nuk nxjerrni komente ne dite te diela?

  3. Pallatet Agimi says:

    Ky njeri eshte krejt konfuz ne ato qe shkruan. Tjeter gje thote, tjeter gje demostron e tjeter kohe i referohet. Nje “studjues” mish mash i vertete. Apo me mire nje abuzues shume i trashe i historise. Me e bukura eshte se keshtu abuzon keqas edhe me vehten, duke u kthyer ne nje majmun arshivash e jo studjues. Pyetje: keto arshivat tona kaq te mara fund jane sa pranojne ne labirinthet e tyre te tille minj?

  4. Bozen says:

    Ky nuk di se çfare eshte , edhe Kastriot edhe Dervish, me nje fjale historian leshi ben çdo gje ç0rbe sipas interesit partiat, ky duhet gjykuar sepse ka demtuar shume te verteten historike duke fallsifikuar dokumentet e Arkives Shteterore.

  5. Intelektuali tironas says:

    Ne se Z. K.Dervishi i prembahet vetem dokumenteve arshivore,
    atehere cfar ka ketu per te mos i besuar ?! Historianet tane apo analistet, te djathte
    apo te majte, le ti analizojne keto dokumente dhe te na japin mendime per sa me siper.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje