3 fëmijët i “ridogji” media e shkrumbuar. Fali Zot…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Andrea Danglli

Ulërimat e kobshme të nënës së dëshpëruar e cila humbi tre vogëlushët e saj në mënyrë makabre, më erdhën deri në Tiranë. Ndoshta s’mund ta besoni por ajo lëngatë e hidhur hyri në redaksinë e qetë ku po punoja dhe më depërtoi deri në shpirt.

Kur e mësova ngjarjen e tmerrshme po hidhja rreshtat e fundit në një artikull për ecurinë e procesit të Vettingut. Ç’është e vërteta isha duke i zvarritur me “dembelesë” gishtërinjtë mbi tastierë pasi mendoja se si na i ka nxirë “buzën” kjo fjalë e lakuar kaq shumë por që ecën me hapin e breshkës.

Nuk dëshiroja ta mbyllja ditën punës me një lajm të hidhur dhe aq më tepër me një ngjarje që përcjell mjaft tmerr, dhimbje dhe lotë.

Rrokjet e para që lexova mbi një media kancerogjene ishin këto: “Shkrumbohen tre fëmijë në Durrës!” Edhe pse kam fituar një lloj imuniteti ndaj titujve të rreme, këtë raportim se di pse e besova. Nëse do t’ju them se u rrënqetha kjo nuk do të ishte e sinqertë nga ana ime, por nëse do t’ju tregoj që u mpiva më shumë se çdo të më mpinte acari i një dimri të gjatë, kjo do të ishte e vërteta e plotë.

Një nënë e gjorë nga fshati Romanat i Durrësit kishte lënë tre foshnja të buzëqeshura në dhomën e vogël dhe kur ishte kthyer nga puna kishte gjetur një shtëpi nën tym dhe flakë.

“O Zot, çfarë është bërë kështu?” psherëtiva me vete dhe ndjeva që në moment lëkura m’u hodh kokra-kokra. (Mbase unë jam disi i ndjeshëm nga natyra dhe e pranoj që nuk i duhem gazetarisë për të mbuluar ngjarje të këtyre dimensioneve.)

Por krahas kësaj tragjedie u ngrit edhe një dramë tjetër e cila zakonisht na ndodh ta shohim të etur për gjak, të uritur për viktima dhe të eksituar për seks.

E gjithë dhimbja që përshkrova më lart nuk mund të krahasohet me goditjet e pamëshirshme që më jepnin disa media të shkrumbuara me pasqyrimin e informacionit.

Të shkretat, të mjerat dhe të paditurat nisën të luajnë me zemrat e njerëzve si të ishin gurë bilardoje dhe donin t’i fusnin në gropat e tyre.

Shumë kolegë apo edhe mësues të mij, nuk më zhgënjyen por më tradhtuan besimin me mbulimin që i bënë kësaj ngjarje delikate. (Kishte edhe raportime të denja)

Nga portali në portal dhe nga televizioni në televizion titujt ishin lustruar mjaft frikshëm apo thënë më saktë “horror e shkuar horrorit”.

Çdo shkronjë e shkruar më ngjante si një fije shkrepëse e mbetur ne vendngjarje që do të ndizej sërishmi nga momenti në moment.

Unë mbase nuk jam askush që të vlerësoj, gjykoj apo kritikoj 1001 gazetarët e padukshëm të portaleve që nga kolltukët e redaksive gjetën çuditërisht çdo vrimë të pa zënë, çdo tjegull të rënë dhe çdo divan të rrjepur pa pikën e rëndësisë për publikun.

Gjithashtu, e pranoj që nuk jam askushi të them se ata u treguan të pa shpirt dhe çnjerëzor.

Por aman s’mund ta frenoj dot veten kur shoh se si vizatohet mbi vdekjen për një klikim, reklamë apo një idiot që i turret lajmit të bujshëm për ta lexuar pa menduar se si po abuzohet me ndjenjat e tij.

Dikush duhet t’i mësojë këtyre “minjve të pandreqshëm” që gazetar të mirë nuk të bën as interneti i shpejtë, as kompjuteri i mirë dhe as media me audiencë të gjerë.

Kjo revoltë ndaj disa kolegëve më bëri që ta mbyll ditën time të punës me këto rreshta që nuk do dëshiroja kurrë t’i shkruaja por që u gërmëzuan duke ndjerë ende ulërimën e asaj nëne, të qarën e atij babai dhe kobën e asaj familje.

Mbase do ishte më mirë ta kisha mbyllur me Vettingun. Besoj se ai duhet të kalojë domosdoshmërisht njëherë nga media për të situr drejt portalet që mbijnë dita-ditës më tepër se kërpudhat helmuese pas shiut.

Së fundmi uroj që Zoti të mëshirojë sot çdo penë të pa gdhendur dhe të falë çdo penë djallëzore që shkrumboi për të dytën herë tre engjëj.

Trinjakët e pafajshëm, përpara se të largoheshin në botën tjetër u treguan zemër gjerë duke “dhuruar” një ditë pune për kanibalët mediatikë. Veç, nuk e di nëse do të mund t’ia falën që e shitën kaq keq vdekjen e tyre.

P.S; Edhe pse u numëruan me gishta, mirënjohje për punën e atyre pak gazetarëve që treguan seriozitet dhe ndjeshmëri në përcjelljen e këtij lajmi.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *