Mollët e Dvoranit, shalqinjtë e Divjakës dhe marrëveshja Rama-Basha

21 Shtator 2017, 13:36Politika TEMA

Nga Shpëtim Nazarko

Nuk e di pse po më kujtohej Lev Tolstoi dy ditë më parë, kur po shihja një emision politik në të cilin vete dhe vetë ndonjëherë. Kolosi i madh i letërsisë duket kur shkruante kapitujt e “Lufta dhe paqja,” kishte krijuar një lloj skene me kukulla, që u kishte vënë dhe emra për të mbajtur gjithë kohës në mend fatin e tyre dhe rrjedhën e ngjarjeve.

Personazhet e emisionit që kishin marrë në pyetje, një nga kundërshtarët e Bashës, i cili ndoshta mund të jetë dhe një nga fraksionistët e rinj kryesorë. Ai po shpjegone fajet e një kohe shumë të shkurtër të kryetarit të PD-së, etj.

Megjithëse e kam shkruar shumë herë tragjedinë e PD-së referuar numrave të votave që nga 2009, apo koha e aleancës me LSI-në, ia vlen ta rithuash prapë në analogji me atë që bënte Tolstoi… Nga 2009, kur PD-ja kishte të njëtin numër votash me PS-në e deri në zgjedhjet e 2017- ës, të djathtët kanë humbur rreth 150 000 vota, që kanë shkuar te LSI. Kaq do të mjaftonte të mbyllje një pjesë të rëndësishme të kapitullit për ngjarjet dhe të kërkoje të kuptoje fatin e personazheve.

Në një vështrim më të gjerë, apo që ka lidhje me titullin e artikullit, fati i personazheve Basha, Rama, apo Meta nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. E po ashtu, edhe i ankesave që bëjnë kundërshtarët e tyre në parti. Për mua, kjo klasë politike në përgjithësi, ashtu si dhe shtypi ku militoj edhe unë, e kanë mbyllur me kohë ciklin e tyre politik dhe vetëm vegjetojnë në historira të vogla, pa ndonjë vlerë, apo që janë përsëritur shpesh deri në bezdi.

Ndjekur ngjarjet si në një histori libri, problemi i 150 000 votave është i rëndësishëm në një plan tjetër.

Këto vota, në shumicën e tyre, duket se LSI- së i kanë ardhur nga fshati. Nëse diskutimi do të ishte në një plan të ngushtë, ky fakt nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe. Akoma më shumë nëse do ta lidhje këtë fakt me karakterin pragmatik të fshatarit, që në shumicën e rasteve është më i zoti se çdo politikan, qoftë edhe i quajtur “race”, për të kuptuar nga çfarë ane anon fitorja dhe ku duhet ta hedhë votën.

Problemi është më i thellë nëse mendon se pikërisht nga fshati vjen gati njëzet e pesë për qind e të ardhurave kombëtare dhe një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e prodhimit tonë.

Politika është interesuar më shumë për votat e fshatarit dhe thuajse asnjëherë për pjesën që përmendëm. Do të mjaftonte një fjali e thënë shpesh për të dalë në konkluzionin e hidhur, subvencionet në bujqësi janë afërsisht një e qindta e asaj që bujqësia ka ofruar nga ana e saj.

Interesimi i politikës për të marrë votat e fshatarit, në dhjetë vitet e fundit, ka marrë një formë nga më qesharaket apo banalet nëse e sheh me syrin e historianit. Historia me arrorë fidanë, e diku me rrugë që nuk janë të lidhura në mënyrë specifike me vendet ku zhvillohet realisht prodhimi, e lloj-lloj marifetesh që ndonjëherë vërtet të vjen ndot t’i përmendësh, janë vetëm një pjesë e vogël e kësaj tragjikomedie.

I gjendur së pari në vështirësinë e tapisë, apo pronësisë mbi tokën, pastaj të një tërësie hallkash që përbëjnë prodhimin individual të tij, nga mbjellja e deri në shitje, fshatari i sotëm është thjesht në një periudhë mesjetare jetese.

Pa dyshim që një nga gabimet fatale që kanë bërë partitë në pushtet, e që ka shumëfishuar dramën e tij, ka qenë dhënia e Ministrisë së Bujqësisë si trofe fitoreje partive të vogla aleate, të cilat edhe sikur të kishin predispozitën të bënin ndonjë gjë reale, nuk kishin fuqinë ta materializonin këtë dëshirë deri në fund. Kjo në formën e një politike jetëgatë apo të caktuar.

Rama i dha fund kësaj batërdie, po kaq është pak dhe ia vlen të shohim cili do të jetë hapi i radhës. Së pari, kush do ta bëjë inventarin real se çfarë është bërë realisht deri tani? Sa e regjistruar është realisht toka, ujërat, pemët dhe gjëja e gjallë e fshatit?

Cili është realiteti i pronës në fshat, si realizohet nga filimi deri në përfundim procesi i prodhimit dhe i shitjes dhe veçanërisht ai në fushën e eksportit?

Maqedonia fqinje, që investon apo subvencionon nja njëzet herë më shumë se ne, është një shembull elementar që shihet edhe me sy të lirë. Si është e mundur që ajo eksporton çdo vit 250 000 qengja në BE dhe ne asnjë të vetëm?

Në favorin e qeverisë aktuale duket se vjen reforma territoriale, e cila e shndërron kryebashkiakun e qytetit të madh në njeri me fuqi shumë më të madhe se dikur. Po a është e mjaftueshme kjo? Nuk është e vështirë të shihet se vetë reforma territorriale është ende në pelena dhe kjo lloj ndihme reale që mund të vijë nga qendra duket shumë larg, për të mos folur me nota pesimiste…

A do ta bëjë Rama këtë reformë, apo në ato anabaset tona politike që quhen edhe marrëveshje Basha-Rama do të fillojnë përsëri të rifinohen detale, kush t’i kthejë ato 150 000 votat e humbura në origjinë apo të mbeten andej nga janë deri tani.

Problemi është më i komplikuar dhe drejt fshatit duhet të derdhen të gjithë. Fatkeqësive të tjera duhet t’u shtojmë jo vetëm faktin se raporti eksport-import në bujqësi është 1 me 5. Ka një fakt akoma më të hidhur; produktet tona po bëhen gjithnjë e më të këqija edhe në tavolinën tonë të ngrënies. Mollët e Dvoranit marrin më shumë ilaç nga sa duhet. Dhe për këtë, jo vetëm nuk shiten dot në tregun e gjerë, por edhe nuk mund të hahen ndonjëherë edhe nga vetë prodhuesi. E njëjta ndodh herë pas here me shalqinjtë e Divjakës. Kam parë i çmeritur dy vjet më parë në Divjakë se nëse 1 kg shalqi i prodhuar aty bënte 5 lekë të reja kilogrami, dyqind metra më tutje, ai i ardhur nga Berati kushtonte tri herë më tepër…. Nga buronte kjo tragjedi?

Pa mohuar përpjekjet e Panaritit që përfaqësonte LSI-në dhe shtoi me këto përpjekje edhe votat e LSI-së në fshat, besoj se “shakarat” e bëra deri tani duhet të marrin fund.

Problemi është: si?

Nuk ka asnjë dikutim se edhe sikur tërë qeveria të derdhet në fshat, me qëllimin e mirë, situata zor të përmirësohet. Qeveria ka në dorë drejtpërdrejt një element të rëndësishëm siç është historia e pronësisë, apo investimet për rrugë, por për të tjerat besoj ka pak.

Besoj që e vetmja rrugë shpëtimi është të kthejmë sytë nga Universiteti Bujqësor, ai i Kamzës, dhe të tjerët që duhen valorizuar në maksimum.

Qendrat e mëdha shkencore të dikurshme, natyrisht nuk mund të ngrihen deri në burokracinë e dikurshme hoxhiste, por pa u futur në lojë aparati i madh i shkencës, të gjitha përpjekjet do të mbarojnë me dështim.

Si i bëhet që bankat të jenë të interesuara të venë në fshat?

Shembujt nga historia kanë vlerën e tyre, paçka se duken larg. Banka më e fuqishme e Shqipërsisë, Raiffeisen, e ka origjinën, sias legjendës, te Raifi, që ka qenë kryetar komune dhe me kursimet e të tërëve arriti me vite të ngrejë një bankë të fuqishme me bazë bujqësore… Por që të ndodhë edhe këtu kjo, duhen një tërësi veprimesh që janë larg nga ajo inisiativë suksesi.

Pa pjesëmarrjen e katedrave të universiteteve, veç asaj të qeverisë, inisiativat e çdolloj forme do të dështojnë.

Sot, Rektori i Universitetit të Kamzës më tha se do të kishte qejf të mblidhte edhe median për sensibilizim të situatës… Një lajm shumë herë më i mirë se ai emisioni që tregova në fillim të shkrimit.

Për vlerën e kësaj inisiative po ripërsërit edhe një herë si mund një pjesë nga Hajnrih Hajne. E gjendur në një situatë të vështirë analoge, Gjermania e kohës së tij ndërmori një hap të qartë. Hajne thotë: Në ndryshim nga francezët, që filozofët i mbyllnin në Bastijë dhe veprat ua digjnin në zjarr, gjermanët e bënë Hegelin filozofin mbretëror dhe librat e tij i jepnin me detyrim në shkollë. Dhe pastaj e bënë arsimin profesional më të mirin në botë, duke e çuar Gjermaninë në majë, ku qëndron edhe sot.

Kam idenë se përtej marrëveshjes Rama-Basha, që mund të ripërsëritë variacione mbi temën, ia vlen të kthejmë sytë nga tema më të rëndësishme, që vetëm në pamje të parë duken te mollët e Dvoranit apo shalqinjtë e Divjakës. Në thelb ato lidhen me vetë ekzistencën tonë./konica.al/

Mollët e Dvoranit, shalqinjtë e Divjakës dhe marrëveshja Rama-Basha

6 komente në “Mollët e Dvoranit, shalqinjtë e Divjakës dhe marrëveshja Rama-Basha”

  1. komshiu alpinit says:

    o palle ke harru prasin e luzit+kasharit

    1. Sara says:

      pergjigjia tipike e injorances ndaj mendjeve te urta ne kete vend!!!!!

  2. LORA says:

    Si perhere Shpetim,,,I sakte ne sugjerimet e tua koherente per detyrimet uleritese te shtetit te shqiptareve ndaj ekonomise bujqesore shqiptare.
    Respekt dhe mirenjohje.

  3. www says:

    mollet e DIVJAKES leshet e DVORANIT,gjitha toponimet sllave,shtet m….

  4. niku says:

    Problemet qe ngre jane te verteta, por zgjidhja e propozuar eshte e gabuar. Per cilin Universitet e ke fjalen? A e di se ne UBT eshte rumpalle. Te gjithe kalojne. Duhet vetem te rregjistrohesh dhe do ta marresh. Produkti eshte nje tufe injorantesh qe pas 3 (+2) vjet shkolle nuk dine as te lexojne. Natyrisht nuk kane asnje objektiv te shkojne ne fshat per te punuar. Ata qe vijne nga rrethet fillojne pune si kamariere ne Tirane, shtyjne shkollen (ose shkollen e kane si justifikim per prinderit) dhe shkolla del dytesore. Nuk mesojne “se jane te zene me pune”, a thua se punonin dhe kane filluar shkollen dhe jo e kunderta. Ata nga Tirana shkojne se nuk u ka dale ne vend tjeter, por nuk kane asnje qellim te punojne per cfare studjojne. Te gjithe synojne te marrin vetem nje cope kartoni, ne pritje te ndonje miku te ndonje partie per te zene pune ne shtet, Ne rradhe te pare te preferencave Inspektore, aty behen leke.
    Ne krahun tjeter, pedagoget jane te “detyruar” ti kalojne pas dy, tre …. sesionesh vjeshte se ndryshe nuk hapet masteri shkencor dhe mbeten pa pune, nuk mblidhen te ardhura dytesore per shkollen, pra duhet te shkurtohen pedagoget.
    Ne Universitetet private paguaj dhe e merr shkollen, ne ato publike paguaj (edhe pse ne forme pak me ndryshe) dhe e merr shkollen.
    Qe te zgjidhet problemi duhet te formalizohet bujqesia more zoteri. Ai qe hedh lloj pesticidi dhe hormoni mbi domatet, kastravecat etj. e ben se e di se nuk e kap njeri, edhe pse e shet ne treg shumice si ne Fier apo Lushnje. Shko kerko nje fature tatimore ne dyqanet e vogla te fruta perimeve, te thone te japin vetem per prodhimet e importit, per prodhimin vendas jo. Se keto dyqane te te presin kupon as qe behet fjale. Formalizimi behet me ndergjegjesim, me force dhe me politika (me jep te te jap). Bujqesia ne Shqiperi nuk e merr naften me cmim te reduktuar, (ndoshta i vetmi ne Europe). Atehere te jap naften pa taksa, por regjistrohu ne tatime (edhe pse tatimet i ke zero si biznes i vogel, por regjistrohu). Dhe pastaj eshte e lehte te gjurmosh mallin, qe nga prodhuesi deri te dyqani i fundit. Sivjet tre here kam blere shalqi dhe te treja heret me ka dale kungull. jam betuar qe nuk blej me, po nuk ndryshuan gjerat. Shko ankohu po te thone se nuk i bejme dot gje se eshte pa NIPT….. Me ata pa NIPT nuk merremi.

  5. spartaku says:

    Bravo zoti Nazarko! Per keto probleme kaq te drejta dhe te rendesishme per bujqesin,qe ke trajtuar ne ket e artikull,meriton lavderime dhe respekt.Pershendetje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje