Thellohen përplasjet në PD, aleatët braktisin Bashën, regjistrohen si të pavarur në Kuvend. Dhe deputeti çam…!

Përpos faktit se Partia Demokratike humbi dy palë zgjedhje radhazi, as në opozitë nuk po mundet dot të konsolidojë forcat e saj për të ardhur një ditë në pushtet. Janë thelluar përplasjet brenda kampit të djathtë, ku PD dhe Lulzim Bashën po e braktisin edhe aleatët. Dashamir Shehi i LZHK, Nard Ndoka i PDK, Vangjel Dule i PBDNJ dhe Fatmir Mediu i PR, edhe pse kanë kandiduar nën siglën e PD, kanë braktisur partinë më të madhe të opozitës dhe janë regjistruar si të pavarur në Kuvend. Kjo faktohet në faqen e Kuvendit të Shqipërisë.

Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu ishin iniciues të idesë për krijimin e një grupi parlamentar më vete, me partitë e vogla të djathta, por ky propozim nuk u mbështet nga Partia Socialiste. Megjithatë, fjala e fundit i mbetet Këshillit të Mandateve nëse do të krijohet një grup parlamentar më vete me partitë e vogla të djathta. Por duket qartë se aleatët e PD nuk kanë pritur vendimin e Këshillit, por janë regjistruar si të pavarur, duke u larguar nga PD. Ideja për krijimin e një grupi parlamentar më vete, erdhi pas akuzave nga deputetë demokratë, se ishin aleatët ata që e votuan Gramoz Ruçin si kryetar Kuvendi. Partitë e vogla parlamentare të djathta nisën diskutimet edhe me deputetë të Partisë Demokratike për të krijuar grupin e tyre parlamentar. Deri më tani janë vetëm 4 deputetë, por duhen edhe tre të tjerë për të formuar grupin.

Fakti që nuk ka asnjë të dhënë për largimin e deputetëve të PD, do të thotë se Lulzim Basha i ka mbajtur në radhë pasi në rast të kundërt, do të penalizohen dhe automatikisht nuk do të jenë më në listat e ardhshme zgjedhore. Krijimi i një grupi parlamentar në Kuvend, sipas partive të vogla të djathta, nuk do të sjellë daljen nga opozita, por një procedurë për të qenë me efektiv në reagimin në Parlament.

Ndërsa plotësimi i grupit parlamentar, nëse do të arrihet kjo marrëveshje, do të jetë edhe me deputetë demokratë. Dashamir Shehi ka sqaruar më herët krijimin e një grupi të qendrës së djathtë. “Duam të bëjmë një grup të qendrës së djathtë. Patjetër që do të ketë deputetë të PD-së, që do të jenë pjesë e këtij grupi parlamentar. Partitë që janë aleate, të kenë një çadër të vetën politike, siç ka qenë tradicionalisht”, ka thënë Shehi.

Një tjetër surprizë është se deputeti çam, Aqif Rakipi, është regjistruar po ashtu i pavarur në Kuvend. Fillimisht qarkulluan zëra se deputetët çamë do të shkonin me PS, por jo, Aqif Rakipi është regjistruar si i pavarur. Kjo vjen siç duket pas debateve të Rakipit me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi, të cilin e akuzoi si dembel dhe ia atribuoi atij fajin për humbjen e PDIU në 25 qershor. Dihet tashmë se Shpëtim Idrizi e humbi mandatin e tij në Tiranë.

Çamët kishin shpresë se do të fitonin më shumë se sa në zgjedhjet e kaluara, por gara politike pa koalicione duket se e dëmtoi këtë parti. Pavarësisht faktit se Aqif Rakipi, një prej deputetëve çamë në Kuvend është regjistruar i pavarur, deputetët e PDIU do të mbështesin nismat e qeverisë dhe nuk do të bëhen barrierë për miratimin e projektligjeve

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...