Sekuestrohen 5 parcela toke te Rana e Hedhun, dalin emrat e 3 familjeve që dyshohet se falsifikuan dokumentet

26 Shtator 2017, 13:02Kronika TEMA

Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe totale prej 285 mijë metra katrorë në zonën bregdetare Rana e Hedhun, në Shëngjin, pasi dyshohet se është përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

Sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa personave.

Prokuroria e Lezhës nisi hetimin, në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumenta zyrtarë për pronësinë mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

DOSJA E PLOTE E PROKURORISE
Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe totale prej 285 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare Rana e Hedhun, në Shëngjin, e dyshuar se është përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

Sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa persona të ndryshëm.

Prokuroria e Lezhës nisi hetimin, në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumenta zyrtarë për pronësinë mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

Konkretisht, shtetasi Gj.C. është njohur si trashëgimtar i një sipërfaqeje në zonën e Ranës së Hedhun, me vendim gjykate të vitit 2006.

Në Shtator të vitit 2017, kallëzuesi konstaton se toka, për të cilën ai është njohur si trashëgimtar i ligjshëm, është regjistruar në emër të personave të tjerë dhe për këtë arsye i drejtohet Prokurorisë së Lezhës me kallëzim penal.

Në bazë të akteve proceduriale të deritanishme, Prokuroria ka konstatuar problematika të theksuara në mënyrën e regjistrimit të këtyre pronave në emër të shtetasve të ndryshëm.

Personat, në emër të të cilëve është regjistruar prona, nuk janë banorë të zonës së Mali të Rencit (Rana e Hedhun), por janë banorë të një njësie tjetër të qarkut Lezhë. E, megjithatë, ata kanë regjistruar këto prona me vërtetime të aktit të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të ligjit nr.7501/1991 “Për Tokën”.

Në bazë të ligjit nr. 7501, përfitonin tokë vetëm banorët e zonave ku gjendeshin tokat dhe zërat kadastralë pyje dhe ranore ishin të përjashtuar nga procesi i ndarjes së tokave. Pra, Prokuroria e Lezhës konstatoi fillimisht se parcelat janë regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë, si edhe, për më tepër, sipërfaqja e ndarë në bazë të ligjit “Për Tokën”, ka qenë e përjashtuar nga ky proces (pasi ishte zonë pyjore dhe ranore).

Në vijim, Prokuroria e Lezhës konstatoi se të gjitha këto prona janë regjistruar në ZVRPP Lezhë në periudhën Gusht-Shtator 2017. Hipoteka i ka regjistruar këto prona, pas rikonfirmimit të zërit kadastral nga ana e Bashkisë së Lezhës dhe Qarkut Lezhë.

Në praktikat e regjistrimit, rezulton se parcelat janë të deklaruara si të përfituara nga familjet e Frrok Frrokut, Vasil e Pjetër Gjoni dhe Nikoll Tinaj, në bazë të ligjit nr. 7501/1991. Por, siç rezultoi nga dokumentacioni i administruar në kuadër të procedimit penal, këto parcela ishin të përjashtuara nga ndarja e tokës sipas ligjit të vitit 1991, pasi ato janë zona pyjore dhe ranore.

Prokuroria e Lezhës ka pyetur edhe personat që kanë nënshkruar aktet e ndarjes së tokës në emër të familjeve Frroku, Gjoni e Tinaj dhe rezulton që asnjë prej tyre nuk ka firmosur dokumentacionin, i cili më pas ka shërbyer për regjistrimin e parcelave në ZVRPP-Lezhë.

Ndërkohë, rezulton se një pjesë e parcelave të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme janë tjetërsuar, duke ua shitur personave të tretë.

Në këto kushte, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se parcelat, sipërfaqja totale e të cilave është rreth 285 mijë metra katrorë, është përfituar dhe regjistruar në bazë të dokumentave të fallsifikuar. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi nga Gjykata e Lezhës vendosjen e sekuestros, e cila u pranua për parcelat, si më poshtë:

– Pasuria me nr. 938/4, me siperfaqe totale 210 306 m2 si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 959/1, me siperfaqe 7382 m 2. si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 552/2, me siperfaqe 16 107 m 2, si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 821/19 , me siperfaqe 25296 m 2, si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 921/18 , me siperfaqe 25146 m 2, si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

Prokuroria e Lezhës po vijon hetimet për personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, në kuadër të procedimit të regjistruar për veprat penale të “Fallsifikimit të dokumentave” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje