Kunati ka dy probleme me ligjin kundër simboleve të komunizmit

Ndërsa Partia Demokratike po përgatit ligjin kundër simboleve të komunizmit, Kunati që po merret me përmbajtjen e tij, po përpiqet të shmangë dy probleme serioze që dalin nga projekti i PD.

Problemi i parë është ndalimi i yllit me pesë cepa në publik.

Babai i Kunatit, ka qenë kapter në ushtrinë shqiptare dhe gjithë fotografitë e tij deri në vitin 1991 i ka me kapele me yll. Madje, dhe foton e fejesës me mamanë e ka me kapele me yll, se ishte në modë. Kjo mund të krijojë problem nëse dikush shkon për vizitë tek shtëpia e vjehrrit të Lulit dhe shikon fotografitë e ekspozuara të vjehrrit.

Për këtë Kunati po përpiqet të theksojë një nen të veçantë në ligj.

“Nuk quhet shkelje ligji, nëse ti ekspozon yllin me pesë cepa në uniforma ushtrie apo partizani, të vendosura në mjediset e shtëpisë. Gjithashtu nuk quhet krim nëse ylli shfaqet në dekorata të marra gjatë komunizmit, në diplomën e Universitetit apo diplomën e shkollave”.

Pastaj u kujtua që ka dhe flamuri amerikan, flamuri kinez dhe disa flamuj të tjerë yje dhe shtoi:

“Po ashtu lejohet që të kesh në sfond flamuj të huaj me yje gjatë pritjeve, paradave apo ceremonive festive”.

Në këtë pikë Kunati shtoi që PD duhet të përjashtojë nga radhët e saj çdo anëtar me emrin Ylli, si shenjë e indoktrinimit komunist. Në këtë pikë më i dëmtuar del Ylli Pango dhe Ylli Asllani. Po ashtu PD bojkoton prej sot e tutje çdo media që drejtohet nga ndonjë njeri me emrin Ylli, si për shembull Ylli Ndroqi, Ylli Rakipi, etj. Po ashtu do rishikohet mandati i deputetit Fidel Ylli, pasi ka probleme dhe me emrin dhe me mbiemrin.

Problemi i dytë i tij i madh ishte fotografia e Enver Hoxhës. Këtë shkoi ta diskutonte me Lulin.

Jemi para një rasti të tillë,- tha. Një socialist, merr fotografinë e Doktorit me familjen e Enver Hoxhës, apo Hysni Kapon dhe e bën poster të madhe. Me atë poster del shetit rrugës.

E ndalon policia dhe i thotë: Zotëri po shetit me foton e komunistëve!

-Më vjen keq,-i thotë ai, unë jam demokrat dhe po shetis me foton e kryedemokratit Sali Berisha.

Çfarë duhet të parashikojmë në këto raste në ligj? Pasi gjithë socialistët mund të printojnë fotot e Doktorit me Byronë Politike dhe tallen me ne.

-Bëjmë një përjashtim tha Luli: “Quhet shkelje e ligjit, nëse dikush mban vetëm fotografinë e Enver Hoxhës dhe anëtarëve të Byrosë Politike, ku kanë pozuar të vetëm, dhe jo kur ata janë të shoqëruar me të tjerë”.

Në këtë mënyrë shmangim incidentin dhe qetësohet dhe Doktori.

Kunatit i pëlqeu si zgjidhje dhe ju fut punës. Pastaj befas u kujtua për emrin Lulzim. Edhe ky i vendosur në kulmin e komunizmit për të krijuar idenë e lulëzimit të socializmit në Shqipëri në vitet ’70-të.

-Ndoshta nuk u shkon mendja këtyre socialistëve, -tha me vete, se hajt të ndërrojmë dhe emrin tani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X