INSTAT konfirmon, sektori Call Center fillon rënien

29 Shtator 2017, 14:40Ekonomia TEMA

Sektori i call center vitet e fundit u kthye në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, teksa ai punësoi mbi 25 mijë punonjës, sipas të dhënave të deklaruara nga tatimet.

 

 

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve jo anëtare të BE-së. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë Call Center në Shqipëri të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.

Nga ana tjetër operatorët e tregut deklaruan se kompanitë mëmë po merrnin masa për të zhvendosur një pjesë të aktivitetit në vende të tjera në rajon si Rumania apo Bullgaria.

Tashmë duket se rënia e aktivitetit të call center është bërë realitet. INSTAT konfirmoi në raportin e prodhimit të brendshëm bruto të tremujorit të dytë se Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 2,31 % i ndikuar kryesisht nga rënia në aktivitetin e Call Center. Është hera e parë që ky sektor raporton rënie, pas rritjes së vrullshme vitet e kaluara.

Call center diversifikohen në forex
Në total, në sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Pas goditjes nga qeveria italiane, shumë kompani call center po diversifikojnë aktivitetin e tyre, duke u kthyer në ndërmjetës financiarë, çka do u japë mundësinë atyre të ndërmjetësojnë për investimin e parave të shqiptarëve në aktivitete me risk si veprimet me kurset e këmbimit apo të ashtuquajturat Binary option’ (Një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë).

Shumë kompani call center tashmë kanë parësor aktivitetin në Forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë (por shumë shpejt edhe shqiptarët) dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla. /Monitor/

1 komente në “INSTAT konfirmon, sektori Call Center fillon rënien”

  1. leandra says:

    Call centerat ishin nje zgjidhje alternative per te papunet duke qene se nuk kishim nje plan te mirmenduar per punesimin. Tani qe e kemi nuk besoj se ka per tu venitur si lajm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje