Luçia Nadin dhe Akademia e shkencave shqiptare

30 Shtator 2017, 18:59Kulturë TEMA
Luçia Nadin dhe Akademia e shkencave shqiptare

Ilir Yzeiri

Debati për reformimin e Akademisë Shqiptare siç nisi ashtu edhe u shua, sepse në Shqipëri asgjë nuk mund të merret seriozisht. Këtu, gjithë veprimi shoqëror realizohet në ligjërim, pra prodhohen vetëm fjalë dhe krefjalamanët tanë, ata që , siç tha Ambasadori Lu nga Rrësheni, në gjithë këta vjet qeverisjeje vetëm një gjë nuk e kanë harruar dhe e kanë bërë fjalën vepër dhe kjo ka qenë dhe mbetet oreksi i pashuar për zyra të rehatshme (vini re sa herë janë rikonstruktuar zyrat dhe godinat e shtetit shqiptar), makina luksoze(vini re sa herë i ndërrojnë flotat e makinave), udhëtime jashtë vendit dhe para, shumë para. Deklarimet e pasurive të politikanëve shqiptarë apo të gjyqtarëve shqiptarë janë rekorde që çudisin të madh e të vogël, të huaj dhe jashtëtokësorë.

Popull i përciptë

Ne jemi një popull i përciptë, që harrojmë shpejt. Neve na pëlqen të jemi të drejtuar dhe jo të drejtojmë. Të mëkuar prej shumë e shumë kohësh me instiktin e prijësit, ne, sapo gjejmë një udhëheqës që arrin ta mundë kundërshtarin, tjetrin pra, rehatohemi dhe heqim dorë nga qeverisja. Ia blatojmë atij gjithë fuqinë tonë dhe e lëmë atë që të na drejtojë derisa ai të çmendet dhe pastaj ngrihemi dhe e bëjmë kriminel, bastard, e masakrojmë me sharje derisa të gjejmë udhëheqësin e radhës dhe të mbyllim sytë e pastaj të flejmë prapë.

Mund të ketë shumë arsye përse ne jemi një popull i përciptë, por unë mendoj se një nga arsyet madhore është se ne nuk interesohemi më për të shkuarën tonë, për historinë dhe për identitetin tonë. Në këtë kuptim Akademia e Shkencave Shqiptare ka falimentuar, sepse ajo, jo vetëm që nuk ka qenë gardiania e memories sonë kolektive, por, për fat të keq, ajo është kthyer në një përëritëse banale e një teksti të mësuar tashmë. Produkti i saj në këta 27 vjet është një zero e madhe. Po hap një parntezë.

Historia e institucioneve kërkimore e shkencore në Shqipëri nis me Institutin e Studimeve Shqiptare i cili u krijua më 8 prill 1940. Në shkurt të vitit 1944 u rithemelua ose u rindërtua ky institut dhe Padër Anton Harapi, me këtë rast, mbajti fjalimin e famshëm « Pro cultura ». Përurimi i tretë i këtij Instituti u bë më 1946. Herën e parë, në përurimin e parë, Instituti kishte për qëllim “që t’i japë hov e të bashkërendojë lëvizjen intelektuale shqiptare në fushat e veprimtarisë shpirtërore dhe sipas modelit të vendeve europiane.” Herën e dytë Padër Anton Harapi porositte që të vazhdojë puna e nisur, por të shmanget velloja fashiste, ndërsa herën e tretë, Insituti nuk është më një ent i pavarur, ai bëhet një ndjekës me një objekt të qartë. Fillimisht ai duhet të ndjekë “problemet shkencore të lidhura me zhvillmin ekonomik, shoqëror e kultural të vendit tonë”, siç thuhej në tekstin e kronikës nga jeta kulturale e vendit në nr. 2 të revistës Literatura Jonë. Në vendimin e qeverisë, shpallej se metoda që do të ndiqej në punën kërkimore shkencore do të ishte ajo marksiste-leniniste që ka bazën e saj në filozofinë e materializmit dialektik.” Për këtë arsye gjithë produkti i institucioneve të Akademisë së Shkencave gjatë viteve të komunizmit, duhet marrë me rezervë dhe është i njëanshëm. Mirëpo, në këta 27 vjet ky institucion mesa duket nuk pati as frymëzimin dhe as mbështetjen që të paktën në lëmin e studimeve historike, humane, letrare, të ridimensionohet. Natyrisht, në këtë periudhë ka pasur shekncëtarë shqiptarë që janë dalluar në këto fusha individualisht dhe unë nuk kam ndërmend të përmend ndonjërin për të mos krijuar keqkuptime. Ajo që dua të them është se ky institucion nuk ia ka dalë që në këta vite të bëhet pasqyra e kulturës shqiptare që me produktin e tij të reflektojë në shkollën shqiptare, në zhvillimin ekonomik dhe në dijen shqiptare në përgjithësi. Sot shqiptarët, po humbasin kujtesën dhe vendi është ndarë në mënyrë të vrazhdë e tragjike në disa kategori. Një kategori e madhe shqiptarësh ndjehen myslimanë dhe ashtu si të gjitha vendet myslimane arabe ose ashtu si Turqia e Erdoganit po i rrafshojnë me shpejtësi të gjitha monumentet kulturore që ka tradita e Shqipërisë. Një pjesë tjetër mbajnë mend vetëm tekstin e shkruar prej komunistëve për historinë tonë dhe e përfytyrojnë atë si një luftë dhe shqiptarin si një hero që e ka çarë historinë me shpatë në dorë. Sipas këtij kuptimi ne shqiptarët jemi të ndarë në patriotë dhe tradhtarë. Kjo luftë mes shqiptarësh ka krijuar edhe tipin tjetër atë që nxit një kategori tjetër që të përleshet me ata që e ndiejnë vetën pasardhës të komunistëve dhe të partizanëve. Në gjithë këtë atmosferë ligjërimi kryesor që zotëron atmosferën publike është ligjërimi politik dhe mjedisi ku zhvillohet apo formohet truri shqiptar si entitet është televizori dhe kronikat politike. Pikërisht në këtë atmosferë futet në skenë Luçia Nadin, e cila me ndihmesën që i ka dhënë kulturës shqiptare e ka sfiduar Akademinë e Shkencave, sepse zbulimet e saj në disa raste kanë vlerën e zbulimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut.

Statutet e Shkodrës si Meshari i Gjon Buzukut.

Sikur vetëm libirn “Shqiptarët në Vendik” të kishte botuar, Luçia Nadin do të duhej të ishte sot një nga studiueset më të famshme të historisë së Shqipërisë. Mirëpo ajo i ka dhënë kulturës shqiptarë një nga kryeveprat e traditës sonë. Duke punuar në Arkivat e Venecias ajo zbuloi “Statutet e Shkodrës” një tekst të hartuar në vitet e para të shek XVI që bën fjalë për normat ligjore që rregullonin jetën e Shkodrës në shekullin e IV. Statutet e Shkodrës, Luçia Nadin i gjeti në Bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias me titullin “Manuscrito Correr 295” dhe i referoi në një konferencë shkencore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës në vitin 1997. Teksti u botua në vitin 2002, pas plot pesë vitesh studimi dhe u ribotua këto ditë prej Institutit të Komunikimit dhe librit që drejtohet nga botuesi dhe studiuesi i njohur Pirro Misha dhe u përkthyen dhe e pajisën me një studim të shkurtër nga një tjetër historian me peshë, nga Pëllumb Xhufi.

Për të promovuar këtë kryevepër, Luçia Nadin ishte në Tiranë këto ditë dhe në datën 28 mbajti një ligjëratë ne fakultetin e gjuhëve të huaja dhe në datën 29, në Bibliotekën Kombëtare u bë paraqitja e librit. Në të dyja rastet ajo gati nuk merrte frymë nga njerëz që kërkonin ta takonin dhe ashtu siç bëjnë shqiptarët, me një të huaj që është dikushi, secili rendte të paraqitej mik me të në mënyrë që më pas të dukej në fshatin shqiptar si ai apo si ajo që e njeh Luçia Nadinin. Kur mbaroi gjithë ky folklor, diku rreth orës 16, e takova në hotelin ku ajo qëndronte dhe, duke folur për librin e kulturën në përgjithësi, ajo, e çuditur më tha se një gazetare e një televizioni të madh kombëtar, kur më intervistonte dhe unë i flisja për Statute dhe përmbajtjen e tyre që më kanë mahnitur edhe mua si veneciane, ajo çuditej dhe më thoshte “Ua si ka mundësi unë nuk di gjë, unë nuk i njoh. Po jo unë, por as nuk kam dëgjuar të flitet për to”. Si ka mundësi, më thoshte Luçia që ju silleni kështu me historinë tuaj?

Kjo është drama, e dashur Luçije! Ne jemi popull i përciptë dhe zgjedhim gjithmonë për të na drejtuar jo ata që do të na ruajnë memorien, por ata që na e fshijnë kujtesën dhe na rrasin aty vetëm bëmat e tyre. Po kjo është një histori tjetër.

Dy fjalë për Statutet e Shkodrës

Jemi në shekullin XIV pra në vitet 1300 dhe qyteti i Shkodrës apo komuna e Shkodrës, ashtu si qytetet e tjera europiane, ka ndërtuar një sistem ligjesh, kodesh për të rregualluar jetën qytetare. Nga kjo pikëpamje, tha Nadin, Shkodra mund të krahasohej me Sienën dhe ishte shumë më lart nga zhvillimi sesa shumë qytete të tjera të Europës. Ditën e Shën Markut, çdo 25 prill, pas rënies së këmbanave të Kishës së Shën Stefanit, në Shkodër thirrej populli, Ipeshkvi, katër fisnikë dhe të gjithë së bashku zgjidhnin tre gjyqtarë, tetë këshilltarë, dy administratorë të arkës. Të zgjedhurit i mbanin postet për një vit. Këta të zgjedhur e ushtronin funksionin e tyre duke pasur si bazë statutet, pra kodin civil dhe penal apo kushtetutën e komunës. Në këtë tekst ishte përcaktuar gjithçka dhe aty ti mahnitesh me thelbin modern që kishte ky qytet. Luçia Nadin është mahnitur më një fjalë- fjalën “Libertas” –liri me të cilin nisin Statutet. Dhe ja si shkruan ajo: “Secili kapitull, i analizuar veçmas, si dhe brenda kontekstit, ofron mundësi për vlerësime nga më të ndryshmit… I pari fare, mbi të gjithë: De liberta de li foresteri a venir ne la cita nostra a star . Me pak fjalë, cilido i huaj, qoftë ky sllav apo shqiptar(siç saktësohet menjëherë paskëtaj), që dëshiron të bëhet pjesë e bashkësisë së Shkodrës, është i mirëpritur, s’duhet të pësojë dhunime a mashtrime dhe duhet të mbrohet. Kësisoj, vijon ajo, edhe në sytë e lexuesve të sotëm, fjala libertà si pjesë e tekstit na hedh parpitur dritë në brendësi të bashkësisë së Shkodrës të para gati shtatë shekujve”. Kapitujt e tjerë përcjellin detyrime dhe të drejta për të gjitha fushat e jetës. Por të bëjnë përshtypje ato për ambienti publik. Në një nen të posaçëm thuhet se ndalohet të hidhen plehrat ne vendet publike dhe nga dritarja. Për këtë shkelje parashikohej gjobë. Sa i takon gjakmarrjes, në statute parashikoheshin masa të rrepta me gjoba të rënda për të parandaluar fyerjet në publik, sepse ato ishin më së shumti, shkak për vrasje. Ndërsa kapitujt për dënimin e dhunës ndaj grave janë të një rëndësie të posaçme dhe tregojnë një shoqëri super moderne. Ky libër, tha Nadin, duhet të jetë si një libër xhepi dhe çdo shqiptar, pvarësisht nga besimi fetar, duhet ta ketë përpara në tryezë. Mirëpo, te ne këtë kryevepër nuk e njeh thuajse asnjë nga ata që do të duhej ta mësonin. Nuk njihet në shkolla, nuk e propogandon media, nuk e njohin politikanët shqiptarë, nuk e promovon shteti. Këtë libër çdo diplomat shqiptar duhet ta kishte në format të tillë që t’ia dhuronte cilësdo kancelarie, një kopje duhet të ishte në Bibliotekën e Këshillit të Europës në mënyrë që të ketë një argument bindës se shqiptarët janë pasardhës të një qytetërimi modern europian.

Mirëpo rindërtimi i memories kolektive është çështje e madhe për një popull. Nëse në krye të tij vijnë gjithmonë njerëz pa vizion apo njerëz mediokër, të mangët nga trutë dhe egocentristë, ne do të mbulohemi me pluhurin e betonit dhe të ndërtimeve ekzibicioniste dhe do të ngjajmë si një vend pa emër. Cilido nesër mund ta ketë të lehtë ta zhbëjë këtë vend.

Epilog

Gjatë një emisioni në një tv kombëtar, politikani i njohur shqiptar nga Maqedonia, Zijaudin Sela, mes të tjerash, tha se Qeveria e Maqedonisë sa i takon kulturës, në zonat e banuara nga shqiptarë nuk investon asnjë cent. Fëmija shqiptar, tha ai, sa i takon kulturës, ka dy rrugë për të zgjedhur. Del nga shtëpia dhe përfundon në rrugë. Aty është vendi ku mund të mbushë kohën me zbavitje. Në fund të rrugës, është xhamia. Nga rruga ose do të përfundojë në burg ose në xhami. Nuk ka invesitme për qëndra kulturore, për qendra sportive, për biblioteka e vegla muzikore, tha ai. Zijaudini po fliste për Maqedoninë. A e di, i dashur, Zijaudin se këtu në Shqipëri, fëmijët tanë, përveç rrugës si areal të kulturës kanë edhe qindra eurolloto, qen endacakë dhe ndonjë të fortë që i mëson si të shpërndajnë mallin në cepat e shkollave?!

2 komente në “Luçia Nadin dhe Akademia e shkencave shqiptare”

  1. NJE QYTETAR SHQIPTAR says:

    Na vdiqet me keto gabime trashanike te shkrimit tuaj dhe as qe doni te dini per
    verejtjet tona ! Si duhet kuptuar kjo , kur thoni per Statutet e Shkodres , te shkruar
    ne fillim te shek.XVI , qe rregullonin jeten , ne shek.IV ne qytetin e Shkodres…? ! ! !
    Jini njeres teper , teper te pa pergjegjshem , qe kerkoni te beni moral ! ! !

  2. K. Rusi says:

    Mund te them vetem: komplimente, komplimente!… Kemi shume nevoje per shkrime tilla qe perpiqen te terheqin vemendjen e shqiptareve mbi vlerat e traditat pozitive te se kaluares sone, te cilat per fat te mire gjindet ndonje i huaj shume dashamires ndaj nesh dhe tradites sone historike e kulturore na i cmon, na i studion dhe na i ve perpara qe t’i njohim te pakten, t’i studiojme e t’i kemi parasysh gjithmone sepse eshte pikerisht ajo berthame , apo ajo baze e vetme e shendetshme ku mund te mbeshtetemi sot e qe fatkeqesisht, per arsyet e shkaqet qe i ka parashtruar aq objektivisht autori, jo vetem nuk e njohim, por eshte shume e mundur ta humbim pergjithmone…e kjo ka per te ndodhur , nese nuk i veme gishtin kokes tani sa s’eshte vone… Ky eshte edhe synimi i gjithe atyre qe na kane shtyre e na shtyjme ne kete kaos te erret e mohues te gjithckaje te mire qe ka patur kombi shqiptar… Duhet te ndergjegjesohemi e te alarmohemi per kete fryme gjithemohuese e nxirese te cdo vlere pozitive tonen(!)…qe ka shkuar aq thelle e aq larg sa na ben te mos vleresojme thelbesoren, por te merremi vetem me “kritika” ( si ne rastin e komentit te mesiperm, ku ne vend te vleresohet artikulli, komentohet lapsusi).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje