Vetëfundosja e Gerhard Schröderit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ish-kancelari gjerman është zgjedhur shef i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes ruse të gazit dhe naftës Rosneft. Si u shndërrua Schröder prej mbështetësit të intervenimit të NATO-s në Kosovë në liderin më lojal të Gjermanisë ndaj Moskës?

Nga Enver Robelli

Përkundër shumë kritikave pjesërisht të ashpra në Gjermani, Gerhard Schröderi ndërmori të premten edhe një hap për të dëshmuar afërsinë e tij me regjimin e Moskës.

Me zgjedhjen e tij në postin e shefit të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes ruse të gazit dhe naftës Rosneft, Schröder ka dëshmuar se është indiferent ndaj çdo kritike që vjen nga Gjermania sa i përket angazhimit të tij.

Tani ish-kancelari socialdemokrat Schröder gjendet në një klub, i cili dominohet nga njerëz që dikur kanë punuar për shërbimet e ndryshme sekrete. Mbi 50 për qind e Rosneftit është pronë e shtetit rus dhe kësisoj shefi më i madh i këtij koncerni është Vladimir Putini, ish-punëtor i KGB-së. Drejtori i Rosneftit Igor Steçin ka qenë dikur punëtor i shërbimit sekret ushtarak GRU. Matthias Waring, gjatë luftës së Ftohtë punëtor i shërbimit sekret të Gjermanisë komuniste, tani është anëtar i bordit të drejtorëve të Rosneftit.

Politikanë të partisë konservatore CDU të kancelares Angela Merkel dhe funksionarë të Partisë së Gjelbër kanë kritikuar ashpër zgjedhjen e Schröderit. «Edhe një ish-kancelar ka edhe më tutje përgjegjësi shtetërore, të cilat nuk guxon t’i sakrifikojë në altarin e interesave të tij financiare», tha Michael Grosse-Brömer nga grupi parlamentar i CDU-së. Kryetari i Partisë së Gjelbër, Cem Özdemir, i cili përmendet si ministër i mundshëm i Jashtëm në kabinetin e ardhshëm të kancelares Merkel, tha për «Frankfurter Allgemeine Zeitung»: «Nga një ish-kancelar pres që me sjelljen e tij të mos dëmtojë politikën e qeverisë aktuale gjermane dhe të Bashkimit Europian». Para se të merrte postin e shefit të bordit të drejtorëve të Rosneftit Schröder ishte në listën e pagave të koncerneve Gazprom dhe Nordstream, të cilat kontrollohen kryesisht nga Moska.

«Ja ku arriti puna: një pensionist gjerman duhet të fitojë diçka në Rusi për t’ia dalë të sigurojë ekzistencën», shkruan gazeta «Süddeutsche Zeitung» me ironi. Por, sipas gazetës, Schröder nuk është pensionist i zakonshëm, sepse shteti gjerman atij për çdo vit ia transferon një gjysmë milioni euro për zyrën e tij në Berlin. «Kjo nuk bëhet pa arsye. Qëllimi është që kryetarëve të shtetit dhe kryeministrave pas largimit nga posti t’i garantohet një pavarësi e caktuar. Këtu hyn edhe lojaliteti ndaj shtetit, të cilit ai i ka shërbyer. Schröderi po i merr paratë e taksapaguesve, por ai i bën për pavarësinë dhe lojalitetin».

Edhe më e ashpër është gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ). Në një koment të botuar të shtunën FAZ shkruan se me zgjedhjen në postin e shefit të bordit të drejtorëve të Rosneftit Schröder e ka përbaltur plotësisht funksionin e kancelarit të Gjermanisë. Kësisoj, Schröder është vënë një shërbim të një ndërmarrjeje, e cila është e dëgjueshme ndaj një autokracie të korruptuar. «Kaq poshtë s’ka rënë asnjë kancelar», thekson FAZ.

Si u shndërrua Schröder prej mbështetësit të intervenimit të NATO-s në Kosovë në liderin më lojal të Gjermanisë ndaj Moskës? Ky proces filloi në prag të luftës së presidentit George W. Bush kundër Irakut më 2003. Schröder ishte kundërshtar i ashpër i këtij kursi. Luftën e Kosovës e kishte mbështetur, sepse argumentet për intervenimin humanitar pranoheshin nga një pjesë e konsiderueshme e gjermanëve. Lufta kundër Irakut, siç u dëshmua më vonë, ishte e argumentuar keq dhe çmimin e kësaj katastrofe e ka paguar edhe vetë SHBA dhe mbarë Perëndimi: sot Lindja e Afërt është një zonë e përfshirë nga flakët e luftës dhe trazirat politike, ndërsa ndikimi i Rusisë gjithnjë e më i madh. Refuzimi i Schröderit për të marrë pjesë në luftën e Irakut nxiti polemika edhe në Gjermani atëbotë. Udhëheqësja e opozitës Angela Merkel botoi një editorial në «Washington Post», ku bënte me dije se Schröder nuk flet në emër të të gjithë gjermanëve.

Pasi Merkel u zgjodh kancelare në vitin 2005 Schröder filloi të afrohet edhe më shumë me Vladimir Putinin, mes tyre po lindte diçka që mediat gjermane e kanë quajtur «Männerfreundschaft», miqësi burrash. Të dy njihen si politikanë maço. Schröder s’pati asnjë ngurrim ta quajë Putinin «një demokrat të pastër si loti». Putin e shpërbleu duke e angazhuar në kompanitë ruse të naftës e gazit. Kur Rusia pushtoi Krimenë Schröder dha një deklaratë skandaloze. Tha se çfarë kishte bërë Putini në Krime ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare, por «të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë». E kishte fjalën për ndërhyrjen në Kosovë. Një krahasim i pavend për shkak të historive krejtësisht të ndryshme të konfliktit të Krimesë dhe të Kosovës. Schröder është i bindur se i person privat ka të drejtë të bëje çfarë të dojë. Kështu ai krahas Putinit ka konsoliduar miqësinë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mbrëmjet e gjata të Beogradit ata dy i kalojnë duke pirë verë dhe duke folur për politikën dhe tema të tjera. Schröder ka marrë pjesë edhe në një miting të partisë së Vuçiqit SNS, duke theksuar se Vuçiqi ka ngritur rejtingun e Serbisë në botë. Vështirë të besohet se Schröder këto shërbime ia bën Vuçiqit vetëm për dy-tri shishe verë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në “Vetëfundosja e Gerhard Schröderit”

  1. DOKLEATI says:

    Kan pas thane dikur moti: ruana zot prej bashkimit te teknikes Gjermane dhe redurseve Ruse

  2. P.s. says:

    O Robello, po aman o burre, para se te intervenosh ti te na shpjegosh ne shqiptareve si shkon bota, hap nje fjalor te shqipes a te gegnishtes, te pakten. E mesoje me ne fund se kemi plot fjale te bukura qe mund ta zbukurojne dhe mendjen tende. jo per gje, Po ne shqiptaret kur degjojme qysh ne krye te artikullit intervenim, ne vend te “nderhyrje ” na peshtiroset e nuk lexojme me tej.

  3. goni says:

    Keshtu Pensionisti ,i varfer Shreder(Pensionist i varfer ne thonjeza),tashme merr miljonat nga Rusija,plus per dy vite nje Miljon nga Gjermanija,del se eshte nje Njeri i pasur!Keshtu,theksoj me kete rast,Shrederi,eshte mire ti ndje paret,pe Popullin,pra gjysmen e fitimit ta ndje per Popullin,sepse eshte Socialdemokrat(ne thonjeza,sepse kur ishte Kancelare i Gjermanise,i beri sherbimet me te qmuara,Kapitalit,duke tejkaluar ne menyre te ndjeshme CDU,(qe eshte Parti e djathte,dhe dihet se Partite e djathta mbeshtesin Kapitalin)!Shreder,stimuloj si askush para Tije,ndarjen e Gjermanise,ne blloqe,dhe pasojat sot, jane katastrofike.Shreder duke u fshehur,pas emrit Socialdemokraci(Qe njihet si parti me afer Popullit,keshtu thuhet ne bisedat gojore ndermjet Njerezve te thjeshte,),u betua ne skutat okulte,te shkaterroj kundershtaret,duke hedh parrullen, schweige(hesht),por me grep do ta nxjerrim buterin(gjalpin).Shreder,sot,eshte ne forme te mire,sepse meshira e kundershtareve,e ka fal,pjeserisht,por nje perplasje direkte me kundershtaret,do te kishte pasoja,ku shreder do ti duhej kohe per te rimarre Veten!Shreder,qe stimuloj blloqet ne menyre radikale,sot,do te ishte mire te bente punen e kundert,duke zbutur demet qe i ka bere Gjermanise!Por megjitheate i kerkoj falje Shreder,qe shkrova kaq gjate per TE,sepse Shreder eshte nje Lider (ish)i vogel ne Arenen nderkombetare,ku Ujqer te paskrupullt,tejkalojne qdo mase,qe njihet si Njerezillek,dhe po te krahasohen me Shreder,dalin qeshrake kritikat e Mija ne adrese te Shreder!Por un jetoj ne Gjermani,dhe per kete edhe jepet mendimi,dhe per Gjermanine,nje territor Shum i vogel ne krahasim me territoret gjigande te Shteteve,te Botes.Por per Ne Shqiptaret,qe kemi gjithashtu nje territor te vogel,na duket se Shtete si Franca e Gjermanija,Shtete Gjigante ne krahasim me Shqiperine.Por gabimi u be,qe pas mbarimit te ldb,ne vend qe te shkeputeshin nga pretendimet,per daljen si fuqi boterore(pretendime qe sollen shkaterrimin gjate ldb),dhe te koncentroheshin ne jeten e thjeshte,agrare(sepse kishin rastin,pas ldb,te shkeputeshin nje here e mire,nga skena boterore,sepse pjesmarrja ne Skenen boterore,me pretendime qe citova me siper,shkaterroj Gjermanine,dhe ky ishte rast qe nuk duhej humbur).Por te shkeputemi nga kjo teme,dhe te shohim pakes zenkat e blloqeve.Kush stimulon blloqet,dhe fiton ne kso rastesh,eshte mire te bej punen,e kundert,pare ka toke ka ti ndaje dhe te jape gjysmen e fitimit Popullit,qofte edhe Kpitalist i djathte!

  4. Katerina die Große-Madona prej Sauku says:

    Gerhard Schröder eshte vitionar.dhe e ka te qarte se cfar ben.Duke qene se Rusia eshte nje vend i pasur dhe i fuqishem lidhjet dhe mardheniet me te per Gjermanine jane shum te rendesishme.
    Enver te lutena mos kopje gazetat germane dhe na shkrun editorjale ne shqip.
    Kujto agender 2020 qe mban vulen dhe firmen e Schröderit,pa te cilen sot Gjermania o ishte si Franca ose Angliak

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *