Grabitqarët…!

Nga Gjon Ndreja

Në një dalje të fundit publike, në takim me biznesin, kryeministri Rama premtoi se brenda 100 ditëve të qeverisjes së tij do të zhdukë një herë e përgjithmonë agjentët doganorë “ata zhabulanë apo sekserë me çanta” që grabisin qytetarët si dhe “ inspektorët e agjensive të ndryshme apo Policinë gri.”

Është për t’u përshëndetur jo vetëm rasti por edhe fryma që kërkon të përcjellë kryeministri ynë i cili sipas tij ka ndërmend “T’i fshijmë përfundimisht, ata që s’i lenë njerëzit të marrin frymë.” Vërtetë nuk e kam kuptuar asnjëherë domosdoshmërinë e sanksionuar në ligj dhe në rregulla të ekzistencës së axhensive doganore që i detyrojnë bizneset të “falen” pranë tyre sa herë që kryejnë veprime import eksporti.

Në fakt procesi i deklaratave doganore është mjaft i thjeshtë sa që çdo biznes mund ta kryeje vetë me stafin ekzistues por ligji e ka kanalizuar këtë duke krijuar agjensi doganore ose përfaqësues me detyrim të cilët licensohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, a thua se kjo është një veprim që paraqet ndonjë rrezik për interesin publik. Nuk e di se nga është huajtur kjo përvojë por jam i sigurtë se është totalisht një procedurë që rrit koston e biznesit, vështirëson të bërit biznes dhe pse jo, stimulon korrupsionin nëpërmjet lidhjeve që këto agjensi vendosin me administratën doganore.

Në lidhje me shkrirjen e “policisë gri” apo siç i thonin në të kaluarën “policë të dalë boje”( për shkak të ngjyrës së uniformës por jo vetëm) kam një histori personale. Përpara viteve 1990 më ka rënë rasti të kryej edhe detyrën e drejtorit të Parkut të Mallrave dhe kjo polici ishte një pengesë serioze lidhur me lëvizjen e automjeteve të cilët në emër të shfrytëzimit të tyre efikas, bëheshin pengesë për realizimin e detyrave. Në një mbledhje të kolegjiumit të

Ministrisë së Transportit ku ne ishim thirrur për të dhënë llogari lidhur me mosrealizimin e detyrave, unë ngrita si shqetësim edhe pengesat që na sillnin “policia e dalë boje” e cila ishte në vartësi të Ministrisë së Transporteve, madje nuk ngurova të thoja se ajo është një strukturë inefiçiente, e mbivendosur me funksionet e policisë së shtetit dhe si e tillë duhej suprimuar. Për çudinë time në sallë ra një heshtje e plotë dhe ministri më tha të vazhdoja argumentet sido që vura re se kjo ide nuk i pëlqeu fare.

Më vonë mora vesh se Drejtori i Përgjithshëm i kësaj strukture na paskësh qenë dhëndrri i ministrit, i cili i mbijetoi strukturimeve. Pas vitit 1990 kam menduar se e para strukturë që duhej suprimuar në Ministrinë e Transporteve do të ishte kjo por ajo ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Dhe akoma nuk e kam marrë vesh se dhëndrri i kujt ishte në këto vite pas 1990 Drejtori i Përgjithshëm i kësaj strukture…..???

Kur kryeministri flet se këto struktura grabisin qytetarët dhe në se do t’i referohemi përmbajtjes së fjalës grabitje, si një veprim që dikush i merr me forcë një send apo pasuri dikujt tjetër në interes të grabitësit atëherë çështja komplikohet disi. As agjentët doganorë dhe as “policët gri” nuk ushtrojnë kurrëfarë force mbi qytetarët apo biznesin për të zhvatur paratë por ata e bëjnë këtë me forcën e ligjit që ka miratuar parlamenti apo me dispozita të tjera të panumërta të dalë në “zbatim” të këtyre ligjeve.

Në këtë kuptim, palë në këtë grabitje është vetë shteti i cili me forcën e ligjit i detyron qytetarët të paguajnë në interes të disa grupeve apo individëve. Por kjo nuk ndodh rastësisht. Grupe të caktuara interesi apo individë me ndikim në politikë, ndikojnë politikbërësit dhe ligjvënësit të miratojnë ligje në interes të tyre. Ky fenomen është shkalla më e lartë e korrupsionit dhe në zhargonin politik ka hyrë si “kapja e shtetit” ose në terminologjinë ndërkombëtare njihet si “state capture”. Unë mund të ju sjell një shembull. Katër vjet më parë me 1 Tetor 2013, kam bërë një shkrim me titull “Si grabiten qytetarët me anë të ligjit” i cili është botuar në gazetën Shqip. Fjala është për grabitjen që noterët ju bëjnë qytetarëve. Për ata që nuk i njohin mund të them se ata janë një lob i fuqishëm profesional, dhe janë të organizuar në Dhomën e noterëve, të cilët janë fuqizuar pikërisht në sajë të kapjes së shtetit. Ata po “konkurrojnë” me pasuri edhe vetë gjykatësit e prokurorët të cilët me “kokë në torbë”, rrjepin qytetarët për të dhënë “drejtësi”, ndërsa ata ndjehen komod në grabitjen e qytetarëve. Ata kanë korruptuar ministrin e Drejtësisë dhe atë të Financave dhe kanë miratuar disa tarifa me anë të cilave, paratë lëvizin lirshëm nga xhepat e qytetarëve në xhepat e tyre.

Tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë dhe që përfitojnë noterët janë në proporcion me vlerën e transaksionit. Po se çfarë lidhje ka vlera e transaksionit me tarifën që përfiton noteri e di vetëm zoti dhe Ministri i Drejtësisë që ka miratuar këtë udhëzim. Paraprakisht mund të them se kjo nuk ka asnjë lidhje. Tarifa e noterit duhet të bazohet në koston e shërbimit dhe të sigurojë një normë fitimi të arsyeshme për të mundësuar vazhdimin e zgjerimin e shërbimit.

A mund të më thotë dikush se ç’farë lidhje ka tarifa që përfiton noteri me vlerën e shtëpisë që një qytetar shet ? Noteri të njëjtën kontratë do të hartojë (e cila ka të njëjtën kosto dhe në shumicën e rasteve është një shabllon që ndryshon vetëm palët dhe vlerën) si për një garazh që kushton 5000 euro ashtu edhe për një shtëpi që kushton 100.000 Euro por tarifat që përfiton noteri janë proporcionale mbi vleftën e objektit që shitet deh zonën kadastrale ku ndodhet ai. E denoncova këtë rast në vitin 2013 pranë ministrisë së Drejtësisë dhe disa miq të mi , më thanë se kishte shkaktuar trazime por ato trazime nuk zgjatën dhe u harruan shpejt.

Nga shtypi mësova se këto ditë është paraqitur në Kuvend dhe pritet të miratohet së shpejti një ligj i ri për tarifat e shërbimeve gjyqësore, si paraqitjen e kërkesë padive apo shqyrtimin gjyqësor në të gjitha shkallët. Edhe këto tarifa janë parashikuar të jenë proporcionale mbi vlerën e padisë së ngritur. Projekt ligj më absurd në “fytyrë të tokës” unë nuk kam parë, i cili pritet të ketë ndikime negative në dhënien e drejtësisë. Absurd dhe mjeran është edhe argumenti i paraqitur nga shkruesit e këtij projekti sipas të cilëve kjo bëhet edhe për të frenuar paraqitjen e kërkesë padive të shumta dhe për të ulur volumin e punës në gjykata. Argument i turpshëm dhe antikushtetues tërësisht i pa bazuar juridikisht edhe ekonomikisht dhe ja pse:

1. Vendosja e këtyre tarifave të “kripura” cënon të drejtën kushtetuese të qytetarëve për t’u paraqitur për një gjykate, për të mbrojtur të drejtat e tyre (neni 42-43 i Kushtetutës së R.SH. Disa syresh për shkak të gjendjes ekonomike nuk mund t’i përballojnë këto tarifa të cilat shkojnë deri në dy përqind të vlerës së padisë.

2. Në gjykimin tim asnjë tarifë e tillë nuk duhet vendosur për këtë qëllim. Qytetarët e kanë paguar koston e këtij shërbimi një herë nëpërmjet taksave, duke ngritur dhe mbajtur gjykata dhe organet e drejtësisë. Në gjykimin tim një tarifë mund të paguhet vetëm për një shërbim specifik.

3. Taksa progresive e shkallëzuar e parashikuar në këtë projekt ligj, e cila bazohet mbi vlerën e padisë, ka natyrë biznesi dhe jo shërbimi administrativ.

Në kuadrin e këtij shkrimi nuk mund të ezaurojmë gjithë problematikën e tarifave që vendosen në mënyrë të decentralizuar nga institucionet publike të cilat në thelb janë grabitje e qytetarëve nga shteti i tyre. Reforma në shërbimet publike që ka ndërmarrë qeveria duhet t’i kalojë në sitë të gjithë këto tarifa dhe të caktojë kritere rigoroze se kur një qytetar duhet të paguajë një tarifë për shërbimet publike që merr të cilat në këndvështrimin tim duhet të jetë vetëm si rast përjashtimor.

8 komente në “Grabitqarët…!”

  1. mm says:

    Artikull nga nje specialist shume kompetent ,(pavaresisht se personalisht nuk e njeh)po e paraqes dhe nje rast personal timin !
    Do te benim nje dhurate brenda familjes ,tarifa me tabelat e noteres shkonte tek 5000 $ dhe e anulluam !

  2. u bo nomi says:

    u bo nomi se rreni kryministri… dhe ma e bukur qe ju e besut…haha?

  3. Artan Sejko says:

    Shkurt, sakte.
    Do te doja qe komentuesit te shkruajne ketu ku propozohen zgjidhje, e nuk ka sharrje .

  4. drini says:

    per noteret se si funksionojn dhe si e rjepin ate popull me ndimen e qeveris esht skandaloze I nderuar dhe I respektuar Gjon dhe kur del dhe sqaron se sa gabim e kan qeveria ,ata ta mbyllin si capitull duke te thene se keshtu e ka dhe greqia apo ndo nie vend tjeter. kurse nga ana tjeter keta mender politikan reken te rinovojn pashaportat dipllomatike te vene visitor ne amerk te hiqen bythesh e te mos pyesin si funksionon notary apo trafiku rugor qe makinat duhet te hecin me drita ndezur qoft edhe ne pikun e vapes atje ,( ha ha ha te thon se keshtu e ka dhe italia apo greqia . pra le te kthehemi tek notary ,I nderuari Gjon (ju drejtohem juve me respect se te tjeret politikan e qeveritar jan te gjith noter) Noteri ka nie vule dhe eshte I instruktuar se si ta perdor ate vule pa u testuar por vetem I eshte pare krediti k (kuptohet jo bfinanciar).ai shikon letren me emer e mbiemer dhe e vulos kaq eshte puna e tij chfar do lloj gjuhe qe te shkruhet dhe pse nek e di per ate nuk ka rendesi por vetem kush e ka shkruar e gjitha kjo histori kushton vetem 2 dollar .Sikur ti te duash psh te shesesh parlamentin shqiptar me te gjith deputet kaq eshte chmimi ai ve vulen .ti pastaj meru vesh vet me hipoteken ne se parlamenti eshte I yti me ose pa deputet .pergezime zoti GJon nga une ish parku I mallrave Fier

  5. Noteri i shkrete says:

    Doni me per korruptimin e shtetit ? KA NE CDO FUSHE. E PASTAJ THONE PSE PAGUHET ME QINDRA MIJRA EURO PER TE MARRE LICENCEN E NOTERIT. NOTERI ME NJE kopy-paste FUT NE XHEP PSH 1000 EURO. E PERSE TE MOS I PAGUAJ MINISTRIOT TE DREJTESISE 200.000 EURO PER TE MARRE LICENCEN ?

  6. J kondili says:

    Konstruktive? Po.
    Hak n’kanar.

  7. studesnts says:

    Sa lehte qenkan gjerat. Meqe cdo kush mund te beka nje deklarate atehere sa here do te shkoni neper dogana duhet te merrni me patjeter nje kompjuter, nje printer te keni dhe nj lidhje interneti , mos harroni te keni njohuri shume te mira mbi kodin doganor dhe nomeklarturen e mallrave dhe per cdo gabim do paguani nga nje gjobe . Ne rast se do doni te beni nje tranzit ne nje dogane tjeter mos harroni te keni nje garanci te barabarte me detyrimt doganore te mallit . A po. Kaq shunme agjensi doganore kjo ndodh ne shkelje te ligjeve dhe per arsye korruptive. Kjo po
    Sa per sekseret qe thoni hapni syte dhe paraqituni ne zyra te ligjshme dhe jo kush tju ze per xhakete .
    Cfare eshte e ligjshme nuk eshte as maskarallek as sekserllek. Ne se gjykohet me kete KUT atehere tregetaret nuk jane OPERATORE EKONOMIK por MATRAPAZE EKONOMIK.
    Sa per tarifat eshte marrveshje midis paleve. Praktika boterore nuk ka mbete te gjykohet nga ca dembele e llafazane , ajo e ka thene sporoven e vet.

  8. Deni says:

    Kendveshtrim shume
    Interesant. Puna eshte qe thjesht na hap syte me shume qe skemi shpresa qe qeverite do funksionojne ndonjehee ne interes te qytetarit por thjesht ne interes te disa grupeve te caktuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *