Vrasja e vëllait të Kim Jong-un, dy gratë rrezikojnë dënimin me vdekje

2 Tetor 2017, 11:40Bota TEMA

Dy gratë e akuzuara për vrasjen e Kim Jong-nam, gjysmë vëllai i udhëheqësit të Koresë së Veriut, kanë deklaruar se janë të pafajshme në sallën e gjyqit, proces i cili nisi në Malajzi.

Vrasja e tij duke përdorur agjentët nervor shumë toksikë VX ndërsa priste një fluturim në aeroportin e Kuala Lumpurit në shkurt të këtij viti, tronditi botën.

Vietnamezja Doan Thi Huong 29 vjeç dhe indonezianja Siti Aisyah 25 vjeç, akuzohen për hedhjen e kimikatit në fytyrën e tij.

Dyshja thotë janë mashtruar nga agjentët e Koresë së Veriut dhe se mendonin se ishte një shaka televizive.

Pyongyang ka mohuar çdo përfshirje në vrasje, por autoritetet malajziane pohojnë se katër burra të Koresë së Veriut, që besohet të jenë spiunë të përfshirë në vrasje, u larguan nga Malajzia po të njëjtën ditë.

Incidenti çoi në përplasje të ashpër diplomatike dhe tensionoi lidhjet e përzemërta midis Koresë së Veriut dhe Malajzisë, të cilat dëbuan Ambasadorët e njëri-tjetrit.

Procesi i gjykimit nisi 8 muaj pas ngjarjes të dy gratë janë të vetmet të dyshuara për vrasjen e Kim Jong-nam.

Me kokat e tyre të përkulura, pranga në duar dhe jelekë antiplumbë, dy të akuzuarat dolën përpara një turme gazetarësh të mbledhur jashtë gjykatës në Shah Alam, jashtë Kuala Lumpurit.

Pasi akuzat u lexuan në gjykatë në indonezisht dhe vietnamisht, të dy grate deklaruan pafajësinë e tyre përmes përkthyesve.

Nëse shpallen fajtore, gratë përballen me dënimin me vdekje.

Avokatët e tyre mbrojtës ka të ngjarë të argumentojnë se fajtorët e vërtetë janë agjentë të Koresë së Veriut, të cilët u larguan nga Malajzia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje