Katalunja në udhëkryq, pas referendumit nis greva kundër shkeljes së të drejtave

Pjesa dërrmuese e Barcelonës u paralizua në mesditë, kur protestuesit zbritën nëpër rrugë si pjesë e grevës së përgjithshme, nismë e organizatave vendase dhe Sindikatës së Tregtisë, si kundërpërgjigje ndaj asaj që e konsiderojnë shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave gjatë votimit të së dielës.

Protestuesit kanë bllokuar të paktën 24 rrugë në mbarë Katalunjën, duke shkaktuar ngërçe të mëdha të trafikut. Greva, që ka bërë të mbyllen për një ditë transporti publik, shkollat dhe klinikat e Katalunjës, është reagim ndaj dhunës së të dielës.

Edhe pse Madridi zyrtar e bëri të qartë në çdo mënyrë të mundshme, se referendumi ishte i paligjshëm, 2.2 milionë vetë hodhën votën e tyre e 90% i thanë “po” pavarësisë. Por me qindra persona mbetën të plagosur, kur policia tentoi të bllokonte procesin.

Grupe policësh qëlluan mbi njerëzit me plumba gome, mësynë qëndrat e votimit, e i kapën gratë nga flokët duke i lëshuar poshtë shkallëve.

“Ajo shtypje, ajo dhunë që ndodhi të dielën, është e papranueshme. Nuk është pjesë e sistemit demokratik”, tha një banor i Barcelonës.

Udhëheqësit politikë, ndërkohë, po përpiqen të materializojnë rezultatin e referendumit. Presidenti katalanas, Carles Puigdemont kërkon një ujdi të re me qeverinë qendrore të kryeministrit Mariano Rajoy, i cili kërcënon nga ana e tij t’ia pezullojë rajonit të pasur verilindor edhe autonominë e zgjeruar që gëzon aktualisht.

Puigdemont kërkon ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmjetësuar ngërçin mes dy palëve, por Komisioni Europian e përshkroi krizën si “çështje të brendshme” të Spanjës, që duhet zgjidhur në linjë me rendin kushtetues.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *