Pse revoltohet Donald Lu?

3 Tetor 2017, 10:17Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Donald Lu ka përdorur fjalë të ashpra ndaj klasës politike shqiptare, por edhe ndaj qeverisjes aktuale. Një qeverie e cila drejtohet nga e njëjta forcë politike dhe i njëjti kryeministër. Para pak ditësh, ai u tha të rinjve të Rrëshenit se, “ju do të më thoni se ajo që duam, është arsimimi. Ne duam punë. Ne duam atë që shohim, çdo ditë, në televizion nga Mbretëria e Bashkuar, nga Gjermania apo Shtetet e Bashkuara. A e dini sesi do t’i merrni të gjitha këto? Ju duhet t’i kërkoni ato. Ju kërkoni punë, siç i kanë ata në Gjermani. Ju prisni ligje kundër korrupsionit, siç i kanë ata në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ju këmbëngulni për liritë personale, siç i kanë ata në Shtetet e Bashkuara. Ju jetoni në demokraci. Nëse ju i kërkoni, qeveria duhet të përgjigjet! Ose ju do ta rrëzoni atë”.

Një ambasador amerikan që bën thirrje për rrëzimin e qeverisë së vendit ku është akredituar, është një akt i fortë edhe për një mjedis si ky yni, ku lajmet gjejnë vakum dhe indiferencë. Ashtu si paraardhësi i tij, Aleksandër Arvizu, edhe Lu ka ardhur duke e ashpërsuar gjuhën, e kjo duket një taktikë e pastër, për të nxitur vëmendjen e fashitur rreth reformës në drejtësi dhe frymës pozitive që ajo solli me vete, para zgjedhjeve të 25 qershorit.

Por deklaratat e ambasadorit amerikan do të mbeteshin në suazën e taktikës, nëse do të synonin vetëm tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik. Prej muajsh, duket qartë se ato s’janë më të tilla. Pasi avancimi i kuadrit të reformës, në formën e paketës ligjore përkatëse, të miratuar me konsensus të plotë, e ka futur Shqipërinë, sipas konceptit të perëndimorëve, në një fazë cilësisht të re. Këtë ata e thonë në të gjitha gjuhët me të cilat flitet sot, për vendin tonë në Bruksel, Uashington e gjetkë. Rregullisht, ata po na kujtojnë se, tashmë, asgjë nuk është si më parë.

Afrimi i momentit të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, shkakton natyrshëm entuziazëm dhe pritshmëri në Tiranë, por ai e ka një çmim. Dhe ne shqiptarët jemi mësuar tashmë me çmimet e kripura, që vendos ndaj nesh Europa dhe SHBA-ja.

Edi Rama ka marrë përsipër një barrë të rëndë në zgjedhjet e fundit. Koncepti i tepsisë së pushtetit, me të cilin ai fitoi bindshëm kundër të gjithëve, por edhe premtimet për pastrimin e administratës dhe luftën ndaj korrupsionit vegjetativ, nuk e përjashtojnë, por e nënkuptojnë edhe luftën ndaj krimit të të gjitha formave. I cili sot, është një emergjencë e trashëguar, e cila ka arritur një pikë moskthimi.

Rama ka sot përballë një panel të dobët kundërshtarësh politikë. Por, nga ana tjetër, ka gjithashtu në tryezë edhe një listë më se angazhuese hallesh e sfidash, të cilat janë “kundërshtarët” e tij të vërtetë. Luftën s’e ka më me Bashën dhe Metën, ata i mundi. Luftën e ka me ato që u premtoi votuesve të tij, në 25 qershor: me papunësinë, krimin, korrupsionin dhe varfërinë.

Kjo situatë ku shteti sfidohet nga banda të të gjitha madhësive, “frymëzimeve” dhe ngjyrave, duhet të marrë fund, sa më parë. Ndodhemi në një pikë thyerje. Ky është edhe mesazhi i thjeshtuar i Donald Lu-së dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë e europianë, të cilët e shohin luftën ndaj krimit ordiner dhe atij të organizuar, si një kusht primar për një shtet të pastër, ku drejtësia e pavarur dënon më pas “peshqit e mëdhenj”, siç ka thënë në mënyrë të përsëritur komisioneri Hahn.

Megjithatë, deklaratat e përsëritura të Donald Lu-së nuk akuzojnë një qeveri konkrete, por më shumë një situatë krize të vazhduar, e cila zgjat prej një çerekshekulli. Politikanë që akuzohen, përgjohen dhe filmohen, duke bërë dallavere e korrupsion, e që nuk dënohen. Kriminelë që sfidojnë shtetin para kamerave (si në Elbasan), e që nuk u hyn gjemb në këmbë.

Në këtë kontekst, deklarata e ambasadorit nuk i shton ndonjë element të ri krizës aktuale, por vetëm sa e nënvizon atë fort, me bojë të zezë. Ambasadori amerikan po kërkon që qeveria ta rikapë, sa më parë, punën e nisur me luftën kundër kanabisit, i cili solli rezultate tejet pozitive në pranverë të këtij viti. Rama dhe Xhafaj kanë sot, rastin që ta kthejnë problemin historik të krimit në një oportunitet të ngjashëm me drogën, duke pastruar Vlorën, Elbasanin, Fierin e Durrësin, ashtu siç pastruan magazinat e hashashit në të gjithë vendin, duke shkarkuar edhe zyrtarë të lartë policie e duke shkrirë komisariate. Sepse, nga të gjitha anët, po thuhet e po pranohet se pa një shkundje të tillë masive të aparatit policor të shtetit, ndryshimi nuk mund të vijë. Natyrshëm, pasi të jetë shprehur një vullnet i qartë politik , për ta nisur këtë operacion spastrimi në shkallë kombëtare, ashtu siç kanë bërë vende të tjera rreth nesh.

Fatmir Xhafaj dha një provë të fortë integriteti dhe vendosmërie, kur largoi nga policia dhjetëra oficerë të përlyer me trafiqet e drogës. Është koha që ta bëjë këtë edhe më me forcë, edhe për atë pjesë të policisë që flirton prej vitesh me krimin, duke dekonspiruar hetime, prishur prova dhe mbuluar zullume të të gjitha peshave e kandarëve.

Një rol fort themelor këtë ndërmarrje të vështirë, ka edhe drejtësia. Por jo ajo drejtësi që thotë se nuk fillohen hetimet për sulmin ndaj makinës së policisë në Elbasan, pasi zyrtari i policisë që gjendej në të, nuk u dëmtua fizikisht! Tamam si në atë barsoletën, ku një trup gjyqësor shfajësoi tifozët që shanin arbitrin nga motra, me motivacionin: Arbitri në fjalë, s’ka motër! Kjo lloj drejtësie që e pamë të afishojë hipokrizinë dhe bashkëfajësinë e saj edhe në Elbasan, duhet ndryshuar një orë e më parë. Sepse, më pas, do të kenë të drejtë ata policë që rëndom, të thonë frazën e kudondodhur: I kapim ne, por i lëshon drejtësia!

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

http://afp.al/news/2017/10/pse-revoltohet-donald-lu-opinion-nga-skender-minxhozi-53045/

9 komente në “Pse revoltohet Donald Lu?”

  1. LORA says:

    Edhe Skenderi nuk paska pertuar te ndjeke nga pas Lu-kinezin,e te perqafoje sensin e propaganduar prej tij te luftes me krimin ,,,nga banditet tek politika e inkriminuar.
    Ti Minxhoz e di fort mire,sikurse shumica e cilesuar e shqi[ptareve,se bandit jane product dhe alibi 27-vjecare e poltikes se inkriminuar dhe antikombetare.C’te intereson ty te ndjekesh Lu-efendiun dhe alibine e tij te ndertuar keq??? Ti e di fort mire se ndeshkimi I pameshirshem I krimineleve me petk poltik,,,me rekorde publike dhe te pakundershueshme kriminale dhe antishqiptare,,,,,eshte kusht I nevojshem e I mjaftueshem per ngordhjen e shpejte dhe pa kosto te madhe te bandave-derivate te tyre.
    Pse atehere, propagandon edhe ti ne te njejten karar me alibite e trasha te pasuesit te arvizut ????

      1. Amy says:

        Artikull me kembe ne toke, nje analize perfekte, qe do duhej ta kuptonin te gjithe qe cfare ka ne deklaratat e Ambasadorit LU, Ai i ben thirrje drejtesise dhe kryesisht K/P Lalles nga Gramshi, mik i saliut dhe metes, qe te shkundet nga apatia apo gjumi qe e ka zene, dhe te rihape dosjet e krimeve te medha, Kjo duhet kuptuar, Rama eshte ne rruge te mbare, dhe punon por ai nuk mund te hape dosje, apo te bej Prokurorin, apo Gjykatesin, Per policine po eshte e drejte, ajo duhet te jete shembull anit krim dhe anti korrupsion

  2. shoku says:

    Krimi e ka kapur aq fort dhe eshte mberthyer aq shume te ne sa eshte bere pjese integrale, kudo, ne çdo qelize e gjen ( ku me shume e ku me pak), sepse ka çerek shekulli qe fuqizohet nga politika, modernizohet nga financa dhe vegjeton jo vetem ne heshtje, por dhe sfidon me karshillek shtetin.
    Jam i bindur qe krimi xhiron ne vit me shume para sesa buxheti yne, qe do te thote menaxhon me shume burime fianciare, njerez dhe ndikon fort ne ekonomi. Shteti te paguan per nenpunesit, krimi te blen (disamilionesh), shteti te jep rrogen, krimi rryshfetin ( heren e pare, pastaj …).
    Jemi kthyer ne nje shtet me dy dimensione: vitualish shtet i se drejtes, realisht ne nje shtet i korruptuar.

  3. rrapush says:

    Rrofsh ore minxhozi qe na dole te na sqarosh.

  4. petraq says:

    shprehje feminore te ambasadorit lu.gjuan si ujku ne mjegull.te na thote cilet jane mafiozet ndryshe ka bere nje gabim te rende.nuk di mire gjuhen lum madhi prandaj duhet falur.

  5. ALI ABDULLAI says:

    SKENDER MBLIDH MENDJEN DHE MOS U BE PALE E ATYRE QE DUAN DESTABILIZIM TE VENDIT. DEMOKRACIA ESHTE VOTE. C’DO VEPRIM TJETER ESHTE I PALIGJSHEM. PYETE AMBASADORIN A DO TE KERKONTE AI NJE REZIM TE QEVERISE AMERIKANE PA VOTEN E POPULLIT? ME VJEN KEQ PER TY QE KE MBAJRUR QENDRIME POZITIVE PORKJO E FUNDIT MBAN ERA SERVILIZEM.

  6. xheJ eN Bi says:

    Shumë e saktë kur Minxhozi thotë se :luftën (Rama) se ka më me Bashën e Metën ,se ata i mundi ,po e ka me premtimet për papunësinë ,luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
    Shumë konçize dhe në këtë frazë përmbledh gjithë artikullin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje