Robert Elsie, albanologu i madh të cilit i kemi mbetur borxh

Nga Rexhep Qosja

Me pikëllim e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsit.

Robert Elsi ishte njëri prej albanologëve me prejardhje gjermane, i cili gjithë jetën dhe gjithë dhuntinë e tij të gjithanshme krijuese ia kushtoi letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

Robert Elsi kishte arritur të njihte letërsinë shqipe, të njihte kulturën shqiptare në gjithë shtrirjen kohore dhe hapësinore.

Robert Elsi kishte arritur të njihte dhe kishte arritur të studionte këtë letërsi dhe këtë kulturë sepse i deshi jashtëzakonisht përkushtueshëm.

Fryt i këtij përkushtimi të madh ndjenjor dhe mendor ndaj letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi është numri i madh i veprave të fushave të ndryshme të albanologjisë, që do të shkruajë e do të botojë ai.

Robert Elsi ishtealbanolog i veçantë për dy arsye: e para, pse ishte i liruar prej disa paragjykimeve prej të cilave nuk kishin qenë gjithnjë të liruar gjithë albanologët e mëdhenj të shekullit 19 a shekullit 20, dhe, e dyta, pse ishte i liruar edhe prej sentimentalizmit folklorizues prej të cilit, po ashtu, nuk ishin gjithnjë të liruar gjithë albanologët joshqiptarë dhe shqiptarë.

Robert Elsin e bëjnë albanolog të madh: shumësia e veprave të tij për letërsinë dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi; shumësia e temave dhe çështjeve që ka trajtuar; dhe qëndrimi objektiv, kritik, shkencor ndaj temave e çështjeve me të cilat është marrë.

Tani kur Robert Elsi u nda prej jetës, dhe prej nesh, mund të them me keqardhje se ne nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e veprës së tij shkencore e profesionale në studimet albanologjike dhe për studimet albanologjike.

Kush më pak e kush më shumë ne i kemi mbetur borxh albanologut Robert Elsi.

Posaçërisht shumë albanologut Robert Elsi i kanë mbetur borxh institucionet shtetërore shqiptare.

Por, nuk është Robert Elsi albanologu i vetëm, krijuesi i vetëm, që me aq shumë ndjenja dhe me aq shumë dhunti studiuese u ishte kushtuar historisë, letërsisë, kulturës shqiptare, popullit shqiptar, të cilit i kanë mbetur borxh këto institucione.

Ato, institucionet shtetërore shqiptare, ndoshta do t’i dalin borxhit albanologut të madh, Robert Elsi, tani mbas ndarjes së tij nga jeta dhe ndoshta jo vetëm me deklarata!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, Robert Elsi./Dritare.net

5 komente në “Robert Elsie, albanologu i madh të cilit i kemi mbetur borxh”

  1. kujdes says:

    Robert Elsie e quajne gabimisht si mik te shqiptareve, ngaqe botonte foto te vjetra shqiptare (te te tjereve) dhe ca moderne te tija. Ai e quan gjuhën shqipe një përzjerje gjuhësh të ndryshme, në të cilën e ke zor të gjesh një fjalë pa ndikim të huaj, thotë që prejardhja e popullit shqiptar nuk do të sqarohet kurrë, kur në fakt është e stërsqaruar.
    Zëri i Popullit, 18 qershor 1996.
    Nga Robert Elsie
    NJË VJEDHJE NË DUBROVNIK DHE DALJA NË SKENË E GJUHËS DHE KULTURËS SHQIPTARE
    Bisedoni një herë me një shqiptar dhe ka shumë të ngjarë që ai t’ju tregojë se populli i tij është më i lashti.
    Bisedoni një herë me një shqiptar nga Kosova dhe është e sigurtë që ai t’ju tregojë se populli i tij është më i lashti në Evropë dhe që nga fillimi i botës, nuk ka lëvizur fare nga toka e vet.
    Ç’është atëhere kjo lashtësi? Populli shqiptar a është i lashtë? Sigurisht. Po bullgarët, italianët, gjermanët, turqit, rusët, kinezët? Po ç’është atëhere një popull i ri? Në fund del një absurditet, një krijim i homo-balcanicus-it gjithmonë në konkurencë me fqinjët. Unë nuk dua të prek sensibilitetin e Ballkanit po kam përshtypjen se është më e arësyeshme mos përdorim fjalën lashtësi po t’i kthehemi të dhënave gjuhësore dhe dokumentare.
    Është fakt se nuk ka asnjë të dhënë historike ose arkeologjike të qartë, që tregon se shqiptarët erdhën nga një vend tjetër, kështu ka shumë të ngjarë që shqiptarët të kenë jetuar gjithmonë në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik, ku gjinden dhe sot. Por problem në fund të fundit, nuk është “ku ishin shqiptarët”, por “kush ishin”. Kjo çështje e shumë diskutuar, d.m.th. prejardhja e popullit shqiptar, është jashtëzakonisht interesante, por përfundimisht nuk do të sqarohet kurrë.
    Nuk kam për qëllim trajtimin edhe një herë, të teorive të ndryshme mbi gjenezën e popullit shqiptar, vetëm një tendencë të përgjithshme desha të theksoj. Gjatë historisë shqiptarët kanë qënë gjithmonë eklektikë, d.m.th a.ta kanë pasur një qëndrim të hapur ndaj botës. Kanë ditur të marrin, të asimilojnë dhe të përshtasin elementë të shumtë. Ky qëndrim i hapur shihet më mire në gjuhën shqipe, e cila është një përzjerje e habitshme elementësh. Zor të gjesh një fjalë shqipe pa ndikim të huaj.
    Ne dimë kush është shqiptari sot. Është anëtari i një komuniteti gjuhësor me një identitet të qartë dhe të theksuar, mirëpo kush ishte shqiptari para një mijë vjetëve ose para dy mijëve vjetëve? Kjo është e vështirë. Le t’i kthehemi fakteve konkrete, në çfarë periudhe dolën shqiptarët në skenë nga mjegulla e historisë për t’u shfaqur si komunitet gjuhësor?
    Në bazë të të dhënave që kemi, shqiptarët hynë në skenën e historisë së shkruar pasklasike në gjysmën e dytë të shekuIIit të njëmbëdhjetë dhe vetëm në këtë shekull mund të flasim me siguri mbi një popull shqiptar ashtu siç e njohim sot. Në historinë e tij të shkruar në vitet 1079-1080, historiani bizantin Mihal Ataliates (Michael Attaleiates) flet për Albanoi si pjesëmarrësit e një kryengritjeje kundër Konstantinopolit në vitin 1043 si dhe për Arbanitai si një popull i princit të Durrësit. Gjithashtu rreth vitit 1081, Jan Skilica (Joannes Skylitzes), një historian tjetër bizantin, flet për Arbanites si ushtarë në trupat e mbledhura në Durrës nga Nikeforos Basilakios. Me përjashtim të veprës së gjeografit Ptolemeus nga periudha romake, këto janë rastet e para të përdorimit të shkruar të fjalës Alban-Arban-ëka tregon se populli shqiptar fillon të marrë një fizionomi dhe një identitet edhe për popujt të tjerë.
    Ekzistenca e gjuhës shqipe përmëndet për herë të parë në fund të shekullit të 13-të dhe në fillim të shekullit të 14-të. Bile, brënda këtyre viteve, 1285 deri në 1332, ekzistenca e gjuhës shqipe përmëndet katër herë.
    Rasti më i hershëm i vitit 1285, i takon jo Shqipërisë vetë, por krahinës së Dubrovnikut ose të Raguzës, ku jetonin mjaft shqiptarë. Në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro Del Volcio nga Belena, një farë Mathues, biri i Markut prej Mençe, i cili ishte, siç duket, një dëshmitar i krimit, raportoi kështu latinisht: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë duke thirrur në mal në gjuhën albaneske).
    Që nga mbërritja e sllavëve në jug të Gadishullit Ballkanik dhe në Shqipëri, deri në pushtimin turk në shekullin e pesëmbëdhjetë, shqiptarët janë në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me fqinjët sllavë. Mund të flitet bile për një simbiozë apo bashkëjetesë sllavo-shqiptare në shumë krahina të Shqipërisë.
    Gjatë kohës së kësaj bashkëjetese, fiset nomade shqiptare po asimiloheshin nga sllavët. Një pjesë e popullsisë shqiptare qe asimiluar krejtësisht dhe një pjesë tjetër u tërhoq dalëngadalë në tokën e mirëfilltë shqiptare në malësi. Në Mesjetë nuk kishte shumë banorë shqiptarë nëpër qytetet e bregdetit shqiptar. Banorët e Durrësit ishin kryesisht venedikas grekë, çifutë dhe sllavë. Në Shkodër banonin venedikas dhe sllavë, kurse në Vlorë grekët bizantinë. Ashtu si indianët në Amerikën Veriore pas kolonizimit evropian, popullata shqiptare qe mënjanuar në vendin e vet.
    Në fund të shekullit të 10-të Perandoria e Madhe Bullgare u pushtua nga grekët e Bizantit duke u dhënë fiseve shqiptare, po ta quajmë kështu, një mundësi për ta zgjeruar tokën.
    Gjatë shekujve njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë, shqiptarët filluan të lëviznin nga malësia, duke zënë vënd në fushën bregdetare të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Në këtë periudhë u themelua shteti i parë shqiptar Arbanin, i cili e pati jetën prej vitit 1190 deri në vitin 1216. Në shekullin e trembëdhjetë, shqiptarët u konsoliduan si komb dhe u zgjeruan dalëngadalë në drejtim të jugut, duke marrë Shqipërinë e Jugut dhe Maqedoninë Perëndimore. Me kohë, zunë vend edhe në gjithë Greqinë. Me këtë zgjerim tokësor dhe me këtë konsolidim kuptohet që në këtë periudhë shqiptarët nuk ishin më barbarë nomadë të rallë, të cilët bridhnin nëpër luginat e largëta të malësisë, por kishin filluar të bëheshin të dukshëm si komb për popujt e tjerë.
    Në periudhën 1285-1332, siç e pamë, gjuha shqipe, për herë të parë u bë një dukuri për shkrimtarët e huaj, që kishin kontakt me pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në shekullin e pesëmbëdhjetë dolën dokumentat e para të shkruara në gjuhën shqipe: 1405, 1462, 1483, 1497 dhe kështu pas shumë shekujve në errësirë, kultura dhe letërsia shqipe filluan më në fund të lulëzojnë. Ironia e fatit për ne, është se hapi i parë i daljes në skenë të gjuhës shqipe lidhet me një vjedhje. Sa materail i bukur për një humorist!

    1. E.T says:

      Te tregosh te verteten nuk eshte armiqesi. Ai ri-tregon historine duke u bazuar ne fakte, duke e studiuar ate, jo duke tundur flamurin dhe bere libra historie te dala nga perrallat me Skenderbeun.
      Shqiperia eshte nje vend (si gjithe te tjeret), pavaresisht se vendi me i bukur ne bote per ne. Gjuha shqipe ka pasur modifikimet e veta, ashtu sikurse shqiptaret kane pasur “modifikimet” dhe perzierjet me popuj te tjere. Sot kemi nje shtet dhe duhet ta bejme ate te eci perpara, por jo duke u mburrur me shtesa dhe trillime.

      Shikojeni te verteten ne sy. Ngrini koken lart per ate qe jeni dhe mbajeni drejt kur te thoni te verteten e asaj qe nuk jeni.

  2. Baliu says:

    Mos u merzit baci Qosja, se ket borxhin e juve akardemikve do ta shperlaj bosi yt – ngelaqi dhe njeherit kryekurvendari Kadri Teveqeli duke i “rikujtuar” meritat e Elsie-t.

  3. iris says:

    Epitaf me vlerë!

  4. llaman says:

    Sipas “kujdes” kush paraqet nje realitet shkencor ku nuk del ne pah “gjuha e vjeter shqiptare” dhe mungon prejardhja e dokumentuar (dmth prejardhja ilire) ai na qenka armik i shqiptareve! Skemi per tu sheruar kurre nga endrat nostalgjike….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X