Banka Botërore jep shpresa: Prurjet e emigrantëve në Shqipëri do të rriten me 1.8 % këtë vit

Remitancat për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme po rimëkëmbën këtë vit, njoftoi Banka Botërore në edicionin më të fundit mbi pritshmëritë e prurjeve te emigranteve.

Banka vlerëson se remitancat e regjistruara zyrtarisht në vendet në zhvillim pritet të rriten me 4.8 për qind, për të arritur ne 450 miliardë dollarë për vitin 2017.

Në Shqipëri remitancat pritet të rriten me 1.8 për qind duke shkuar në 1,07 miliardë dollarë në fund të vitit 2017 nga 1,05 miliardë dollarë që ishin më 2016.

Paratë që emigrantët, të cilët punojnë jashtë vendit kanë sjellë tek të afërmit në fshatrat dhe qytetet shqiptare në gjashtë muajt e parë të vitit kanë shënuar rritje të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për periudhën janar-qershor ishin 298 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 3% në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2016.

Banka Botërore analizon se rimëkëmbja në fluksin e remitancave po nxitet nga një rritje relativisht më e fortë në Bashkimin Evropian, në Federatën Ruse dhe Shtetet e Bashkuara. Për pasojë rajonet që presin edhe fluksin më të lartë të remitancave janë Afrika e Sub-Sahariane, Evropa dhe Azia Qendrore, Amerika Latine dhe Karaibet.

Në vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), shtrëngimi fiskal, për shkak të çmimeve të ulëta të naftës dhe politikat që shkurajojnë rekrutimin e punëtorëve të huaj, do të dëmtojnë fluksin e remitancave në Azinë Lindore dhe Jugore.

Në mesin e përfituesve të mëdhenj të remitancave, India ruan vendin e parë, ku pritet të arrijnë në 65 miliardë dollarë këtë vit, pasuar nga Kina (61 miliardë dollarë), Filipinet (33 miliardë dollarë), Meksika (një rekord prej 31 miliardë dollarësh).

Në përputhje me një përmirësim të ekonomisë globale, remitancat për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme pritet të rriten në mënyrë me të moderuar me rreth 3.5 për qind në 2018 ose 466 miliardë dollarë. Remitancat globale do të rriten me 3.4 për qind , duke arritur ne 616 miliardë dollarë në vitin 2018.

Kostoja mesatare globale e dërgimit mbeti në nivele të larta në 7.2 për qind të shumës në tremujorin e tretë të vitit 2017. Ky nivel ishte dukshëm më i lartë se objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) prej 3 për qind. Afrika Sub-Sahariane, ka një kosto mesatare prej 9.1 për qind dhe mbetet rajoni me koston më të lartë.

Banka vë në dukje rritja e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve pa dokumente që vijnë në Evropë po ngadalësohet.

Banka vë në dukje se eksporti i punës në shumë vend eka kosto të larta. Për shembull, një numër i konsiderueshëm punëtorësh ndërtimi pakistanezë në Arabinë Saudite thuhet se kanë paguar mbi 5,000 dollarë për agjentët e rekrutimit, një shumë ekuivalente me 20 muaj punë.

Përpjekjet për të zvogëluar kostot e rekrutimit do të kërkonin zvogëlimin e abuzimeve dhe shfrytëzimit nga agjencitë e paligjshme të rekrutimit, bashkëpunimin me punëdhënës të mirëfilltë jashtë shtetit dhe koordinim më të fuqishëm dypalësh ndërmjet vendeve të dërgimit të punës dhe vendeve të destinacionit.(monitor)

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Banka Botërore jep shpresa: Prurjet e emigrantëve në Shqipëri do të rriten me 1.8 % këtë vit”

  1. vezhguesi says:

    PSSSSS vend qe pret nga parate e refugjateve ,shqipria ,india ,filipinet afrika sub sahariane ,ca do mo per belulin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *