Që bashkëqeverisja të mos mbetet një slogan…!

Nga Gjon Ndreja

Përditë e më shumë këto kohët e fundit po dëgjojmë të flitet nga zyrtarë të lartë të qeverisë në lidhje me bashkëqeverisjen me popullin. Është një ëndërr e bukur për t’u besuar pasi nuk është e lehtë për t’u realizuar. Bashkëqeverisja ose pjesëmarrja është një element i “qeverisjes së mirë”, një koncept me origjinë nga shkencat ekonomike anglo-sanksone dhe i promovuar fort nga Banka Botërore si një instrument efikas për politikat e zhvillimit.

Referuar kësaj teorie pjesëmarrja i referohet përfshirjes së qytetarëve në procesin e zhvillimit dhe të përfitimit nga ky proces. Parimi i pjesëmarrjes publike kërkon që ata që janë të prekur nga një vendim kanë të drejtë të përfshihen në procesin e vendimmarrjes. Pjesëmarrja e publikut nënkupton që kontributi i publikut do të ndikojë në vendimin.

Efektet e pjesëmarrjes janë shumë dimensionale. Ajo rrit besimin e publikut te qeverisja, zbut klimën midis grupeve të interesit si dhe të palëve politike si dhe siguron një zhvillim të qëndrueshëm të proceseve dhe rrit përgjegjësinë e aktorëve të përfshirë në vendimmarrje  për një zbatim efektiv të  ligjit. Jo pak herë kemi dëgjuar nga përfaqësues të forcave politike se sapo të vijnë në pushtet do të shfuqizojnë iks ligj.

Procesi i pjesëmarrjes nuk është një proces spontan dhe nuk realizohet vetëvetiu por ai kërkon angazhimin në radhë të parë të mazhorancës qeverisëse për të përcaktuar instrumentet e pjesëmarrjes dhe për të promovuar atë, në të gjitha nivelet, për ndryshe  ajo rrezikon të mbetet një slogan e cila ka efektin e kundërt, pasi përkundrejt pritshmërive të publikut mos realizimi i saj minon besimin e tij te qeverisja.

Në këndvështrimin tim bashkëqeverisja/pjesëmarrja duhet parë në tre nivele. Në nivelin parlamentar, ekzekutiv dhe atë të qeverisjes vendore. Të trija këto nivele kanë karakteristikat e veta dhe instrumente e rrugë specifike për t’u realizuar prandaj ato kërkohet të njihen mirë dhe atë aktivizohen në funksion të promovimit të pjesëmarrjes. Pa pretenduar të jem një këshilltar i qeverisë lidhur me këtë, si një qytetar që dëshiroj të marr pjesë në qeverisje, po rendis disa nga prioritetet që duhen mbajtur parasysh për të realizuar një bashkëqeverisje efektive.

Bashkëqeverisja në nivel parlamentar lidhet me krijimin e hapësirave më të mëdha dhe hapjen rrugë të iniciativave të opozitës në lidhje me procesin e ligjvënies. Përgjithësisht eksperienca jonë në këtë drejtim është e varfër dhe refraktare. Çdo nismë e opozitës kundërshtohet nga mazhoranca ashtu siç janë të pakta rastet kur opozita voton ligjet që paraqet mazhoranca. Në këtë sfond sigurisht nuk mungojnë edhe raste të pranimit (në mënyrë të sforcuar) të iniciativave të opozitës. Kështu projekt ligji për dekriminalizimin është një model i efekteve jashtëzakonisht pozitive dhe si do që ai u politizua skajshëm pati një impakt të rëndësishëm në pastrimin e politikës.

Opozita shpesh për të fituar kredo politike propozon nisma që janë në kundërshtim me programin qeverisës apo kanë arsye të pastra të përfitimeve politike të tilla si falja e detyrimeve, inkurajimi i paligjshmërisë (kujto betejën e kundër informalitetit) apo të tilla që kanë të bëjnë me politikat fiskale etj të cilat edhe vetë opozita nuk do t’i pranonte po të ishte në mazhorancë. Nga ana tjetër një element tjetër i bashkëqeverisjes në nivel parlamentar është edhe bashkëpunimi i qeverisë me Kuvendin apo thirrja e grupeve të interesit në procesin e ligjvënies.

Qeveria/ekzekutivi është motori i promovimit të pjesëmarrjes apo të bashkëqeverisjes. Ajo ka fituar mazhorancën qeverisëse dhe varet prej saj se sa do të lëshojë nga “pushteti” dhe si do ta ndajë atë me qytetarët. Ka dy tendenca në këtë drejtim.

Së pari është koncepti se lëshimi ose ndarja e pushtetit me palët e tjera, ngadalëson proceset qeverisëse përkundër konceptit se kjo siguron qëndrueshmëri dhe i jep forcë qeverisjes. Personalisht rreshtohem me grupin e dytë të atyre njerëzve, që ndajnë mendime rreth këtij procesi.

Sipas meje elementi i parë dhe më i rëndësishëm në këtë proces por edhe elementi ku evidentohen dobësi reale është procesi i decentralizimit. Në kushtet kur reforma territoriale ka përfunduar dhe kur njësitë e qeverisjes vendore kanë kapacitetet e duhura për menaxhimin e funksioneve qeverisëse ky proces duhet të lëvizë me hapa akoma më të shpejta. Nëse i referohemi vetëm një elementi të decentralizimit, atij financiar, ku mishërohen edhe elementë të tjerë, duhet thënë se jemi akoma shumë  prapa dhe po lëvizet ngadalë.

Akoma qeveria qëndrore mban në dorë funksione të tilla si arsimi, shëndetësia,bujqësia dhe zhvillimi rural etj., të cilat duhet të jene me domosdo funksione të qeverisjes vendore. Mjafton të përmendim faktin se të ardhurat vendore në totalin e buxhetit për vitin 2017 zënë vetëm 3.5 %  të cilat megjithëse kundrejt vitit 2014 janë rritur me 24 % pesha specifike e tyre pothuajse ka mbetur e pandryshuar.

Një tregues tjetër që tregon shkallën e ulët të decentralizimit ka të bëjë me shpenzimet publike në raport me PBB i cili ne nivel kombëtar paraqitet 29.3 % ndërsa në nivel lokal ai mbetet në kuotën e 2.5 %. Ndërkohë niveli i shpenzimeve vendore kundrejt shpenzimeve publike ne total është vetëm 8.7 përqind  nivel i cili është rritur me 1.3 përqind kundrejt vitit 2014 por gjithsesi është mjaft i ulët. Procesi i decentralizimit rrit mundësinë e pjesëmarrjes së publikut në përdorimin e parave publike për shkak të afërsisë që pushteti vendor ka me qytetarët.

Diskutimi me grupet e interesit në procesin e hartimit të legjislacionit është një instrument tjetër për promovimin e pjesëmarrjes. Shembulli i të ashtuquajturit “ligj i plehrave” është një eksperiencë e mirë por edhe e keqe. Tërheqja e qeverisë për t’u konsultuar me grupet e interesit është një eksperiencë e mirë por fakti se ai projekt ligj me ndjeshmëri kaq të lartë ndaj qytetarëve nuk ishte konsultuar më parë me qytetarët është një eksperiencë e keqe. Në këtë rast grupet e interesit janë qytetarët dhe OJQ-të nga njëra anë dhe përfaqësuesit e industrisë nga ana tjetër, të cilët jo veç e veç, por së bashku duhen ulur për të arritur një përfundim.

Qeveria duhet të përpunojë një legjislacion që promovon pjesëmarrjen. Aktualisht pengesa kryesore ligjore është Kushtetuta. Ajo pengon drejtpërdrejt ose vështirëson zhvillimin e demokracisë direkte. Mjafton të përmendim faktin se në këto 27 vite janë zhvilluar vetëm dy referendume. Nga ana tjetër ajo ndalon zhvillimin e referendumeve lokale që është instrumenti kryesor për zhvillimin e demokracisë direkte. Eksperienca e Zvicrës është një eksperiencë e shkëlqyer dhe nuk ka pse të hezitohet për adoptimin e saj.

Në nivel lokal mundësia e bashkëqeverisjes është edhe më e madhe por instrumentet janë mjaft të zbehta. Ligji për “Vetëqeverisjen Vendore” njeh si instrumente dëgjesa publike ose seancat këshillimore  si dhe të drejtën e një përqind të banorëve për të paraqitur projekt vendime në këshillin bashkiak. Në të vërtetë  seanca këshilluese janë zhvilluar, por se sa ka qenë reagimi i organeve të QV, nuk jam në dijeni ndërkohë që elementi i dytë ai i të drejtës për të paraqitur projekt vendime ka mbetur vetëm një slogan edhe për faktin se qytetarët nuk besojnë se projekti i tyre mund të votohet.

Në kushtet e zhvillimit të teknologjisë informacionit mundësia e pjesëmarrjes së publikut është rritur ndjeshëm por përdorimi i saj le shumë për të dëshiruar. Shpallja e projekteve në portalin e NJQV si dhe marrja e mendimeve nga qytetarët ndodh rrallë ashtu si nuk ka një procedurë për administrimin e reagimeve qytetare dhe shpalljen e tyre në lidhje me projektin.

E që ky projekt i qeverisë për bashkëqeverisje me popullin të mos mbetet një slogan duhet si të gjitha projektet e tjera të jetë transparent dhe të ketë objektiva dhe instrumente të qarta për realizimin e tij.

3 komente në “Që bashkëqeverisja të mos mbetet një slogan…!”

  1. ermal says:

    Faleminderit qe jeton o Gjon per cfare shkruan s na thua asgje.

  2. Bogonica says:

    Nje ceshtje me ndjeshmeri te madhe,qe ne titull te grish per ta lexuar.E lexova dhe nuk kuptova gje.Qeveritaret dhe ekspertet e duhet ta dijne se cdo te thote bashkeqeverisje me qytetaret,dhe nuk kane nevoje tua spjegoje Gjoni,ndersa qytetaret e moren vesh kete ceshtje per separi nga Edi Rama,kur ai shpalli slloganin “Bashkeqeverisje me Qytetaret”:Qe do te thote: Nje organizem i tere do te ndjeke on-line ankesat e qytetareve, lidhur me menyren se si punojne punonjesit e administrates qendrore .Pra, kryeministri dhe te gjithe strukurat e shtetit,do te marrin njoftim ne kohe reale, se cfare i ka ndodhur qytetarit ne zyrat e shtetit.Do te verfikohet ankesa e qytetarit,nga nje strukture te posacme, dhe kur del se ankesa eshte e mbeshtetur dhe reale, do te merren masa per nepunesin.Me pas, kjo forme “qeverisje me popullin”, do te shtrihet edhe per qeverisjen lokale e keshtu me radhe.Kaq e thjeshte eshte.Njerezit po presin se si do behet, dhe kur do filloje kjo bashkeqeverisje me qytetaret,kete kerkojne te dijne.Ata kerkojne te dijne se si ata, qe kane paraqitur kerkesen per tu punsuar ne administarten qendrore,apo ata qe jane aktualisht jane ne kete adminstrate, “te mallkojne veten”,per detyren qe kane zgjedhur, sepse tash e tutje do jane ne syte e te gjithe shqiptareve, e per kete u duhet te punojne me ndershmeri e eksigjence,dhe rruge tjeter apo mbrojtje nga lart nuk ka me.Tani na del nje person i quajtur Gjon Ndreja,qe se njeh asnjeri, qe askush nuk e di se ku punon,dhe rreket te informoje publikun per nje teme me ndjeshmeri te larte me nje shkrim si ky..Ne vend qe te informoje publikun,per ate qe deklaroi kryeministri, dhe publiku e pret, heq thelbin e problemit duke teorizuar ne favor te qeverise ,duke e zgjeruar problemin ne dege te tjera te qeverisjes,apo ne forma te tjera te demokracise,pra Gjon Ndreja ben teori.vetem per te pasqyruar CV-e tij per ndonje desertacion apo grade shkencore, duke bluar uje e duke mos thene asgje.Te lumte Gjon Ndreja,hallall ta befte zoti,nje gje ta them ti nuk jeton ne Shqiperi dhe nuk e di kua luan topi!

  3. Jugu says:

    Autori ka shkruajt shume mire por shkrimi tij nuk eshte per audience te gazetes Tema. Eshte nje shkrim me shume per nje session shkencor dhe per tu boutar ne gazeta ekonomie, shkence, apo te qeverisjes.
    Autori duhet inkurajuar per kohen e tij qe e ve ne disposicion te shkrimeve te tilla qe nese nuk ja pranojne autoritete te caktuara vendore apo qendrore dhe ta perkrahin financiarishte, atehere me shume respekte se e ben si nje hobi por ne dobi te te tjereve.
    Shkrimi eshte per deputetet qendror apo keshilltaret lokale, por edhe per ata eshte per nje pakice se shumica e tyre veshtire se do e kuptonin termin e bashkqeverisjes, se ata jane mesuar te qeverisin dhe qytetaret ti pranojne pa kushte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X