Ne i rrisim qentë kafshues dhe njerëzit vrasës

Nga Alma Nikolli

Në jo pak shtëpi shqiptare varen krenueshëm brirët e kafshëve që domosdo janë bërë kurban në themele. Çdo eksperiment i dështuar apo i suksesshëm fillimisht bëhet me minj, dele, qen, etj. Jo pak nga vajzat që përloten në studio televizive me qenushë përkrah i përballojnë dimrat e ftohtë veshur me lëkurë ish-frymorësh. Paguajmë bileta për të parë kafshë që ngujohen brenda telave të hekurt, larg lirisë, në ambiente të quajtura kopshte zoologjike. Për sport, njeriu vrapon në shtigje e shpate malesh që të vrasë derra, lepuj a arinj. I vret dhe i gëzohet shënjestrës apo fuqisë, edhe nëse nuk i ha.

Këto po mendoja, ndërsa ende nuk kisha parë videon e komentuar si të tmerrshme të një 14-vjeçari që masakronte më sëpatë një qen. Refuzoja ta shikoja. Mendoja sytë e qenve endacakë rrugëve të Tiranës, të atyre me vetëm 3 këmbë, kryesisht. Ka shumë qen të dëmtuar në Tiranë. Ashtu të palarë, me një pusullë të verdhë në vesh çalojnë dhe rrinë sa më larg njerëzve. Nuk lehin frikshëm, nuk vrapojnë dhe të shohin me dy sy lutës që vetëm t’i vështrosh me dashamirësi. Ata e dinë fort mirë që nuk i prek dot sepse janë të pistë, bardhësia e tyre është bërë e hirtë. Ama të duan në largësi dhe ti nuk ke si bën ndryshe.

Ndërsa të tilla qënie të mjera jetojnë mes njërëzish indiferentë dhe dashakeqës, më tutje gjenden disa “pronarë” pitbullësh që i vërsulin kafshët drejt qenve për t’iu matur forcën bijve të tyre. Qentë janë si bijtë, “Tabula rasa” (tabela të pashkruara), po i  mësove të egërsohen, do ta bëjnë. Pra, nëse qeni i komshiut më kafshon në bahçen e tij, nuk kemi faj unë dhe kafsha, por ai që e mban përjetësisht lidhur në zinxhirë që ta ngordhë çdo ditë nga pak duke lehur sa herë që shtëpisë i afrohet një hajdut potencial. Nëse unë frikësohem nga të lehurat në kor të 30 qenve, që janë zot të orëve të vona në kryeqytet, nuk kemi faj unë dhe qentë por politikat antinjerëzore, e antiqenore.

Këto po mendoja, ende pa parë videon. Lexova edhe një herë reagimet e miqve të mi, jo vegjetarianë, para se ta shikoja. “Vriteni, priteni, vareni atë 14-vjeçar!”, shkruanin kudo në rrjete sociale. Urrejtje dhe mëri tipike njerëzore, aspak kafshërore. Kafsha do ta kafshonte për vetëmbrojtje dhe kaq, kurse njerëzit u mbushën me negativitet. Shfrenuan çdo imagjinatë të mbrapshtë për t’u hakmarrë ndaj një të mituri të pashpirt për shumë arsye që ndoshta ne nuk do t’i mësojmë kurrë.

Pashë videon të sfumuar. Uroj të mos më dalë në ëndërr. Zoti e faltë!

P.S. Në këtë fotografi jemi unë dhe një qen në Shkodër. Endej rrugëve dhe ju tek të më donte. Ishte aq i lirë sa nuk ia lejonte vetes të më kafshonte dhe të më ngjallte frikë apo pisllëk.

2 komente në “Ne i rrisim qentë kafshues dhe njerëzit vrasës”

  1. PO,PO says:

    Mjaft na mallengjyet me keto idjotesira ! Jane mbushur rruget e Tiranes e qyteteve te Shqiperise me qene te braktisur , te pjelle e rritur rrugeve , qe lemerisin kalimtaret ! Vec te tjerave , me pisllekun dhe mizerjen e rrugeve , keta qene jane edhe burim semundjesh , sepse me ta luajne gjithe diten femijet , fusin duart ne goje , prekin fytyren dhe ndajne ushqimin me ta . Ndaj , une do preferoja se pari jeten dhe shendetin e femijeve , pastaj te qeneve te rruges . Jo me kot , kur kur shahet e poshterohet nje njeri , e lincojne me fjalet ” si qen rrugesh” . Ne se u dhimbsen vertet qente e rrugeve , me shume se njerezit ,sugjeroni se cfar duhet bere , por jo te vendosni ata , permbi jeten e femijeve tane ! E ardhmja e ketij vendi u perket femijeve dhe jo qenve te rruges. Mundoheni te hiqeni si humane (njerezore) , duke imituar ne menyre trashanike disa dukuri te botes se qyteteruar , te cilet kane vendosur e zbatojne rregulla e ligje strikte ,qe realisht ne jemi shume larg tyre . Ndaj e perseris , … ne se u dhimbsen kaq shume qente e rrugeve , ju , si mendje “te perparuara” , duhet me pare te sugjeroni se cfar duhet bere e si duhet zgjidhur ky problem , pastaj tentoni te na perlotni me marrezi te tilla !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X