S’ia vlen lufta me Bashën, duhet betejë për frymën e PD-së

5 Tetor 2017, 21:08Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Ajo që të gjithë kanë frikë te PD-ja është ideja e një ndarje. Kjo e nënkupton më së miri kujdesin që organizatorët e Lëvizjes së re po bëjnë që të mos e etiketojnë si ndarje, kundërshtinë e tyre. Fati i ndarjeve te PD-ja ka qenë gjithnjë me një fund të hidhur.

Gjithsesi, ata që po e ndjekin këtë lëvizje, më rëndom po e quajnë fraksion, kurse duke i dhënë rëndësi e quajnë skizëm. Kjo e fundit s’ka fare lidhje me ato që po ndodhin te PD-ja, pasi ndryshimet s’janë doktrinare ose ideologjike, por thjesht strukturore. Lulzim Basha, kryetari aktual i Partisë Demokratike, është i anatemuari i madh i lëvizjes së re për ringritjen e PD, ndërsa të gjithë anëtarët e këtij grupimi hedhin poshtë idenë e fraksionit me një organizim mirëfilli juridik brenda Partisë Demokratike. Këtë e justifikojnë edhe fjalitë më të shumta që kanë artikuluar: Bashkimi i PD-së përmes një procesi zgjedhor! Të kërkohet ndjesë publike! Hapja e një debati për kapërcimin e problemit! Platformë për të gjithë anëtarësinë! Jo ndarje postesh, por pajtim mes një debati të përgjithshëm!

Shumë prej këtyre personazheve që të gjithë shënjestrën e kanë për z.Basha harrojnë një gjë fare të thjeshtë: Militantët, anëtarët e rregullt, dashamirët e PD-së janë të lodhur me të njëjtat xhaketa në krye të partisë dhe me sloganet që në vite kanë ndryshuar fare pak për të mos thënë fare. Ndaj, nuk i bën më përshtypje Basha, nuk i bën më përshtypje dhe kjo lëvizje dhe madje edhe asgjë që do të rrjedhë prej kësaj.

PD-së i nevojitet fryma dhe pikërisht këtë kërkon anëtarësia e saj. Realisht, kjo është beteja vërtetë e humbur e PD-së dhe tragjedia e saj, asfare humbja nga zgjedhjet e përgjithshme, që mund të ndodhin edhe me një lidërship të mirë dhe jo si aktuali i PD-së. Në këtë vazhdë, problemi i PD-së thellohet pasi e ka pasur disa herë pushtetin dhe nuk arriti të vendosë ekuilibrat socialë me pronat, nga ku përfaqësuesit më të prekur janë nëpërkëmbur turpshëm duke bredhur deri në Strasburg; të përndjekurit sot e kësaj dite kërkojnë identitetin, shkapërdredhur në disa shoqata; anëtarësia e PD-së është ndarë dhe madje bjerrur frikshëm. Pikërisht për të ringritur këto tre kolona është beteja e ardhshme e PD-së dhe asfare ajo që ka lidhje me riorganizime, debate dhe anatema. Lulzim Basha me shumë gjasa do jetë në parti dhe nëse PD-ja do të humbë zgjedhjet lokale, por fryma nëse humbet sërish po kalb vetë trupin e këtij formacioni, i cili po jeton makthin e tij më të madh. Dhe, Basha këtë nuk e kupton, e më së shumti nuk e kupton edhe vetë ajo pjesë potenciale e PD-së me ato marifete që bëri ta mbajë në pushtet

Ndaj beteja e madhe e PD-së, qoftë e njerëzve të listës dhe atyre anti-listë duhet të jetë për të mbajtur dhe gjetur shpirtin e kësaj partie e cila po bjerret frikshëm nga dita në ditë, qoftë edhe para gabimeve të shpeshta të partisë në fuqi, e cila rri dhe sodit e kënaqur të gjithë këtë tollovi. (Javanews)

2 komente në “S’ia vlen lufta me Bashën, duhet betejë për frymën e PD-së”

  1. fllad says:

    Veza pulen apo pula vezen Kjo eshte ceshtja, Frymen e re duhet tja jape anetaresia PD-se apo PD duhet ta induktoje ne anetaresi. Duket kungulli qe mbajne mbi krye shqiptaret akoma nuk eshte pjekur per t’i kerkuar partive perkatese, ‘MAJTAS’ dhe ‘DJATHTAS’ se cfare kane detyrim se pari per programet ( doktrina dhe filozofi) per grupimin qe perfaqesojne dhe pastaj sa mashtruesa dhe te pafytyre jane lidhur me mbajtjen e nje pjese te premtimeve.
    Sa per shpirtin e kesaj partie qe po bjerr, te lutem mos na mallengje shume , sepse ajo qe nje parti e dale nga i njejti batak ashtu si edhe PS dhe u drejtua nga qenia me perverse qe ka njohur kombi shqiptar.

  2. Bogonica says:

    Z.Andoni,analiza juaj eshte nga me te saktat qe kam lexuar deri tani lidhur me PD-ne dhe cfare ndodh atje.E verteta eshte se e gjithe lufta brenda asaj force politike nuk eshte per shkak te humbjes se zgjedhjeve,sepse ate e kishin te qarte perpara se ato te beheshin.Kjo lufte nuk eshte as edhe per faktin, se u zgjodh apo si u zgjodh z.Basha,sepse edhe kjo nuk eshte e rendesishme, sepse z.Basha nuk eshte as me i miri,por nuk eshte as ashtu per te cilen duan ta kryqezojne.Ideja juaj se tek PD ka humbur fryma,se lufta behet per kete fryme dhe jo per emra te vecante,kjo eshte ajo qe shqetson realisht bazen e asaj partise.Edhe dicka tjeter z.Andoni.PD u krijua si parti me fryme antikomuniste,kjo eshte e vertete.Dhe me kete fryme per 25 vjet ajo perballe dhe perkunder shumices derrmuse te shqiptareve arriti te cmontoje nje shtet te te tere te organizuar,dhe kete ja arriti duke i u hequr komunisteve pronen,duke e cuar ate per skrap,apo duke shitur per 5 para.Komunizmit ne shqiperi ju hoq baza e tij,prona kolektive mbi te cilen ai qendronin.Ky eshte fakt dhe komunizmi edhe per shkaqe historike e gjeoplitike nuk ka shans te ngjallet.Atehere cili eshte motivi mbi te cilin egziston PD ?Antikomunizmi?Kjo eshte per te qeshur!Pronat e pronareve te ligjshem?Kjo ka rezultuar tallje!Ne se eshte lufta eshte per keto “Dy Ceshtje” ka mbaruar,atehere bashke me to ka mbaruar edhe PD.Ketu duhet kerkuar e gjithe zhurma dhe lufta brenda radheve te saj.Per mendimin tim tani mungon alternativa.Alternativa me e mire sot eshte alternativa qe ka shpalli nga z. Murrizi,alternativa e spiuneve,lufta brenda PD-sekunder spiuneve te sigurimit.Jam i sigurte se ne se kapen fort pas alternatives se z.Murrizi PD shpejt mund te vetpastrohet e te vije ne pushtet.Rruge tjeter nuk ka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje